Rubik, vritet për hakmarrje 24-vjeçari

Jun 10, 2012 | 12:34

Vendi ku u ekzekutua 24-vjeçari

Gjakësit nuk pajtohen me vdekjen e autorit. Dy vëllezër vrasin në lokal Nik Tucin. Kapet njëri.

I vëllai vrau në 2007-n, vdiq para 3 muajsh nga një sëmundje.

Gjakmarrja merr jetën e një 24-vjeçari në Mirditë. Viktima, Nik Tuci, u vra nga hasmi i tij mesnatën e së premtes, teksa po pinte në një lokal të Rubikut me disa bashkëqytetarë. Policia ka arrestuar 40-vjeçarin Arjan Përlala, i cili bashkë me të vëllanë në kërkim, Plaurent Përlalën, 28 vjeç, ekzekutuan të riun. Vëllai i 24-vjeçarit kishte vrarë vëllanë e dy autorëve të krimit të së premtes rreth 5 vite më parë. Pas vdekjes nga një sëmundje e rëndë të autorit, vëllezërit Përlala morën hak mbi vëllanë e vogël të tij. Sipas policisë, Arjan dhe Plaurent Përlala i janë afruar në mesnatë lokalit ku ndodhej shënjestra e tyre. Me armë automatike në dorë, 28-vjeçari iu ka kërkuar klientëve të tjerë të kalonin në një cep të lokalit, duke i kërcënuar ata. Të trembur nga arma dhe presioni i gjakësit, e gjithë tavolina është boshatisur duke mbetur në vend vetëm 24-vjeçari Tuci. Në këtë moment, Plaurent Përlala ka qëlluar me breshëri ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja ka shkaktuar panik në lokal, ndërkohë që policia mbërriti disa momente më vonë pas sinjalizimit të dhënë. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes deponuan në polici se autori kishte qëlluar me breshëri dhe ishte larguar nga vendi vetëm në momentin që ishte bindur se 24-vjeçari kishte ndërruar jetë. Në lokal, bashkë me të ishte edhe vëllai i autorit, i cili gjithashtu iu ka bërë thirrje klientëve e pronarit të zhvendoseshin në cep të lokalit. Pas krimit, duke përfituar edhe nga errësira, dy vëllezërit Përlala janë larguar me shpejtësi duke tentuar të fshihen në një pyll, në periferi të qytetit. Dyshohet se vëllezërit i janë afruar lokalit, pasi kanë qenë në dijeni se aty ndodhej hasmi i tyre, Nik Tuci. Në vendngjarje është gjetur një numër i madh gëzhojash, ndërkohë që plumbat kanë dëmtuar edhe muret e këtij lokali, të cilët tregojnë se autori ka shkrehur plot një karikator automatiku. Pas vrasjes së ndodhur, në drejtim të Rubikut janë nisur rreth 50 forca policie, të cilat janë mbështetur edhe nga ato të Ndërhyrjes së Shpejtë të mbërritura nga Shkodra. Kërkimet për të dyshuarit vijuan edhe gjatë ditës së djeshme, ku rreth 30 forca policie nisën krehjen e pyllit ku dyshohej se fshiheshin dy autorët. Pas kontrollit, nga ana e policisë është bërë e mundur që të vihet në pranga Arjan Përlala, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e autorit tjetër, Plaurent Përlala, i cili dyshohet se ka shtënë me armë. I arrestuari është kapur së bashku me armën e krimit, ndërsa nuk i ka rezistuar uniformave blu që e kishin rrethuar atë. gj.f

Krimi i 2007-s dhe lirimi i autorit dy herë nga gjykata
Vëllai i viktimës së djeshme, Fatmir Tuci, ka vrarë më armë zjarri David Përlalën, 33 vjeç, nga qyteti i Rubikut, ngjarje e ndodhur më 25 dhjetor 2007, në sy të vëllait të tij, Plaurent Përlala. Ai është qëlluar me pistoletë brenda një lokali, po në qytetin e Rubikut. Ngjarja ndodhi pas një sherri të momentit mes dy miqve. David Përlala tentoi ta godiste me mjete të forta Fatmir Tucin, pas një sherri të lindur mes tyre. Por, ky i fundit ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje duke qëlluar shokun e tij për vdekje. David Përlala dhe Fatmir Tuci njiheshin si shokë me njëri-tjetrit në qytetin e Rubikut dhe se shpeshherë konsumonin pije së bashku. Mësohet se krimi i 2007-s nisi pasi Tuci i kishte rrahur të vëllanë mikut të tij. Kjo më pas solli edhe konfliktet mes tyre, duke sjellë dy viktima mes dy familjeve. Policia asokohe e arrestoi autorin e krimit, por i dyshuari për vrasje u lirua nga gjykata një vit më pas. Fatmir Tuci do të arrestohej sërish me 7 janar 2011 me 4.5 kg drogë e llojit kanabis sativa, por sërish ai u la i lirë nga gjykata. Tre muaj më parë, Fatmir Tuci ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Por, familja Përlala nuk u pajtua me vdekjen natyrore të tij, duke kërkuar të marrin një tjetër jetë në familjen Tuci, për të marrë hakun e vëllait të vrarë.

PRECEDENTI/  Vrasja e 9-vjeçarit në Mamurras
Më 5 qershor, një i ri vrau me armë zjarri një fëmijë 9 vjeç në Mamurras. Vladimir Shkreta dhe vëllai i tij ende në kërkim, Altin Shkreta, 29 dhe 33 vjeç, qëlluan me armë zjarri ndaj makinës së 22-vjeçarit Muharrem Llani. Ngjarja kishte zanafillë një konflikt të mëparshëm të viktimës së mundshme dhe dajallarëve të dy autorëve. Në mjet ka qenë edhe viktima që ishte ulur në sediljen e parë të pasagjerit në prehrin e nënës së tij, ndërsa pas ishin ulur dy fëmijë të tjerë të cilët Llani i kishte marrë në shkollë. Për pasojë, mbeti i vdekur 9-vjeçari, si dhe u plagos xhaxhai i tij.

© Panorama.al

Te lidhura