Opozita ka deklaruar pjesëmarrjen e saj në punimet e Parlamentit dhe, natyrisht, edhe në diskutimin e votimin e ligjeve që pritet të përfshihen në axhendën e shpejtë të Parlamentit, që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane dhe konkretisht, plotësimi i kritereve të BE-së për të marrë statusin e kandidatit zyrtar. Të gjitha shenjat tregojnë se do të kemi një paqe politike për gjëra thelbësore këtë vjeshtë. Partia Socialiste, lojtari jashtë fushe përgjatë dy viteve të fundit, ka premtuar një strategji të re politike që synon pjesëmarrjen në institucione. Dje, në një deklaratë për median nga selia e kësaj partie, u tha zyrtarisht se PS është e interesuar për reformën integruese. Deklarata u bë fill pas vizitës së ambasadorit amerikan atje, një koeficient shtesë për ta marrë për të vërtetë premtimin se opozita po përgatitet “të sillet mirë”.
Edhe institucione të tjera kanë paralajmëruar të njëjtën gjë. Pak ditë më parë, në një prononcim për mediat, nga Himara, Presidenti i vendit, Bamir Topi, tha se vjeshta është një moment krucial për politikën shqiptare lidhur me kriteret e BE-së. Ai konsiderohet një politikan që ka informacion të paktën nga kampi i opozitës.
Ndërkaq, nuk kanë munguar deklaratat që shprehin gatishmërinë e maxhorancës për të ndërtuar ose për t’u investuar në një klimë besimi dhe komunikimi normal me opozitën.
Duket qartë se ende ka shanse që vendi, nëpërmjet një reagimi të shpejtë pozitiv të politikës shqiptare, të plotësojë kushtet e kandidimit. Dhe ndërkaq jemi pothuajse të bindur se ka ndryshim të kursit radikal nga opozita, si dhe afirmimin e një klime bashkëpunimi nga maxhoranca.
Por, megjithatë, ka vend për të konsideruar dy rreziqe që vijnë nga “paqja”.
Së pari, opozita nuk duhet të kushtëzojë çështjet e integrimit me përfitime personale politike të lidershipit të majtë apo edhe formacionit të majtë. Shumë prej kritereve të vendosura nga BE-ja varen tërësisht nga vota e opozitës, çfarë krijon oreks për ta “shitur” votën e vet sa më shtrenjtë.
Opozita është e bindur, dhe në fakt është e vërtetë, se sado kontribut të japë ajo për integrimin e vendit, përfitimet e këtij akti në planin publik apo elektoral janë më të mëdha për qeverinë, sesa për opozitën. Kështu, në pamje të parë ka një prirje të drejtë për të kompensuar këtë dhuratë të opozitës me instrumente të tjera që pushteti i ka në zotërim dhe mund të heqë dorë prej tyre.
Kushtëzimi i integrimit me çështje që lindin në planin e betejës dhe përfitimit politik në aspektin e brendshëm mund të çojë në refuzimin e këtyre kushteve në planin bilateral Shqipëri-BE dhe, si rrjedhim, edhe dëmtimin e integrimit. Opozita duhet të heqë dorë prej këtyre kushteve nëse ka ndërmend t’i fusë në lojë. Ka një shenjë se PS do të vendosë kushte, të cilat nuk kanë asgjë të mirë veçse amortizojnë përpjekjet e opozitës për të dalë prej impasit politik pa kurrfarë përfitimi të këtyre dy viteve. Integrimi i Shqipërisë është çështje kombëtare dhe kapërcen mjaft synimet e një force politike për të marrë pushtetin apo për të bllokuar atë forcë politike apo koalicion politik që ka pushtetin.
Momenti i projektimit të kushteve dhe futjes së tyre në lojë është delikat për shkak se prirjet e opozitës synojnë drejt dimensioneve të maxhorancës në qasjen ndaj pushtetit apo instrumenteve të tij dhe maxhoranca mund t’i dëmtojë këta kufij në kurriz të cilësisë së pushtetit për përfitime në planin publik e më pas elektoral që përmendëm më sipër.
Në lojën politike të ofertave që vijnë nga maxhoranca apo kushteve që vihen nga opozita, duhet ndarë mirë se cilat prej çështjeve mund të negociohen mes pushtetit dhe opozitës.
Se nuk mund të negociohet gjithçka.
Pasi ndryshe humbasin dallimet mes qeverisë dhe kritikëve të qeverisë, humbasin dallimet mes shumicave dhe pakicave politike duke dëmtuar një konfigurim të nevojshëm mbi të cilin qëndron demokracia.
Në logjikën e kompromisit vjen, për shembull, kuadri ligjor që siguron transferimin apo mbajtjen e pushtetit. Reforma që prodhon këtë proces kërkon patjetër kompromisin e maxhorancës për kushtëzimet e opozitës gjithnjë në raport të drejtë me përvojën apo këshillat e ndërkombëtarëve. Pa këtë “maxhorancë” të opozitës në reformën elektorale, për kushtet e pjekurisë së demokracisë sonë, mbajtja e pushtetit, por edhe transferimi i pushtetit, nuk do të gëzonte besimin e palëve. Rregullat për zgjedhjet duhet të ndërtohen të tilla sa të besohet thellë edhe humbja, edhe fitorja e gjithsecilit. Mund të ketë edhe momente të tjera të kompromisit, që lidhet me institucionet e pavarura, por gjithnjë pa u tretur opozita në opsionet qeveritare të maxhorancës për të cilat ajo edhe ka marrë votën e elektoratit.
Maxhoranca aktuale nuk shquhet për ndonjë bujari të madhe ndaj opozitës edhe në kushte kompromisi. Por mund të mos jetë gjithnjë kështu kur kompromisi i ekzagjeruar dhe plotësimi i skajshëm i kushteve të opozitës mund të shkojë në favor të pushtetit duke krijuar kushtet e korruptimit të opozitës prej maxhorancës. Ka pasur edhe ndonjë rast vitet e fundit kur janë vënë re momente të korruptimit të opozitës përkundrejt përfitimeve politike të saj të përkohshme, por edhe të pasigurta. Tipik ka qenë kompromisi i saj me maxhorancën për ndryshime të shpejta dhe të shumta në Kushtetutë, në vitin 2008. Në Shqipëri, ashtu siç ndodh përkundër ligjit edhe në raste të tjera, nuk ndëshkohen njësoj si i korruptuari, edhe korruptuesi. I korruptuari asnjëherë nuk falet.
Por, ruajtja e konfigurimit të sistemit, ku një palë merr detyrat e pushtetit dhe një palë detyrën e alternativës për në pushtet, i përket edhe maxhorancës, e cila ka për detyrë të ruajë verdiktin e shumicës e të mos shpërndajë pushtet tek të tjerët që nuk janë zgjedhur për ta bartur këtë pushtet.
© Panorama.al












