Rruga e re prish varret, një fshat në protestë

Sep 20, 2011 | 11:52

HAS – Banorët e fshatit Vranisht në rrethin e Hasit kanë protestuar dje në rrugën e re që po ndërtohet, për shkak se buldozerët kanë tentuar të prishin varrezat e fshatit, duke trazuar pa ndonjë rregull eshtrat e të parëve. Rruga Kukës-Krumë ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme të rindërtimit total të saj me fonde publike dhe përbën një hap tepër integrues për Hasin dhe më gjerë, por dhjetëra banorë të fshatit kanë bllokuar dje punimet disa orë, për shkak se nuk kanë lejuar të prishen disa varre. Banorët treguan se ndërtuesit e rrugës nuk e kanë negociuar çështjen e varreve që synojnë të prishin në këtë fshat dhe për këtë ata nuk tolerojnë. Pikërisht për këtë, banorët kanë penguar mjetet e rënda që prisnin të nisin punën në segmentin Vranisht-Fajza. Fshatarët thonë se ndërtuesi i rrugës ka ndërhyrë në varrezat e fshatit pa marrë lejen e banorëve, si dhe pa pasur ndonjë projekt të përbashkët për spostimin e varreve. Për çështjen e varrezave të këtij fshati është treguar i ndjeshëm edhe prefekti i Kukësit Elez Maçi, i cili ka thënë se po bisedohet me kompaninë ndërtuese për të gjetur një zgjidhje dhe ka pohuar se për momentin puna është ndërprerë. Ai ka thënë gjithashtu se do komunikohet me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, për të vendosur se ç’do bëhet më tej. Dy lotet e rrugës Kukës-Krumë, nga fshati Myç-Has e deri në qytezën e Krumës, me një gjatësi prej 25 km, janë shkrirë në një dhe që prej disa muajsh ka nisur puna intensive për hapjen e trasesë dhe zgjerimin e saj. Fondi total për këtë rrugë është 1.7 miliard lekë dhe është mbuluar nga buxheti i shtetit. Ndërtimi i rrugëve edhe me herët ka sjellë probleme në qarkun e Kukësit më të theksuara kanë qenë në fshatin Morin për t’i lënë vendin autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë.                            j.h

© Panorama.al

Te lidhura