Rritet deficiti tregtar, në prill 31.4 miliardë lekë

May 24, 2011 | 10:18

Deficiti tregtar u rrit gjatë muajit prill për shkak të rënies së theksuar të eksporteve dhe një rritjeje më të kontrolluar të importeve. Raporti i Institutit të Statistikave lidhur me tregtinë e jashtme për muajin e katërt të vitit vëren se deficiti tregtar i prillit 2011 u rrit me 21 për qind krahasuar me marsin dhe 22.4 për qind krahasuar me prillin e një viti më parë. “Në prill 2011 u eksportuan 14,1 miliardë lekë mallra, me ulje 16.3 për qind në krahasim me marsin e 20110-s dhe rritje me 13.5 për qind në krahasim me prillin e 2010-s. U importuan 45,6 miliardë lekë mallra me rritje 6.3 për qind në krahasim me marsin e 2011-s dhe rritje 19.5 për qind në krahasim me prillin e 2010-s”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Grupe të ndryshme si të importit, edhe të eksportit, kanë pasur rritje. Kështu, në kahun e eksporteve, rritje kanë pasur grupet: “produkte kimike dhe plastike”  me 28.6 për qind, “ushqime, pije, duhan” u rrit 12.8 për qind, “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 1.4 për qind. Kurse në grupet e importit rritje pësuan edhe mallrat me akcizë. “Krahasuar me marsin e 2011-s, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 26.7 përqindësh. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, 77.5 për qind, e zënë nënproduktet e naftës”, shprehet INSTAT. Partnerët kryesorë tregtarë vijojnë të mbeten vendet fqinje si Italia dhe Greqia. Ndërkaq, INSTAT vëren se disa nga partnerët tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë për eksportin: Itali, Kosovë, Maqedoni, Rusi, SHBA, kurse për importin: Austri, Greqi, Itali, Kosovë, Spanjë.

© Panorama.al

Te lidhura