Rriten zërat për “dëbimin” e Greqisë nga Eurozona

Sep 14, 2011 | 11:24
Berluskoni “grushton” presidentin e BE-së, Herman Van Rompei, në një takim për financat

Kriza e borxhit brenda Eurozonës ka arritur në nivele alarmuese të martën, pasi Presidenti amerikan, Barak Obama, nxiti vendet e bllokut të tregojnë lidership, ndërsa zërat për mospagesat e paketës së Greqisë po rriten.Në këtë situatë ka ndikuar edhe presioni i tregjeve mbi Italinë, e cila është në buzë të krizës së borxhit. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, tentoi të shuajë dje zërat kundër ndihmës për Greqinë dhe daljes së këtij vendi nga Eurozona, që erdhën fillimisht nga vetë koalicioni i saj, duke u shprehur se Eurozona duhet të mbetet e bashkuar. Ndërsa pritej një konferencë e përbashkët mes Merkel dhe Presidentit francez, Nikolas Sarkozi, mbi këtë çështje, grafikët e tregjeve pësonin vazhdimisht ulje e ngritje të forta. Besimi në monedhën e  përbashkët të 17 kombeve u shtyp kur Italia ishte e detyruar të paguante normat më të larta të interesit, që nga bashkimi i euros në vitin 1999, për të shitur bonot 5-vjeçare. “Unë mendoj se ka një mundësi, në qoftë se janë marrë hapat e gabuar që sistemi të dalë jashtë binarëve”, tha Serxho Markione, CEO i “Fiat”, përpara gazetarëve në Frankfurt, kur u pyet nëse mbijetesa e euros ishte në rrezik. Merkel tha në një intervistë në radio se Europa është duke bërë gjithçka në fuqinë e saj për të shmangur një mospagim të Greqisë dhe u bëri thirrje politikanëve në koalicionin e saj të peshojnë me kujdes fjalët e tyre, për të shmangur krijimin e  trazirave në tregjet financiare. Ministri gjerman i Ekonomisë tha se nuk duhet të ketë tabu në stabilizimin e euros, duke përfshirë edhe një falimentim të rregullt të Greqisë. Dhe ligjvënës nga koalicioni i saj kanë thënë se Greqia mund të lërë zonën e euros, një masë për të cilën krye-ekonomisti i “Citigroup” paralajmëroi se do të çojë në “katastrofë financiare dhe ekonomike”. “Sapo të dalë Greqia, ne presim që tregjet të përqendrohen në vendin ose vendet e tjera që kanë më shumë gjasa për të dalë nga Eurozona”, tha Uillem Buiter në një shkrim të botuar dje, sipas Reuters. Merkel tha në një intervistë se Europa do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të parandaluar një mospagim grek dhe paralajmëroi se një dalje nga blloku, menjëherë do të çonte në një “efektet domino”. “Ne po përballemi me një sfidë krejtësisht të re, e cila nuk ka precedent historik”, tha ajo, duke shtuar se “Ne duam që monedha jonë të ketë sukses. Gjermania është e përkushtuar totalisht ndaj kësaj monedhe”.

Konfuzioni Paris-Berlin
Merkel dhe Sarkozi kanë biseduar në telefon mbi krizën në fillim të javës dhe thanë se të martën të dy liderat do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, duke e çuar vlerësimin e euros dhe rezervave në bankat greke më lart. Më pak se një orë më pas, një zëdhënës i Sarkozisë e mohoi deklaratën dhe kjo shkaktoi rënie të menjëhershme të tregjeve. Merkel dhe Sarkozi pritet që të zhvillojnë sot një bisedë telefonike me Kryeministrin grek, Jorgo Papandreu.

Italia
Presioni në Itali u ngrit të martën në një ankand bonosh, që tregoi kufijtë e përpjekjeve të Bankës Qendrore Europiane për të mbajtur shpenzimet e huamarrjes së Romës, duke blerë bono qeveritare në këmbim për masa shtrënguese, për të ulur deficitin e saj buxhetor. Bonot pesëvjeçare u ngritën në nivelin më të keq që nga krijimi i euros, në 5.60 për qind, pavarësisht blerjeve të BQE në tregun sekondar, që çoi në dorëheqjen e krye ekonomistit gjerman të Bankës Qendrore, Juergen Stark, të premten.

 

© Panorama.al

Te lidhura