
Kryetari i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, përfundoi në spital, pasi u rrah dhe u godit me mjete të forta nga banorët e fshatit me të njëjtin emër.Burime të Prokurorisë së Dibrës bënë të ditur se ngjarja ndodhi mesditën e së premtes, kur Himallari, zyrtarë të Prefekturës, si dhe disa efektiva policie janë ndodhur në qendër të fshatit për të shuar një konflikt që kishte lindur mes dy lagjeve. Një pjesë e tyre nuk pranonin që kanali i ujësjellësit të kalonte në tokat e tyre. Ndërkohë, të tjerë banorë kishin ngritur pretendimin se marrja e burimit të Tejses linte pa ujë dhjetëra familje. Kanë qenë rreth 50 banorë që janë grumbulluar në momentin kur kryetari i komunës, punonjësit e policisë dhe juristi i prefekturës së Dibrës, Shemsi Kamberi, ishin mbledhur për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Kreu i komunës u kërkoi banorëve që të bien dakord, duke dhënë dhe zgjidhje konkrete, pa dëmtuar interesat e palëve të përfshira në konflikt. Teksa kryetari i komunës po fliste për marrëveshje dhe zgjidhje të problemit në fjalë, njëri nga banorët, e pas tij edhe disa të tjerë, e kanë goditur atë me grushte dhe mjete të forta. Forcat e policisë që janë ndodhur në vendin e ngjarjes ndërhynë, ndërsa autori që nisi sherrin, H. Ahmataj, i konfliktuar edhe para fushatës së zgjedhjeve me kryetarin e komunës, është larguar nga vendi i ngjarjes. Tashmë ai është në kërkim për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. “Nuk mund të lejojmë që të goditet një pushtetar vendor për shkak të detyrës. Kemi urdhëruar shoqërimin e 15 personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe arrestimin e autorit që ka ngritur dorë mbi kryetarin e komunës Kala e Dodës”, thanë burime të Prokurorisë. Pas ngjarjes, kreu i komunës është paraqitur në spital, ku ka marrë edhe ndihmën mjekësore. Konflikti ka nisur ditë më parë, madje zyrtarë të prefekturës, por edhe policia, ishin ngjitur disa herë në Kala të Dodës për t’u dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve të krijuara. Mësohet se personi që goditi kryetarin e Kalasë së Dodës e ka goditur atë edhe para zgjedhjeve, duke pretenduar për një parakalim të gabuar. Për këtë shkak nuk mohohet pista e goditjes për motive politike.
INCIDENTET
Më 20 gusht të vitit 2010, kryetari i komunës Kala e Dodës u arrestua në Tiranë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare”. Pesë ditë më vonë, në një mbledhje të Këshillit të Ministrave u mor vendim për shkarkim të tij nga detyra. Himallari e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit vendosi rikthimin e tij në detyrë.
Ndërsa më 26 mars 2011, Bajram Himallari pati një përplasje me armë me rivalin e tij në garë dhe simpatizantë të PD-së.
DIBER/ HASAN PASHA
© Panorama.al











