Rrezik epidemie në Elbasan, 3 ditë mbuluar nga plehrat

Jan 17, 2012 | 11:46

Mbushen trotuaret. Pastrimi, pasditen e djeshme pas reagimit të prefektit

Për më shumë se tri ditë, deri pasditen e djeshme, qyteti i Elbasanit qëndroi i mbuluar nga plehrat. Fenomeni i “pushtimit” nga mbeturinat u konstatua vetëm pasi ato kapërcyen kontenierët e përfshinë edhe trotuaret. Kjo pamje pushtoi jo vetëm rrugët dytësore apo lagjet e brendshme të qytetit, por dhe rrugët kryesore. Ndotja nga mbigrumbullimi dhe mospastrimi i mbeturinave ka qenë më evidente në zonat e tregjeve të Elbasanit, ku insektet dhe era e keqe e kanë bërë të pamundur kalimin e këmbësorëve. Plehrat e shumta rrethuan dhe zonën turistike të Kalasë, pikërisht në qendër të Elbasanit, zonë tejet e frekuentuar. E njëjta gjendje u shfaq për banorët e qytetit edhe në ditët e para të vitit, ku thuajse 1 javë qyteti mbeti i papastruar nga mbeturinat. Bashkia, duke u njohur me ankesat e banorëve, ndërhyri nëpërmjet firmës së pastrimit të qytetit dhe bëri të mundur zbarkimin e të gjithë kontenierëve. Situata u përsërit tri ditë më parë, çka detyroi edhe prefektin e qarkut, Shefqet Deliallisi, që të reagojë. “Situata e krijuar nga ndotjet e plehrave në kontenierët e qytetit po precipiton drejt një emergjence civile”, tha Deliallisi. Përmes një deklarate për mediat, ku shprehu shqetësimin e opinionit publik të qytetit lidhur me ndotjen e shkaktuar nga plehrat në kontenierët e qytetit, prefekti kërkoi që nga organet kompetente të hetohet situata dhe të vihen para ligjit personat përgjegjës. “U bënë disa ditë që në qytetin e Elbasanit plehrat nuk tërhiqen nga vendgrumbullimet, duke pushtuar gjithë qytetin dhe duke u bërë një kërcënim për shëndetin e banorëve, rast ky i përsëritur dhe një javë më parë”, tha Deliallisi. Duke marrë shkas edhe nga informacionet e marra nga Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Drejtoria e Shëndetit Publik, si dhe me atributet e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave dhe kryetarit të Komisionit të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, Deliallisi i kërkoi kryetarit të Bashkisë së qytetit të organizojë një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak për zgjidhjen e menjëhershme të situatës. “Qytetarët e Elbasanit, si taksapagues të rregullt, nuk e meritojnë këtë situatë”, u shpreh prefekti. Ai deklaroi se kjo situatë nuk mund të rrezikojë tjetër, veçse një epidemi të mundshme. Edhe pse Bashkia e Elbasanit nuk ka dalë me ndonjë deklaratë në lidhje me shqetësimin e ngritur nga prefekti, menjëherë pas reagimit të tij, punonjës të pastrimit pranë Bashkisë nisën të pastrojnë kontenierët, aksion i cili në fillim nisi në bulevardet dhe rrugët kryesore të qytetit për të vijuar brenda lagjeve.

Bashkia, asnjë reagim për situatën
Ende nuk dihet se pse Bashkia ka lejuar këtë situatë në qytet, pasi asnjë konfirmim zyrtar nuk është dhënë nga kjo e fundit. Ndërsa mësohet se shkak mund të jetë mungesa e fondeve nga ana e Bashkisë për të paguar firmën e pastrimit në qytet. Pritet që edhe ky institucion të dalë në një deklaratë për shtyp për të sqaruar rrethanat e ndotjes së krijuar në qytet tri ditët e fundit.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura