Bashkëkryetari demokrat i reformës parlamentare, Jemin Gjana, shprehet pesimist për mbylljen brenda 6 gushtit.
Gjana: Kushtet e PS kërkojnë patjetër rishikim të ligjit themeltar.
Në kushtet kur PD dhe PS kanë përfunduar me sukses reformën zgjedhore dhe është ndërmarrë nisma për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, pika e vetme për të cilën nuk ka asnjë progres është ajo e reformës parlamentare. Pas një pune rreth katërmujore, grupi i përbërë nga katër deputetë, i mandatuar nga Konferenca e Kryetarëve, prodhoi një draft me ndryshime, por jo dy më të rëndësishmet: kufizimin e kohës së Kryeministrit dhe votimin në mënyrë të fshehtë të dekreteve të Presidentit për emërimet në gjykata. Bashkëkryetari demokrat i grupit të punës, Jemin Gjana, thotë se për këto dy çështje ku palët ndahen, kërkohet patjetër prekja e Kushtetutës, dhe kjo nuk është në objektin e punës së këtij organizmi. “Kanë mbetur dy çështje, për të cilat ne në grupin e punës e kemi shprehur qartë qëndrimin tonë, janë jashtë mandatit tonë si Komision, si grup pune, sepse prekin nenet e Kushtetutës. Për fat të mirë ose të keq, duhet të bëjmë të ditur një gjë: mund të jetë nga kushtetutat e rralla Kushtetuta e Shqipërisë që, funksionimin e Parlamentit, sistemin zgjedhor, veprimtarinë e procedurave parlamentare e ka të futur në nene kushtetuese”, shprehet Gjana. Sipas tij, “diskutimi nuk është një diskutim rregulloreje, është një diskutim i një neni kushtetues. Nëse ne do t’i hyjmë çështjes për ta ndryshuar germën e Kushtetutës, është një çështje tjetër, nuk është në mandatin e këtij grupi pune”, deklaron Gjana. Sipas bashkëkryetarit demokrat të grupit të punës, duke pasur parasysh edhe qëndrimin e opozitës deri në këto momente, vështirë se reforma parlamentare do të mbyllet brenda 6 gushtit, dita e fundit e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve për këtë sesion parlamentar. Pak javë më parë ishte bashkëkryetari socialist, Namik Dokle, i cili i bëri thirrje maxhorancës të tërhiqet nga qëndrimi i saj në mënyrë që palët të gjejnë konsensusin për reformën parlamentare. “Fryma që kërkohet të dominojë në politikën shqiptare, fryma e reformave që kërkohet nga BE dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj që të jetë një kambanë e fortë edhe për maxhorancën, në mënyrë që të ulemi dhe ta përfundojmë edhe këtë reformë. Reforma parlamentare në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet nga reforma zgjedhore, që është një reformë prioritare përsa i përket veprimit të Parlamentit”, deklaroi Dokle. Apelin për mbylljen e kësaj reforme, së bashku me atë zgjedhoren e bëri në fund të muajit maj në Tiranë edhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, por që nga ajo ditë asgjë nuk ndryshoi në këtë drejtim.
Ruçi: PD ka frikë nga opozita
“Ne kërkojmë: 1) Fjalën e lirë; 2) kontrollin parlamentar, keni disa kërkesa për interpelanca dhe ju nuk vini; 3) ka shtrembërime të Rregullores; 4) kemi kërkuar votimin e fshehtë dhe ju thoni më gjeni një shtet, dhe unë mund të tregoj se dy shtete në Europë që nuk e kanë. Të gjitha e kanë. Kjo e ka penguar reformën parlamentare. Ju keni frikë nga fjala e opozitës. Ju keni frikë nga vota e fshehtë”, tha pak javë më parë në Parlament kreu i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, lidhur me reformën parlamentare.
Konsensusi për reformën
Gjatë mbledhjeve të grupit të punës u ra dakord që veprimtaria e komisioneve të përhershme parlamentare të mbështetet nga programi “Për aktivitetin parlamentar” në buxhetin e Kuvendit. Sipas këtij propozimi, sa herë që Kuvendi të detajojë fondin e tij buxhetor për vitin në vijim, ky fond duhet detajuar edhe për komisionet. Në pikën 3 të nenit 60 të Rregullores thuhet se “kur kërkohet me shkrim nga të paktën ¼ e të gjithë deputetëve, votimi i fshehtë bëhet me fletë votimi”. Gjithashtu, për paraqitjen e projektligjeve, Kryeministri dhe ministri kundërfirmues kanë të drejtë të flasin pa kufizim kohor.
Ekspertiza e huaj
Eksperti ndërkombëtar, Fill Larkin, në një material të dërguar grupit të punës, propozoi vendosjen e votimit të fshehtë dhe me shumicë të cilësuar për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në një dokument dërguar anëtarëve, eksperti britanik u jep përgjigje të gjitha propozimeve të bëra gjatë punës së këtij komisioni. “Emërimi në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese duhet të bëhet me votë të fshehtë. Duhet përdorur votim me shumicë të cilësuar. Shkarkimi i anëtarit të organit kushtetues të bëhet me votim të fshehtë. Duhet të merret në konsideratë edhe nevoja për votim me shumicë të cilësuar”, thuhet në raport.
Fyle: Tani hiqni imunitetin e zyrtarëve
Stefan Fyle
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, vlerësoi dje miratimin e Kodit Zgjedhor dhe bëri thirrje për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “Maxhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të ndërtojnë mbi këtë zhvillim të mirë dhe të thellojnë më tej dialogun politik dhe bashkëpunimin për të përfunduar punën e nisur në prioritetet e tjera kyçe të opinionit të Komisionit Europian dhe të arrijnë një masë të konsiderueshme rezultatesh brenda vjeshtës. Reformat në sundimin e ligjit përbëjnë një faktor kyç për të ecur përpara në rrugën e integrimit në BE”, u shpreh Fyle. Sipas tij, “në këtë kuadër, votimi për heqjen e imuniteteve në përputhje me standardet europiane do të ishte një element i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Inkurajojmë të gjitha palët që të kontribuojnë për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim dhe të tregojnë një qëndrim konsotruktiv”, përfundon deklarata.