Pak orë pas vrasjes që ndodhi në mes të qytetit të Lezhës, autori rrëfehet në polici, duke zbardhur edhe motivin e ngjarjes.Besnik Pleti, 27 vjeç, i pohoi grupit të hetimit se kishte ekzekutuar të riun lezhjan për një borxh të pakthyer. Sipas tij, viktima Kristjan Ndoji (Dorian Hila) kishte lyer një motor në servisin e tij, por më pas nuk i kishte dhënë paratë. Ky ishte edhe shkaku i vrasjes që ndodhi dy net më parë rreth orës 21:40 në bulevardin kryesor të Lezhës, duke përhapur panik tek qytetarët, pasi në atë orë është xhiroja e darkës. Burime të Policisë së Lezhës bënë të ditur se, bazuar edhe në dëshminë e autorit të arrestuar të ngjarjes, konflikti mes të rinjve e kishte pasur zanafillën rreth dy javë më parë. Viktima, tregtar motorësh, i kishte çuar 27-vjeçarit t’i lyente njërin prej mjeteve që ai kishte në shitje. Servisi ku Besnik Pleti punonte bashkë me të atin ndodhej në afërsi të rotondos në Ishull-Shëngjin. “Pasi mori motorin, Kristjan Ndoj u largua nga servisi, duke më thënë se do të më sillte paratë. Ramë dakord që në fillim të punës për 100 mijë lekë të vjetra. Pasi nuk m’i ktheu, shkova tek dyqani i tij dhe ia kërkova prapë paratë. Por ai refuzoi të paguante hakun e punës dhe më tha se nuk kishte ndërmend të më jepte asnjë lek, pasi nuk i kishte pëlqyer lyerja”. Kështu është shprehur për grupin e hetimit i riu, i arrestuar nga policia e Lezhës. Sipas dëshmisë së tij, pasi kanë debatuar me fjalë, ata kanë pasur edhe përplasje fizike duke u qëlluar me grushte, por disa kalimtarë të rastit, që kanë parë ngjarjen nga larg, janë afruar duke i ndarë. Pleti i kishte lënë afat viktimës se, nëse ai nuk e likuidonte për punën e kryer dy ditë më parë, do të hakmerrej ndaj tij dhe do ta vriste. Pasi ka pritur deri në ditën që i kishte lënë afat (dita e vrasjes), i riu ka arritur që të siguronte një pistoletë dhe më pas i ka zënë pritë tregtarit të motorëve, i cili po vinte në drejtim të tij në afërsi të sheshit kryesor të qytetit. Sapo 29-vjeçari i është afruar Pletit, ai e ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që qytetarët e shumtë që kanë qenë në bulevard kanë përjetuar momente tmerri, pasi i riu ka qëlluar plot gjashtë herë ndaj viktimës. Pas vrasjes, Pleti është larguar bashkë me armën e krimit në drejtim të lagjes “Besëlidhja”, duke hedhur pistoletën në lulishte. Policia që mbërriti në vendin e ngjarjes bëri të ditur se janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë “mod.54”, kalibër 7.62 mm, si dhe gjashtë gëzhoja “mod.54”, kalibër 7.62 mm. Pas identifikimit të autorit, policia arriti ta arrestonte atë në flagrancë, duke e akuzuar për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
6 gëzhoja
u sekuestruan në vendin e ngjarjes, ndërsa disa metra më tej, në një lulishte, autori kishte hedhur para se të largohej edhe armën e krimit, pistoletë
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











