ROVENA STEFA: “Tek “VIP shpija” mora aq para sa edhe çmimi i parë

May 28, 2011 | 13:07

Pas izolimit në një reality show, këngëtarja Rovena Stefa rrëfen eksperiencën e saj të pazakontë dhe përshtypjen për disa konkurrentë.
Ju ktheheni në Tiranë bashkë me vendin e tretë që morët në “VIP Shpija”, duke lënë pas emra, si: Mc Cresha, Qetsori, Bertina etj. Si ndiheni pas kësaj eksperience, duke qenë kaq afër vendit të parë a do të donit ta kishit fituar atë?
Më paska marrë shumë malli për Tiranën… vij pas një “burgosjeje” moderne prej 42 ditësh në një shtëpi të madhe në periferi të Prishtinës, e mbyllur brenda me 10 anëtarë të tjerë. Kjo shtëpi u mbiquajt nga stafi organizues për të dytën herë “VIP shpija”. S’di ç’të them, jam ndier e privilegjuar që jam zgjedhur nga stafi, pasi ka edhe shumë artistë të tjerë, personalitete që mund të ishin brenda asaj shtëpie. Në fakt, jam e kënaqur që publiku më ka votuar shumë mirë, unë jam munduar të kënaq të gjithë fansat e mi me muzikën që kam ofruar, bisedat e debatet mbi artin dhe jetën në përgjithësi. E kam thënë edhe më herët që fitues mund të jesh në shumë mënyra dhe takimet e përshëndetjet e njerëzve pas daljes sime më treguan se të fitosh dashurinë e respektin e tyre, është më shumë sesa të fitosh një çmim simbolik.
Duket edhe nga votimet se ishit ndër më të preferuarat, pra edhe një herë Kosova dëshmon dashurinë kundrejt jush. Mendoni se kjo ka ndodhur për shkak të popullaritetit që keni arritur deri tani apo për vlerat që keni mundur të shpalosni aty?
Së pari, faleminderit shumë të gjithë popullit të Kosovës, i cili gjithmonë më pret si bijën e tij, gjithmonë më ka dashur dhe tani më shumë se kurrë e vërtetoi këtë dashuri me votat që më dhuroi. Besoj se me sjelljen dhe show-n që unë kam dhënë brenda “VIP Shpisë” kjo dashuri është shumëfishuar. Gjithashtu, edhe përgjegjësia ime rritet paralelisht për të dhënë gjithmonë e më shumë këngë të bukura.
Nisur nga opinionet brenda dhe jashte “VIP shpisë”, fituesi flitet të jetë homoseksual. A mendoni ju se shoqëria jonë është emancipuar deri në këtë pikë?
Kur mbaron një garë, gjithmonë do të ketë një fitues dhe të tjerët do të jenë gjithmonë humbës, por humbësit më të mëdhenj janë ata të cilët nuk e pranojnë humbjen. Gay ose jo, Arditi fitoi çmimin e parë dhe është e kotë të rrimë të merremi me faktin nëse e meritonte apo jo. Sa i përket emancipimit të shoqërisë sonë, nuk e besoj se një vit pas  bujës së madhe që shkaktoi fenomeni “Klodi” në “Big Brother” na u emancipua shoqëria jonë ( qesh). Këto janë çështje delikate për mentalitetin tonë, megjithatë le të shpresojmë që ky fenomen të  mos marrë të njëjtën rrugë, ashtu si favorizimi pa kufi pas diskriminimit shumëvjeçar të njerëzve me ngjyrë në SHBA.
Na trego pak për personazhet dhe lojën e tyre apo edhe konfliktet që ata shkaktuan…
Organizatorët këtë herë menduan të sjellin përveç artistëve, edhe disa personazhe nga reality të mëparshme si “Big Brother” dhe “VIP Shpija 2”, pra lojtarë të sprovuar më parë, të cilët me lojën e tyre rritën frymën e konkurrencës. Hera-herës shikonim personazhin e Bertinës të kthyer në një fëmijë të vogël dhe grindavec, duke ngacmuar të gjithë banorët me në krye Qetsorin dhe Xuxin apo, edhe duke marrë shembull nga këta lojtarë, krijonte konflikte të paqena me banorët. Ishte mjaft dëfryese t’i shihje këto personazhe të ardhur nga një lojë që donin të bëheshin këngëtarë, kërcimtarë, aktorë. Por, prapëseprapë i përgëzoj për guximin dhe dëshirën.
Po me Bertinën ç’ndodhi, pamë që ajo ju nominoi çdo herë, ndërsa ju jo. A njiheshit më parë?
Nuk njiheshim më parë dhe nuk besoj që ajo ka pasur diçka personale me mua. Mendoj që ajo më ka parë mua një kandidate potenciale për çmimin e madh dhe ka menduar të më sulmojë si pjesë e lojës së saj, e cila rezultoi e pasuksesshme, sepse Bertina i zhgënjeu edhe ata pak fansa që kishte në Kosovë, duke treguar haptazi urrejtje dhe xhelozi pa shkak ndaj meje. Njëri nga sulmet e pabaza nisi me kërkesën e saj drejtuar regjisë për të ndalur unë këndimin, duke u shprehur se nuk i pëlqente zëri im. Megjithatë, përpjekja dhe dëshira për ta parë çdo situatë pozitivisht, ka qenë maksimale tek unë.
Rovena, a mund të na tregoni nëse jeni paguar për pjesëmarrjen tuaj në “VIP shpija” dhe, sa ka qenë ajo?
Edhe pse ndoshta duhet të kishim pyetur Elisën për këtë çështje, natyrisht që jam paguar dhe me sa kam informacion, pagesa ime ka qenë ndër më të lartat, dmth imagjinoni vlerën e makinës së dhënë për çmimin e parë.
Pas pak ditësh pritet të fillojë edhe sezoni veror, ku edhe siç e keni parathënë, ju do të jeni sërish protagoniste në klubin tuaj në Durrës. Çfarë risish do të ofroni këtë verë për publikun shqiptar?
Ndërsa po afron vera dhe organizmi për “Rovena Club” ka kohë që ka filluar, unë po përfundoj një këngë të re, të cilën kam në plan ta publikoj përpara verës. Natyrisht që do të ketë mjaft risi edhe këtë sezon, do të ketë mjaft të ftuar dhe shumë show, në mënyrë që pushuesit të ndihen të relaksuar në fund të pushimit të tyre 10-ditor.  Por, vera tashmë ka trokitur.

© Panorama.al

Te lidhura