
“Çmimi më jep përgjegjësi edhe më të madhe, pasi tani do të përfaqësoj gjithë kombin”
Komentuesit janë nga Spanja, Armenia, Zvicra, Australia, Brazili… Kush ka vizituar faqen zyrtare të Festivalit Europian dhe ka dëgjuar këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë, nuk ka ndenjur indiferent dhe ka dhënë mendimin e tij rreth saj. “Zë i mrekullueshëm”, “Këngë e bukur”, “Çfarë zëri!” “Këngë shumë e ndier”… të tilla këngë i mungojnë Eurosongut”, “Uroj të dalë në 10 më të mirat”… Këto janë vetëm disa nga komentet që shoqëro jnë këngën “Suus” të interpretuar nga Rona Nishliu, e cila u shpall fituese e edicionit të 50-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Votimi i jurisë ishte thuajse unanim, ndërkohë që kënga u shoqërua gjatë nga duartrokitjet e publikut. Kur kënga ende nuk ishte përballur me publikun, ishte një lloj frike se njerëzit nuk do ta pëlqenin. Dukej si këngë vaji dhe vallë, a do të kuptohej? Por që në natën e parë, ajo ngjiti. Ishte një këngë që ngjiste, kjo edhe falë zërit të mrekullueshëm të këngëtares kosovare, e cila arrinte ta menaxhonte atë më së miri e nuk kishte asnjë droje ndaj të kënduarit live dhe nga salla e Pallatit të Kongreseve. Kënga e Ronës u duartrokit, doli në finale dhe madje fitoi festivalin. Por shijet janë tërësisht personale, siç thotë Rona dhe pas përfundimit të festivalit, dëgjuesit shqiptarë janë ndarë më dysh, disa e pëlqejnë shumë, të tjerë nuk e pëlqejnë. Duke parë forumet e huaja apo faqet që ndjekin ecurinë e Festivalit Europian, sheh se komentet janë në më të shumtën e herëve pozitive. Megjithatë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, kënga me muzikë të Florent Boshnjakut dhe tekst të vetë Nishliut është përfaqësuesja e Shqipërisë. Rona Nishliu, e lindur në Mitrovicë, është e para këngëtare kosovare që fiton Festivalin e Këngës në Shqipëri, një detaj ky që nuk u ka shpëtuar as të huajve, të cilët ngrenë pyetjen se si vallë do ta presin serbët pjesëmarrjen e saj në Eurosong (www.eurofestival.ws). Festivali Europian do të zhvillohet si për vit në muajin maj dhe kësaj here në Baku të Azerbajxhanit. Kanë nisur përgatitjet për ta sjellë këngën në formatin që kërkon Eurosongu, sa i përket gjatësisë, bazës muzikore etj. Mësohet se kënga do të punohet në një studio prestigjioze amerikane. Me shumë gjasë ajo do të këndohet e gjitha në shqip. Ndërkohë, Ronës i duhet të marrë edhe shtetësinë shqiptare, që të mund të përfaqësojë Shqipërinë, për të cilën tashmë kanë nisur procedurat. Në një intervistë të shkurtër për “Panoramën”, Rona ndan emocionin e saj të përmbajtur pas fitores.
Rona, ç’ndjesi ju jep çmimi i parë në një festival mbarëkombëtar?
Është një ndjenjë speciale dhe emocion i papërshkrueshëm. Jam e lumtur dhe në të njëjtën kohë krenare.
Për herë të parë festivalin e fiton një këngëtare nga Kosova, jua bën kjo fitoren më të rëndësishme, apo kjo nuk ka asnjë rëndësi, përderisa ju përfaqësoni veten tuaj?
Në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar u vlerësova me çmimin e parë. Pa dyshim që rëndësia e këtij çmimi më jep përgjegjësi edhe më të madhe, pasi që tani nuk do të përfaqësoj vetëm veten dhe bashkëpunëtorin, por gjithë kombin.
Kënga juaj nuk ishte aspak e lehtë, nuk mund të thuash as që ishte një këngë popullore, por publiku ju priti mjaft mirë, cila mendoni se qe arsyeja, vokali, mesazhi i këngës…?
Gjatë performancës sime dhashë maksimumin dhe lashë shpirtin në skenë. Mbase kjo edhe u kuptua menjëherë, derisa duartrokitjet vazhdonin kohë pas kohe gjatë interpretimit tim. U emocionova.
Mendoni se publiku gjeti veten tek eksperienca juaj personale…?
Më vjen keq që ende nuk arrihet të kuptohet mesazhi i këngës. “Suus” u krijua për të dhënë shpresë, se ekziston ende një fije shprese. Vlerësimi i “Suus” forcon mesazhin e saj.
Kjo këngë do të na përfaqësojë ne Eurosong, nuk mendoni se është pak larg formatit të këtij festivali, ku preferohen këngë më të lehta, më ritmike…?
Në mënyrë absolute shija është gjë shumë relative.
Cila do jetë rruga e këngës tanimë, keni pasur një mbledhje me drejtuesit e RTSH-së për ripunimin e saj…
Jemi në fazën e punës për versionin final të këngës. Për detaje rreth fazave të tjera, do t’ju informoj me kohë.
Si ju pritën në Kosovë kur u kthyet?
Pata një pritje madhështore. Urimet dhe përgëzimet nuk ndalen as sot. Falënderoj të gjithë që me vëmendjen e tyre më inspirojnë që të punoj edhe më shumë.
Një nga sitet që ndjek Eurosongun, përcjell atmosferën postfestival në Shqipëri
“Tek Rona besojnë të gjithë”
Disa ditë më parë, Shqipëria shpalli përfaqësuesen e saj në Festivalin Europian, që këtë vit zhvillohet në Baku, Azerbajxhan. Këngëtarja Rona Nishliu, që fitoi edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës dhe biletën e “artë” për në Baku, është pritur mjaft mirë nga profesionistët e muzikës dhe nga mediat shqiptare. Momentalisht Rona po punon për versionin final të këngës së saj të titulluar “Suus”, që do të shkojë në Eurovizion. Vitet e fundit, shqiptarët nuk kanë qenë edhe aq të kënaqur me këngët që kanë fituar festivalin kombëtar të këngës.
Edicioni i 50-të i Festivalit të Këngës ka shënuar një sukses për industrinë muzikore shqiptare këtë vit. Shumë emra të mëdhenj këngëtarësh, kompozitorësh, poetësh u kthyen të merrnin pjesë në këtë edicion jubile të një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në Shqipëri. Edicioni i 50-të u zhvillua tërësisht live, pas një kohe të gjatë, shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, çka ka sjellë me reagime mjaft pozitive nga të gjithë.
Duket se shqiptarët janë të kënaqur me këngën fituese “Suus”, që triumfoi në Festivalin e Këngës 2011, interpretuar nga një këngëtare e njohur, Rona Nishliu. Ky ishte një nga ato edicione, kur publiku dhe juria ndanë të njëjtën shije dhe vendim. Performanca profesionale e Ronës në Festivalin e Këngës gjithashtu është vlerësuar nga shumë kompozitorë të njohur, producentë dhe artistë në Shqipëri. Ata të gjithë besojnë në talentin e Ronës dhe janë të kënaqur të dërgojnë një artiste të mirë në Baku.
Tanimë Rona Nishliu është duke punuar me këngën e saj, e cila nuk duhet të zgjasë më shumë se 3 minuta. Në një intervistë dhënë për mediat shqiptare, Rona ka theksuar se do të donte ta këndonte këngën në gjuhën shqipe në Eurovizion, por nuk e përjashton edhe të kënduarit në anglisht.
Rona Nishliu fitoi gjithashtu çmimin si “Interpretuesja më e mirë”, votën e jurisë në festivalin kombëtar të këngës dhe nderin për të përfaqësuar vendin e shqiponjave në Eurovision Song Contest në Baku 2012.
(esctoday.com)
ALMA MILE
© Panorama.al












