Një orë kaos e tension, mbyllet seanca plenare! Deputetët e PD bllokuan karriget e ministrave, maxhoranca kaloi rendin e ditës për votim

Dec 18, 2025 | 11:10

Ka zgjatur një orë seanca e sotme plenare, e fundit për këtë vit. Gjatë kësaj ore, seanca u shoqërua me tensione dhe kaos, teksa deputetët e Partisë Demokratike zunë vendet e ministrave socialistë, u përplasën me Gardën ndërsa disa hodhën flakadanë, kartona dhe ujë.

kaosi ne kuvend

Demokratët kërkuan në sallë zëvendës kryeministren Belinda Balluku, e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, dhe për të cilin SPAK ka kërkuar autorizim për arrestim.

Në sallë kishin vendosur edhe disa pankarta kundër saj. Klevis Balliu dhe Flamur Noka u përjashtuan nga seanca për shkak të tensioneve.

Endri Shabani, i zgjedhur Avokat Populli me firmat e demokratëve dhe me votat e socialistëve, u betua mes kaosit, ndërsa teksa po largohej nga salla i përshëndeti deputetët me një puthje.

Kreu i grupit socialist, Taulant Balla ironizoi deputetët demokratë, teksa tha se shpreson që mbështetësit e tyre të motivohen nga kjo sjellje dhe t’i bashkohen në protestën e thirrur të hënën.

“Në vlerësim të kësaj pamje të paralajmëruar me shpresën se do motivohen mbështetësit e PD për të shkuar nga 300 në 400 protestues dhe në respekt të procedurës në pamundësi për të zhvilluar diskutimet kemi pasur sot në axhendë plot çështje të rëndësishme duket se opozita nuk do të zhvillojë seancën, ju lutem kalojmë menjëherë propozimin tim për të kaluar menjëherë në votim.”, tha ai dhe rendi i ditës kaloi për votim.

Sinjali u shkëput për mediat pasi fibra e transmetimit është përfshirë nga zjarri. Mes përplasjeve, seanca u mbyll shpejt.

 

 

© Panorama.al

Te lidhura