DRITAN NELAJ
Reformimi i financimit të arsimit të lartë përbën një prej nismave më delikate, por edhe më të guximshme të një shoqërie. Një përpjekje e tillë duket se ka nisur edhe te ne. Drafti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që prezantonte në terma të përgjithshëm disa prej kolonave kryesore të reformës, shtron një rrafsh të përshtatshëm për një debat të gjerë sa profesional, edhe politik. Politik në planin e diskutimeve me grupet e interesit dhe përfituesit e sistemit, të cilët si kudo përpiqen të ruajnë dhe mbrojnë pozicionin e tyre brenda sektorit të arsimit të lartë. Duke mos dashur të analizoj në hollësi draftin fillestar të qeverisë, ky shkrim merr përsipër prezantimin e disa prej shtyllave kryesore që do të udhëhiqnin një reformë bashkëkohore të financimit të arsimit të lartë. Kësisoj, sfida kryesore për sistemet e arsimit të lartë është ruajtja e cilësisë dhe rritja e aksesit në përfitimin e shërbimit arsimor. Dihet gjerësisht se një nga rreziqet që kërcënon përmbushjen e këtyre dy prioriteteve është financimi i pamjaftueshëm i sektorit. Financimi i bollshëm i nevojave të sektorit të arsimit të lartë nuk mund të sigurohet vetëm nga burimet e buxhetit të shtetit. Kështu lind nevoja e ndarjes së kostos midis shoqërisë, e cila financon arsimin e lartë nëpërmjet taksave dhe individit, i cili përfiton drejtpërdrejt nga ky shërbim. Nisur nga përfundimet e një sërë studimesh që vërtetojnë se të ardhurat mesatare të një qytetari i cili ka përfituar nga arsimi i lartë janë dukshëm më të larta se ato të një qytetari që nuk ka përfituar nga kjo mundësi në shumë vende të zhvilluara, është rënë dakord që kostot e arsimit të lartë të ndahen midis shoqërisë dhe studentit. Ndarja e kostove është gjithashtu e nevojshme për arsye fiskale, për shkak të kostos mjaft të lartë që paraqet masivizimi i arsimit të lartë dhe nevojës për të drejtpeshuar trysnitë konkurruese fiskale, sikundër është sistemi shëndetësor apo politika të tjera sociale. Për më tepër, ndarja e kostove ndihmon parimin e barazisë, duke korrigjuar defekte të tilla të sistemit, sikundër është rasti i subvencionimit të shkollimit të qytetarëve të pasur nga qytetarë më të varfër, të cilët kontribuojnë në buxhetin e shtetit. Zakonisht debati në këtë pikë përqendrohet në atë se a duhet marrë në konsideratë gjendja financiare e individit dhe familjes së tij në periudhën kur aksesohet arsimi i lartë, apo duhen konsideruar të ardhurat që do të sigurojë individi pas diplomimit, të cilat, siç u theksua më lart, janë zakonisht të mëdha sesa përpara diplomimit. Qasja e parë sugjeron mbështetjen financiare të studentëve, të cilët jetojnë në një familje të varfër, edhe pse në të ardhmen, pas diplomimit, individi në fjalë mund të pasurohet. Ndërsa qasja e dytë sugjeron financimin bazuar në kredi studimi, të cilat shlyhen pas diplomimit, në varësi të nivelit të të ardhurave që përfiton i diplomuari, si pasojë e veprimtarisë në tregun e punës. Qeveri të vendeve të ndryshme e kanë zgjidhur dilemën, duke i gërshetuar qasjet e mësipërme nëpërmjet një modeli financimi, që bazohet në bursa dhe kredi studentore. Ekspertë të arsimit të lartë sugjerojnë që skema e kredive studentore të mbulohet tërësisht nga sistemi bankar, ndërsa ai i bursave të studimit të mbulohet nga buxheti i shtetit. Në të kundërt, ekspertë të tjerë argumentojnë se, nëse shtylla kryesore e financimit do të bazohej te kredidhënia bankare, atëherë sektori i arsimit të lartë do të vuante nga mungesa e financimit, pasi kreditimi i kapitalit njerëzor është mjaft i ndryshëm nga kreditimi për konsum, blerje banese apo biznes. Kësisoj, vështirësitë hasen njëherazi si në planin e kërkesës, ashtu edhe në atë të ofertës. Në planin e kërkesës argumentohet se mund të ndodhë që të ardhurat e studentit pas diplomimit të jenë të vogla, ndërsa kësti i kredisë i lartë, duke e bërë kështu të vështirë shlyerjen e kredisë.
Oferta e kredidhënies përballet gjithashtu me pasiguri. Banka e ka të vështirë të parashikojë suksesin financiar të një studenti pas diplomimit. Në mënyrë që bankat të mbrohen nga risku, ato priren të financojnë vetëm ata aplikantë, prindërit e të cilëve kanë një pronë të paluajtshme dhe vendosin ta përdorin si garanci për huamarrje. Një zgjidhje e tillë do të përjashtonte nga mbështetja financiare grupe të tëra aplikantësh, të cilët nuk mund ta plotësojnë këtë kusht. Për rrjedhojë, gjykohet se kreditë bankare çojnë drejt pamjaftueshmërisë së huamarrjes dhe huadhënies në rastin e financimit të studimeve dhe kostove së jetesës së studentit. Kësisoj, arsyetohet se nëse formula e financimit të arsimit të lartë do të mbështetej në kreditimin bankar, atëherë sektori do të vuante nga mungesa e financimit dhe rrjedhimisht, aksesi në studimet universitare i një pjese të qytetarëve do të bëhej i vështirë. Ky rrezik përbën arsyen kryesore se përse qeveritë e vendeve të zhvilluara ndërhyjnë nëpërmjet skemës shtetërore të kredive studentore dhe bursave. Sistemi i kredive studentore transferon kostot kryesore të arsimit të lartë nga taksapaguesit te të diplomuarit, të cilët pritet që të kenë një nivel të ardhurash përgjatë jetës, më të lartë se në rastin e mosfrekuentimit të arsimit të lartë. Një skemë e tillë, e kombinuar edhe me një program bursash, transferon burimet financiare nga më të pasurit (të cilët humbasin subvencionimin e tarifës, sikurse ndodh sot në universitetet shtetërore) te të varfrit e sotëm (të cilët përfitojnë bursë) dhe te të varfrit e nesërm, të cilët nuk do të duhej të shlyenin plotësisht kredinë studentore, në rast të pamjaftueshmërisë të të ardhurave. Skema propozon që të talentuarit dhe ato grupe të margjinalizuara, të cilat nuk priren për të marrë pjesë në arsimin e lartë, të trajtohen me bursë, ndërsa pjesa dërrmuese e studentëve trajtohen me kredi studentore. Ekonomistët e arsimit të lartë bien dakord që skema e kredisë studentore, e financuar nga qeveria, duhet të përmbushë tri karakteristika kryesore. Skema e shlyerjes së kredisë duhet të bazohet në të ardhurat e të diplomuarit. Së dyti, shkalla e interesit të kredisë studentore duhet të jetë e arsyeshme, në mënyrë që të nxisë kredimarrjen, por edhe të garantojë qëndrueshmërinë e skemës nga aspekti financiar. Së treti, kredia studentore duhet të mbulojë tarifën e studimit dhe shpenzimet e jetesës. Gjykohet se, nëse kredia nuk mbulon shpenzimet e jetesës, atëherë skema nuk do të rezultonte tërheqëse për një pjesë të individëve, të cilët zotërojnë të dhënat akademike dhe dëshirën për të studiuar, por hasin vështirësi financiare në mbulimin e kostos së jetesës.
Në vazhdim, një skemë moderne e financimit të arsimit të lartë do të duhej që të nxiste modernizimin e qeverisjes dhe menaxhimit të universiteteve publike. Në rast se skema do të vendoste universitetet në rrethanat e tregut, atëherë qeverisja dhe menaxhimi i universiteteve publike do të duhej të pësonte ndryshime thelbësore, në të kundërt këto institucione do ta kishin të vështirë mbijetesën. Instalimi i konkurrencës midis sektorit publik dhe privat kërkon disa parakushte. Së pari, universitetet duhet të ofrojnë informacion të bollshëm dhe të besueshëm lidhur me ofertën e tyre, në mënyrë që studenti të mund të realizojë një zgjedhje të informuar teksa zgjedh universitetin. Së dyti, universitetet publike duhet të jenë të lira në përcaktimin e tarifës së studimit, sikurse ndodh në universitetin privat. Së treti, universiteti publik duhet të ketë liri në përcaktimin e kuotave të studimit. Dhe së katërti, universiteti publik duhet të lejojë përdorimin pa pengesa të burimeve njerëzore dhe financiare në dispozicion.
*Mphil në Arsimin e Lartë











