“Riformatimi i qeverisë, klonim i Lubi Ballukut” – Berisha: Ministrat e rinj kanë firmat e tyre në aferat më të mëdha korruptive

Mar 6, 2026 | 12:49

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi ceremoninë e sotme të betimit të ministrave të rinj para Presidentit si më qesharaken e 35 viteve të fundit.

Në konferencën e sotme për mediat, kreu i PD-së theksoi se riformatimi i qeverisë nga kryeministri Rama është një “klonim” nga Belinda Balluku, pas shkarkimit të kësaj të fundit nga posti i zv kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kryedemokrati shtoi se betimi i këtyre ministrave të rinj, që sipas tij kanë firmat në aferat më të mëdha korruptive, tregon se krimi qeveritar është në vazhdim. Ai shtoi se “ky akt e bën të domosdoshëm largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti”. 

“Sot në presidencë u zhvillua ceremonia më qesharake, më komike, më banale e 35 viteve të fundit. Riformatimi i qeverisë me klonimin, të klonuar nga Lubi Balluku shënon krimin permanent, në vazhdim. Shënon përpjekjen për t’u trashëguar nëpërmjet krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Të gjithë të emëruarit pa përjashtim janë të lidhur me 1 mijë fije me korrupsionin më të lartë qeveritar, kanë firmat e tyre e mëdha korruptive të vendit, në fushën e infrastrukturës, në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera. Sot, më shumë se kurrë, Bajrami i Presidencës u bë Haram i Presidencës me firmat që vendosi, me mungesën totale të guximit për t’i hedhur poshtë propozimet, ai u bë pjesë e një krimi permanent, të vazhdueshëm.

Ndaj dhe ky akt e bën të domosdoshëm largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti, dorëheqjen e tij. Dhe të heqë dorë nga çdo lloj manovre për të zgjatur ditët e tij në pushtetin e krimit. Asgjë nuk e shpëton atë.“, theksoi Berisha.

Sipas Berishës, Rama nuk do të mund t’i shpëtojë krimeve që ka kryer, dhe se do të përballet me ligjin. Ai bëri edhe njëherë thirrje për të marrë pjesë në protestën e radhë, së caktuar më 12 mars, për të rrëzuar qeverinë.

Koha e diktatorëve po perëndon në nivel global. Shqiptarët do i japin përgjigjen e merituar. Me asgjë Edi Rama nuk mundet t’i shpëtojë krimeve të rënda që ka kryer, grushteve të shtetit që tentoi të realizojë, mburojës ligjore që kërkon t’i vendosë vetes për të dalë jashtë përgjegjësisë para ligjit. Përpjekjes së tij për të shpallur vjedhjet legjitime për qeveritarët.

Të gjitha këto janë ftesë për shqiptarët. Protesta e tyre, kryengritja ne tyre paqësore është shpresa e fundit e shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Edi Rama. Kohërat janë kritike. Në këtë kohë, ai fakton se është i aftë të bëjë gjithçka në shkelmim të interesit kombëtar të shqiptarëve.

Veçanërisht në këtë kontekst, letra e hapur që firmosi së bashku me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç, me të cilin, shqiptarëve që u premtoi pasaportën, u garanton pasaportën serbe, meriton të ndëshkohet me të gjitha format si tradhti e lartë kombëtare. Data 12 është data e kryengritësve paqësorë shqiptarë, në të cilën ata do mblidhen para parlamentit për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës. Kryengritja paqësore e qytetarëve shqiptarë ka synim madhor shpëtimin e shqiptarëve nga ky regjim dhe rikthimin e votës së lirë tek ata.”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura