ILIR KALEMAJ
Një nga “thembrat e Akilit” të njohjes dhe vlerësimit të vlerave dhe kontributeve të një vendi të caktuar në arenën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet bilaterale apo shumëpalëshe, luhet pa dyshim nga diplomacia dhe diplomatët e atij vendi, të cilët përcaktojnë dhe kursin e përgjithshëm të politikës së jashtme në përputhje me madhësinë, kushtet gjeostrategjike, rezervat natyrore dhe dinamizmin tregtar që paraqet ai vend. Diplomatët e parë apo të dërguarit e posaçëm datojnë që herët ku nga perandorët e Romës deri të dërguarit e Perandorisë Mongole, e me radhë niseshin me misione të veçanta në vende të largëta si Kinë apo Indi, ku udhëtimi shpesh donte vite të kryhej dhe vështirësitë të panumërta. Gjithsesi, prej kësaj kohe kemi dhe parimin e moscenimit të të dërguarit diplomatik, parim i cili përbën dhe sot një nga shtyllat e misioneve permanente nën konceptin e imunitetit diplomatik. Përsa i takon kësaj pike të fundit, pra vendqëndrimit permanent të një të dërguari që sot i referohemi me titullin ambasador, konsull, apo i ngarkuar me punë, kjo e ka zanafillën fillimisht te marrëdhënia ndërmjet Papës dhe perandorit bizantin ku agjentët papalë quheshin apocrisiarii dhe qëndronin në mënyrë të vazhdueshme në Kostandinopojë.
Ndërsa origjina moderne e diplomacisë së qëndrueshme dhe të vazhdueshme vjen nga Rilindja e hershme, me ambasadat e para të vendosura në qytet-shtetet italiane në fillim të shekullit të 13-të. Qytet-shteti i Milanit nën Francesko Sforcën ka luajtur një rol prominent në këtë drejtim. Gjithashtu, në këtë periudhë zë fill tradita e prezantimit të kredencialeve kryetarit të shtetit mikpritës dhe të tjera dokeve dhe kanuneve të diplomacisë moderne. Ishte pikërisht Milani ai që dërgoi dhe një përfaqësues të përhershëm në Francë në 1455-n. Përsa i takon terminologjisë, ishte Edmund Burke, parlamentari britanik që në fund të shekullit të 18-të përdori fillimisht termin “diplomaci”, pra rreth tre shekuj më vonë, ndërsa ishte një kardinali Risheljë që e bëri më herët tërheqës si veprimtari të vazhdueshme dhe të qëndrueshme nën termin negociation continuelle (negociata të vazhdueshme) ai i cili i dha atributet e rëndësishme për të cilat njihet edhe sot.
Ndërkohë, koncepti praktik i diplomacisë ka ndryshuar në fizionomi dhe substancë. Ndërsa një nga qëllimet primare të diplomacisë ka qenë ndalimi i luftërave dhe stimulimi i paqes nëpërmjet krijimit të balancave dhe aleancave strategjike, duket se gjithnjë e më tepër po prevalojnë dhe forma të reja diplomacie, si diplomacia kulturore, ajo publike, ekonomike dhe me radhë. Duke qenë se “fuqia e butë” po mbizotëron gjithnjë e më tepër në sendërtimin e marrëdhënieve mes shtetesh dhe kufizimet e natyrës ushtarake limitojnë fushëveprimin e shumicës së shteteve, fokus gjithnjë e më i madh u është dhënë mekanizmave, të cilat synojnë të rrisin fuqinë e shteteve të caktuara në vendimmarrje të përbashkëta ose që prekin direkt apo indirekt interesa kombëtare nëpërmjet rritjes së ndikimit të këtyre shteteve që përfaqësojnë shumicën absolute të vendeve të botës.
Diplomacia ekonomike-pragmatiste, e cila ka zëvendësuar boshtin më substancial të pasjes së një filozofie të qartë dhe që përputhet me rritjen e fuqisë absolute si indikator suksesi, duket se po zëvendëson atë tradicionale realiste apo idealiste në marrëdhëniet mes shteteve. Një qasje herë liberale-institucionaliste dhe herë sinkretike, sipas rastit, është kthyer tashmë në modë dhe ndiqet nga një sërë vendesh që shohin te rritja e shkëmbimeve tregtare apo ofrimin e resurseve të tyre kombëtare, armën më të fortë që mund të sigurojë edhe pozitën e tyre gjeostrategjike, duke përcaktuar edhe vendin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare
Në Shqipëri, që pas 2005-s duket se orientimi i diplomacisë shqiptare do të ishte kah asaj ekonomike, e kombinuar kjo, natyrisht, me atë kulturore (që njihet ndryshe edhe si diplomacia publike), por shumë pak, për mos të thënë aspak është bërë në këtë drejtim dhe edhe sot mungojnë qasjet vizionare që do mund të garantonin një qasje më pragmatike të politikës sonë së jashtme. Rreth një vit më parë, diplomati i karrierës, z. Zef Mazi, pasi përmendte arritjet e diplomacisë shqiptare të kohëve të fundit që kulminuan me pavarësinë e Kosovës apo futjen në NATO, bënte thirrje për nevojshmërinë e një riorientimi të politikës së jashtme shqiptare për t‘u përshtatur me problematikat dhe sfidat e reja. Ndonëse i saktë në thelb, artikulli gjithsesi nuk specifikonte se kush duhet të ishte ky orientim i ri apo në ç‘kah duhet të shkonte. Një ridimensionim i rolit dhe objektivave të diplomacisë shqiptare për t‘u bërë ballë sfidave të reja që gjithmonë e më tepër do të kenë natyrë ekonomike në vorbullën e një globalizimi përherë e më dinamik, është sa i mirëpritur, aq edhe i domosdoshëm. Për të mundësuar këtë rifokusim dhe evolucion të natyrshëm duhet të ketë një debat konstruktiv, profesional dhe përfshirje të aktorëve shoqërorë të interesuar, për të agreguar më pas idetë dhe dalë me një sintezë të përgjithshme që do jetë edhe boshti filozofik i qasjes së re. Ky është nja parakusht i nevojshëm që të arrihet koherencë e mëpasshme në qëndrimin e trupit tonë diplomatik dhe ku edhe mediokriteti individual (që shpesh vjen edhe si rrjedhojë e ndryshimeve mbi baza militanto-partiake), të mos dëmtojnë infrastrukturën e përgjithshme dhe unitetin e qëndrimit dhe veprimit diplomatik të shtetit shqiptar.











