Nëse ky fenomen do jetë masiv në qindra nxënës, ata bashkë me drejtuesit e shkollave do të lënë vendin e punës. Ministria e Arsimit paralajmëron për penalizime të forta. Nisur nga eksperiencat e viteve të kaluara, ku shkolla në rrethe të vogla dolën me rezultate shumë herë më të larta se gjimnazet e Tiranës, procesi i maturës shtetërore do të jetë një lloj vlerësimi edhe për arsimtarët. Sipas drejtorit të Burimeve Njerëzore e Koordinimit në MASH, Isuf Neli, masat synojnë që t’u garantojnë maturantëve se procesi do të jetë standard dhe i barabartë në të gjithë vendin. “Procesi i maturës shtetërore është një proces i natyrshëm, i pashkëputur nga pjesa tjetër e viteve të shkollimit dhe të gjithë maturantët duhet ta konsiderojnë si të tillë. E them këtë pasi shohim se janë rreth 40 mijë gjimnazistë në ankth për provimet. Do doja të theksoja që Ministria e Arsimit ka forcuar masat në atë pikë që vlerësimi për ta të jetë me të njëjtat standarde, pavarësisht shkollës ku përfundojnë studimet”, shprehet Neli. Sipas tij, në këtë kontekst, për të evituar abuzime të mundshme do të ketë monitorim dhe kontroll për administratorët e provimeve, por edhe për të gjithë mësuesit që do të bëhen pjesë e këtij procesi. “Ka pasur raste më parë kur në një shkollë të caktuar, rezultatet e maturantëve kanë dalë shumë më të larta se niveli real dhe kjo për shkak të rrjedhjeve të mundshme të informacionit. Për këtë janë marrë masa dhe penalizime deri në nivel drejtuesish. Po kështu e kundërta. Rezultatet e maturantëve në vitet e gjimnazit kanë qenë shumë të larta, por ndërkohë në provimet e maturës, ata janë paraqitur shumë dobët. Në këtë pikë, përgjegjësi madhore kanë mësuesit”, sqaron drejtori i burimeve njerëzore.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në MASH shton se duke qenë se niveli i kontrollit dhe vlerësimit të testeve është forcuar maksimalisht, atje ku do të vërehen probleme të tilla, mësuesit duhet të lënë vendin e punës. “Matura shtetërore do të jetë vlerësim i jashtëm për të gjitha shkollat. Nëse rezultatet e shkollës në maturë do të jenë të dobëta dhe të ndryshme nga sa është raportuar, do të thotë se mësuesit nuk e kanë bërë siç duhet punën e tyre. “Dua të theksoj që këtu flasim për fenomene masive”, thotë Neli. Po kështu, ai sqaron edhe procedurën që do të ndiqet për kryerjen e ankimimeve nga nxënësit. “Maturantët do kenë të drejtë të kërkojnë testet e tyre dhe të bëjnë ankesat për pakënaqësitë që kanë. Por nëse më parë nxënësit kishin të drejtën të ankoheshin pas çdo provimi, tani ata mund ta kryejnë këtë procedurë, pasi të kenë përfunduar të tre provimet”, sqaron drejtori i Burimeve Njerëzore në MASH. Ai sqaron se ndryshimi është bërë për të ulur fluksin e ankimimeve, një pjesë e të cilave të pabaza. “Në fakt, krahasuar me vitet e mëparshme, numri i ankesave vitin e shkuar ka qenë goxha herë më i ulët. Është vendosur që një maturant të ankohet pasi të ketë marrë notat e të 3 provimeve. Kjo masë është ndërmarrë në mënyrë që maturanti të jetë i qartë për rezultatet dhe të analizojë nëse janë reale diferencat mes notës në këto lëndë që ai ka marrë në gjimnaz dhe notave të provimeve”, thotë Neli. Ai shton se këtë vit janë shtuar edhe dy qendra të tjera për vlerësimin e testeve. Procesi do të jetë transparent dhe i kontrolluar mirë, që nga momenti i shpërndarjes së testeve në shkolla, dhënia e provimeve e deri në vlerësimin e tyre.
Kur nuk njihet rezultati i provimit
Sipas MASH-it, mosnjohja e rezultatit të provimit, mund të ndodhë edhe gjatë procesit të vlerësimit të testeve. “Nëse një maturant përdor laps ose stilolapsa me ngjyra të ndryshme në plotësimin e testeve, dëmton kodin, dëmton testin, atëherë testi konsiderohet i pavlefshëm”, thuhet në manual. Po kështu, sipas tij, në rast se komisioni i vlerësimit vërteton kopjen, qoftë edhe të pjesshme me një test tjetër apo më shumë, të gjitha këto teste konsiderohen të pavlefshme dhe rezultati nuk njihet. Për të rritur saktësinë e vlerësimit të testeve janë marrë masa që çdo përgjigje testi, t’i nënshtrohet vlerësimit të dyfishtë. Testet kodifikohen dhe shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 10 ditë, pas çdo provimi të maturës. Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar, nuk duhet të dalin nga klasa. Maturantët nuk hyjnë në provim, nëse nuk janë në listat e AVA-s, apo nëse nuk kanë mjet identifikimi. Ata gjithashtu nuk do të lejohen të nisin testimin, në rast se kanë telefon celular me vete, apo nëse nuk kanë mjet identifikimi.
Ja datat e 4 provimeve
I gjithë procesi i Maturës do të mbyllet brenda datës 30 qershor. Në këtë datë, maturantët do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Dy provimet e detyruara do të jepen përkatësisht më 1 dhe 15 qershor. Nga sa bën me dije MASH-i, formulari A2, ku zgjidhen 10 preferencat për në shkollat e larta, plotësohet deri në 30 korrik. “Kjo masë është ndërmarrë, në mënyrë që kandidatët për në shkollat e larta, të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve, përpara se të aplikojnë për në universitet. Vetëm duke ditur notat e 4 provimeve, ata do kenë një ide të qartë se sa pikë grumbullojnë dhe ku kanë shanse për të fituar”, sqarojnë specialistët e ministrisë.
Konsultimet me grafik
Për lëndët e provimeve të detyruara, konsultimet do të zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje, mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës, duke marrë për bazë të dhënat e formularit A1. Një javë përpara secilit testim, do të zhvillohen mesatarisht 5 orë konsultime në letërsi, 8 orë konsultime në matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje. “Përgjigjet do të jepen brenda një harku kohor prej 10 ditësh për secilin provim”, sqarojnë specialistët e MASH-it. Sipas tyre, për të plotësuar formularin A2, kandidatët do të kenë afat deri në 30 korrik
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











