Reuters: G7 dhe BE shqyrtojnë ndalimin e plotë të eksporteve të naftës ruse nga transporti detar

Dec 5, 2025 | 17:54

Shtetet e G7 dhe Bashkimi Europian po zhvillojnë diskutime për një ndalim të plotë të shërbimeve detare që lidhen me transportin e naftës ruse, si pjesë e përpjekjeve për të ulur të ardhurat që Moska përdor për të financuar luftën në Ukrainë. Lajmi raportohet nga Reuters, duke iu referuar gjashtë burimeve diplomatike dhe teknike.

petrelaio-rusia

Sipas të dhënave, mbi një e treta e eksporteve të naftës ruse dërgohet me anë të cisternave perëndimore – kryesisht drejt Indisë dhe Kinës – duke përdorur shërbime detare të vendeve të G7 dhe BE-së. Pjesa tjetër transportohet nga i ashtuquajturi “flota hije”, një rrjet me qindra anije që operojnë jashtë monitorimit perëndimor.

Nëse G7 dhe BE vendosin ndalimin e ri, Rusia do të detyrohej të zgjerojë më tej këtë flotë joformale.

Masa e re pritet të përfshihet në paketën e sanksioneve të BE-së për vitin 2026

Tre nga gjashtë burimet e cituara thonë se ndalimi i shërbimeve detare mund të futet në paketën e ardhshme të sanksioneve të BE-së, e cila pritet të prezantohet në fillim të vitit 2026. Dy burime të tjera saktësojnë se BE-ja synon t’i koordinojë masat me G7 përpara se ato të formalizohen.

Zyrtarë britanikë dhe amerikanë po e shtyjnë përpara opsionin e ndalimit në diskutimet teknike brenda G7, ndërsa çdo vendim përfundimtar nga SHBA do të varet nga qëndrimi i administratës së Presidentit Trump, në një kohë kur Uashingtoni po ndërmjetëson bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

Nga çmim-tavan tek ndalim total

Që prej vitit 2022, G7 vendosi çmim-tavan për naftën ruse, duke lejuar vendet e treta të përdornin shërbime perëndimore vetëm nëse paguanin poshtë këtij limiti. Ndërkohë, G7 dhe BE pothuajse e kanë ndërprerë tërësisht importin e naftës ruse, por masa e re do të ishte hapi më i afërt drejt një bllokade totale – jo vetëm të importit, por edhe të shërbimeve detare dhe transportit.

Për të anashkaluar çmim-tavanin, Rusia ka shtuar përdorimin e anijeve të veta, shpesh të vjetruara, pa sigurim perëndimor dhe me pronësi të paqartë.

Qëndrimet e SHBA-së

Administrata e ish-presidentit Joe Biden ka argumentuar se sa më shumë të shpenzojë Rusia për anije dhe logjistikë, aq më pak para i mbeten për luftën në Ukrainë. Por administrata Trump ka qenë më skeptike për çmim-tavanin, duke refuzuar të bashkohej me Britaninë, BE-në dhe Kanadanë në vendimin e shtatorit 2025 për ta ulur kufirin nga 60 dollarë në 47,6 dollarë për fuçi.

© Panorama.al

Te lidhura