Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë shembjen e një rruge në Pogradec, bllokohen disa fshatra

Jan 7, 2026 | 12:33

Reshjet e shiut kanë shkaktuar problematika të mëdha në Pogradec. Raportohet për rrëshqitje të mëdha në rrugën që lidh qendrën e Njësisë Dardhas me aksion nacional, duke bllokuar disa fshatra.

Ilir Xhakolli, kryetari i bashkisë së Pogradecit, theksoi se grupet e emergjencave janë shpërndarë në terren, ndërsa shtoi se po punohet për të bërë të mundur hapjen e aksit të bllokuar. Ai shtoi se problematikat më të mëdha vijnë nga dy lumenjtë.

“Ka që mbrëmë që rreshjet kanë qenë të dendura në Pogradec dhe patjetër që kanë krijuar probleme. Grupi i emergjencave ka qenë në terren. Edhe sot kemi bërë takim në bashki dhe janë shpërndarë në të gjithë bashkinë. Dëme më të mëdha kanë dy lumenjtë, por edhe ai i qytetit ka probleme të mëdha, pra të tre lumenjtë kanë probleme siç ishin edhe herën e parë, në Rrëmenj, Vërdovë dhe lumin e qytetit.

Këtu ndodhemi në Beragozhdë ku është shembur një pjesë e rrugës, unë jam edhe vetë këtu për të drejtuar punimet dhe për të hapur aksin rrugor që tju vijë në ndihmë banorëve. Kjo është një emergjencë por më tej do të bëhet një rrugë më e rregullt. Meqë koha po hapet, pas 3-4 orësh qetësohet situata, mirë po parashikimet janë që dhe pasdite të fillojnë rreshjet dhe të gjitha mjetet janë në gatishmëri.” u shpreh ai.

Më herët, u raportua se dy lumenjtë Starovë dhe Vërdovë, për shkak të prurjeve të mëdha, rrezikojnë të dalin nga shtrati dhe të përmbytin banesa.

© Panorama.al

Te lidhura