Renditja e FIFA-s, Shqipëria humb katër vende për nëntorin

Nov 23, 2011 | 13:25

Vazhdon rënia e lirë e kombëtares kuqezi në renditjen përkatëse mujore, që publikon FIFA. Për muajin nëntor, krahasuar me një muaj më parë, pra tetorin, Shqipëria ka zbritur katër vende, duke e parë veten e 75-ta (në tetor ishte në vendin e 71-të). Mesa duket, humbja 1-0 në ndeshjen miqësore me Azerbajxhanin në Tiranë dhe barazimi i bardhë 0-0 me Maqedoninë, në Prilep, kanë kondicionuar edhe këtë rezultat negativ klasifikues të kombëtares sonë. Tri skuadrat, që janë të parat në këtë lloj klasifikimi mujor, Spanja, kampionia e botës dhe e Europës në fuqi, Holanda dhe Gjermania, kanë ruajtur vendet dhe pikët që kishin muajin e shkuar, pa bërë asnjë ndryshim.
Nëse i referohemi një klasifikimi “ekstra”, të bërë vetë për Grupin E kualifikues të Botërorit 2014, ku bën pjesë edhe Shqipëria, prin Zvicra, në vendin e 17-të, me 898 pikë (+1 vend nga muaji tetor), pastaj vjen Norvegjia, në vendin e 25-të, me 788 pikë (-1 vend nga muaji tetor), më tej Sllovenia, në vendin e 26-të, në kuotën e 780 pikëve (+1 vend më lart për muajin nëntor). Shqipëria renditet e katërta, ose në vendin e 75-të, sipas FIFA-s, me 450 pikë (-4 vende nga tetori), pas saj vjen Islanda, në vendin e 104-t, me 325 pikë (+4 vende nga tetori) dhe e fundit është Qiproja, në vendin e 126-të të FIFA-s, me 253 pikë (-6 vende nga tetori)

© Panorama.al

Te lidhura