Pesë ditët në vijim, nga data 30 maj deri më datë 3 qershor, do të rezervojnë kufizime energjie për disa zona të vendit dhe për një seri lagjesh të kryeqytetit, në mënyrë të alternuar, nga ora 09:00-15:00. Kështu, sipas një harte të publikuar dje, “CEZ Shpërndarje” ka bërë me dije ndërhyrjet e saj në rrjet për të bërë remonte dhe kufizimet që do të aplikohen për disa zona. Është parashikuar ndërhyrje në Nënstacionin e Fushë-Krujës, në linjën 110 kilovolt të po kësaj zone, në linjën 30-15 kilovolt në Tiranë, që do të lërë pa drita Shën Mërinë, Zall Bastarin dhe Shupalin. Po kështu, ndërhyrja në linjën e Selitës do të sjellë kufizime në datat 2 dhe 3 qershor në zonën pranë Drejtorisë së Ujërave, zonën pranë ish-SMT-së, rr. “Llambi Bonata” dhe rr. “Hamdi Sinoimeri” (Kombinat). Paralelisht në linjat e tij do të punojë edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit në datat 30 dhe 31 maj. Ndërhyrja e OST-së do të jetë në nënstacionin 220 kilovolt në “Tirana 1”, çka do të lërë pa drita nga ora 09:00-15:00, me kohë të alternuar në zonën e ish-Kombinatit të Mishit, Allias pjesërisht, ish-Reparti Ushtarak 3700. Po kështu, kjo ndërhyrje në këtë nënstacion do të lërë pa drita edhe rr. “Don Bosko”, Spitalin Ushtarak dhe pjesërisht Bathoren. Në këtë zonë kufizimet do të jenë të alternuara në orarin e përcaktuar. Një tjetër ndërhyrje e OST-së do të jetë në linjën 110 kilovolt në Shkozë-Sharrë, që do të sjellë kufizime në komunën Ndroq dhe rrethinat, komunën Pezë dhe rrethinat.











