
Temperaturat e ulëta, deri në -17 gradë, kanë kthyer në ngricë një pjesë të konsiderueshme të akseve të vendit. Në Korçë dhe në Kukës, temperaturat kanë arritur në -17 gradë celsius, ndërsa në Dibër dje termometri shënonte -16 gradë. Edhe në rrethe të tjera të vendit, në zonat e thella të Shkodrës e Pukës, Librazhdit, Gjirokastrës etj., temperaturat kanë shënuar disa gradë nën zero, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në akset me akull. Prezenca e akullit ka paralizuar mjaft komuna të thella, ku kalimi i mjeteve pa zinxhirë është i pamundur. Në qarkun e Elbasanit, aksi Labinot Fushë-Monument Bizë është i kalueshëm me zinxhirë. Në qarkun e Shkodrës, në aksin Qafë Mali-Fierzë si pasojë e dëmtimit të urës pranë Dardhës, qarkullimi është i mundur vetëm për mjetet e vogla me një kalim. Në rrugën Milot-Kalimash, në zonat ku ka prezencë ngrice, është shpërndarë kripë dhe qarkullimi i mjeteve kryhet pa probleme. Burime nga Policia bënë të ditur se janë në gatishmëri të plotë dhe se gjatë këtyre dy ditëve po qëndrojnë në rrugë duke orientuar edhe drejtuesit e mjeteve në lidhje me situatën. Në zonat problematike nuk janë lejuar mjetet të qarkullojnë pa zinxhirë. Deri më tani nuk raportohen zona të bllokuara me problematikë të mungesës së ushqimit apo ngrohjes.
© Panorama.alPESHKOPI
Minus 15 gradë celsius ka shënuar dje termometri në rrethin e Dibrës. Në shkolla është vërejtur një rritje e numrit të nxënësve që nuk i frekuentojnë ato. Ndërkaq, shqetësimin më të madh e bëjnë publik afro 300 konviktorë të shkollave të mesme profesionale ekonomike, elektrike, mekanike etj. Sipas tyre, në dhoma ka mungesë ngrohjeje, pasi nuk ka karburant për kaldajat dhe është e pamundur të instalohen pajisje me energji.GJIROKASTER
Temperaturat mjaft të ulëta, që kanë mbretëruar ditët e fundit qytetin e Gjirokastrës dhe zonën përreth, kanë nxjerrë edhe një herë në pah problematikën e ngrohjes në shkolla dhe kopshte. Për të përballuar këtë situatë shumë të vështirë dhe të papërballueshme, për fëmijët e vegjël është operuar me reduktimin e orëve të mësimit, sidomos në institucionet e arsimit fillor dhe parashkollor. Temperaturat gjatë orëve të para të mëngjesit të ditëve të fundit janë luhatur midis -8 dhe -6 gradë celsius.











