Kuvendi miraton sot disa nga projektligjet më të debatuara në një seancë të vetme dhe pa praninë e opozitës.Sot, në axhendë është përcaktuar të miratohen në parim ndryshimet në buxhetin e shtetit, projektligji për regjistrimin e popullsisë, formula e privatizimit të kompanisë shtetërore “INSIG” apo dhe borxhi që i detyrohemi Serbisë. Të gjitha këto nisma ligjore janë kritikuar nga opozita, por qëndrimin i saj ndaj Kuvendit do e lërë jashtë këtij debati me rëndësi. Kështu, parashikohet që sot deputetët të mbyllin tërësisht debatin për ndryshimet në buxhet, ku do të shkurtohen rreth 160 milionë euro shpenzime në punë publike. Sipas kalendarit, sot do të duhej të bëhej debati për buxhetin dhe pas miratimit të tij në parim, kthehet edhe njëherë në komisione për t’u miratuar përfundimisht javën e ardhshme nen për nen, por pa debat. Ulja më e madhe e buxhetit ndër institucionet e pavarura i është bërë Shërbimit Informativ të Shtetit, me plot 20 milionë lekë. Kjo, në fakt, vjen në një kohë kur vetë SHISH, në kohën e diskutimit të buxhetit të 2011-s në nëntor të vitit të kaluar, kërkoi 100 milionë lekë shtesë, të cilat nuk i mori. Institucion tjetër të cilit i është tkurrur buxheti është Prokuroria e Përgjithshme, me 7 milionë lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit bën edhe ai pjesë në listën e institucioneve të pavarura që preket nga dieta e shpenzimeve me 10 milionë lekë. Ndërsa projektligji për regjistrimin e popullsisë pritet të sjellë debate edhe brenda deputetëve të maxhorancës. Ende nuk ka një qëndrim të prerë rreth kësaj nisme nga dy deputetët e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, të cilët e kundërshtojnë ashpër regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare. Nga ana tjetër, disa deputetë të PD-së, që i përkasin minoritetit grek, e mbështesin këtë nismë duke kërkuar që të përfshihet edhe regjistrimi fetar dhe etnik. Dy deputetët e PDIU-së do të kërkojnë ndryshime të ligjit, në të kundërt do të tentojnë që të rrezikojnë kuorumin e nevojshëm të votave për miratimin e ligjit. “Censusi nuk ka asnjë lidhje me regjistrimin etnik apo fetar, siç pretendojnë sharlatanë e zhurmatorë që kanë ngatërruar dhe nakatosur punët e tyre dhe tani duan të përhapin ndotje gjithandej”, është shprehur në Komisionin e Ligjeve pak ditë më parë ministri për Inovacionin, Genc Pollo. Gjithsesi, ministri nuk tha nëse formulari do të ketë ose jo pyetje për përgjigje me dëshirë për përkatësinë etnike apo fetare. Ai shpjegoi se ndryshimi i regjistrimit të popullsisë me censusin, pra mbledhjen e të dhënave për popullsinë, ndryshon nga ruajtja e anonimatit dhe ndryshueshmëria e të dhënave për gjendjen e individit çdo 10 vjet, kur kryhet procesi i censusit.
Projektligjet në Parlament
. Projektligji “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, për shlyerjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Republikës së Serbisë”.
. Projektligji “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
. Projektligji “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG SH.A.”.
. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8669, datë 26.10.2000 ‘Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave’ të ndryshuar”.
. Projektligj “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 10.355, datë 2.12.2010 ‘Për buxhetin e vitit 2010′”. (në parim)
Qëndrimi i opozitës, në shtator thyhet bojkoti
Opozita do të jetë larg Kuvendit deri në fund të muajit korrik, kur Parlamenti do të marrë pushimet e verës, për të rifilluar punë në shtator. Vetëm atëherë opozita do të thyejë bojkotin dhe do të jetë e pranishme në punimet e Kuvendit. Këtë qëndrim ka marrë opozita gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste pak ditë më parë. Pavarësisht kërkesës së mjaft deputetëve për të qenë brenda Kuvendit e për të kundërshtuar nismat e qeverisë, kreu i saj, Edi Rama, ka bërë me dije se ngrirja e marrëdhënieve me Kuvendin do të marrë fund vetëm në shtator.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











