Regjistrimi, përfitojnë 60 mijë prona në bregdet

Jul 22, 2011 | 10:02
Harta e regjistrimit të pronave në bregdet

Bashkimi Europian nis në Shqipëri procesin e regjistrimit fillestar të pronave në bregdet.Projekti, i cili kap shifrën e 1.5 milionë eurove shtrihet në Jug të vendit dhe përfshin regjistrimin e tokave për herë të parë nga Palasa deri në Xarë. “Ky projekt në një zonë turistike kyçe të Shqipërisë ka për qëllim të kompletojë regjistrimin e parë të pronës dhe të përditësojë regjistrimin ekzistues për rreth 60 000 prona në zonat bregdetare të vendit nga Palasë Gjoleka në Veri deri në Xarë. Kjo do t’i sigurojë pronarëve tituj të qartë pronësie dhe do të rrisë potencialin për investime në atë zonë. Projekti përfshin gjithashtu shenja të reja rrugore të instaluara në Sarandë, Selenicë dhe Armen e që do të instalohen së shpejti në gjashtë zona të tjera (Golem, Qendër-Vlorë, Orikum, Lukovë, Delvinë dhe Dhiver) me një kosto prej 103 000 eurosh”, thuhet në njoftimin për shtyp të Komisionit Europian. Projekti parashikon matjet nga terreni të të gjitha pronave në këto zona, si dhe paraqitjen nga ana e pronave të dokumentacionit e kufijve mes pronave. Këto dokumente dhe matjet fizike do të hidhen më pas në një hartë, e cila do të jetë edhe hapi i fundit për regjistrimin fillestar. Nga ky projekt do të përfitojnë 23 fshatra, shumica e të cilëve janë bregdetarë.
Regjistrimi i pronave
Sipas të dhënave të qeverisë, në Shqipëri numërohen rreth 3.5 milionë prona gjithsej. Deri në vitin 2005, janë regjistruar rreth 3 milionë prona, ndërkohë që kishin ngelur ende pa u regjistruar për herë të parë edhe rreth 500 mijë prona. Në vitin 2007, qeveria shqiptare arriti një marrëveshje me Bankën Botërore, ku kjo e fundit do të regjistrojë pjesën e mbetur të pasurive. Pronat e mbetura ende të paregjistruara janë kryesisht në qytete dhe 60 mijë prej tyre janë në zonat e Jugut të vendit. Zyrtarë të qeverisë thonë se ky proces në pjesën e Jugut ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve me banorët e zonës. Sipas kryeministrit Berisha, “problematika e krijuar në këto zona vjen si rrjedhojë e një përplasjeje midis Kodit Civil dhe Ligjit të ndarjes së Tokës. Kjo përplasje ka bërë që progresi në drejtim të certifikimit dhe të regjistrimit të jetë më modest, më diskret sesa në zona të tjera. Por, nga ana tjetër, zhvillimet kanë sjellë dhe po sjellin çdo ditë e më shumë një vetëdije, në domosdoshmërinë e regjistrimit të pronësisë dhe zhvillimit të potencialeve të jashtëzakonshme që ekzistojnë në njërën prej zonave turistike më mahnitëse të Mesdheut”. Kreu i qeverisë tha më tej se regjistri i pronave është i dyti më i rëndësishëm pas atij të gjendjes civile. Në këto rrethana, sipas kreut të qeverisë së bashku me regjistrimin e popullsisë edhe ai i pronave do të përfundojë brenda majit 2013. “Regjistri i pronave të paluajtshme përbën në të gjithë agjendën digjitale të qeverisë, objektivin e parë dhe më madhor sot. Në këtë kontekst, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, por së shpejti edhe me qeverinë austriake, qeveria ka përcaktuar një objektiv; të mobilizojë të gjitha resurset njerëzore e financiare, teknike e të gjithanshme, për të përfunduar regjistrin e pasurive të paluajtshme, nga sot deri në maj të vitit 2013”, tha Berisha.

Matja e kufijve

Dokumentet e pronësisë nga arkivat qeveritare do të mblidhen dhe do të digjitalizohen. Informacionet e marra nga këto dokumente do të ruhen në një bazë të dhënash. Specialistët do të inspektojnë fizikisht pronat për t’i matur kufijtë e saj dhe për t’i shënuar në hartë. Kur specialistët të inspektojnë pronat, ata do të mbledhin dhe bëjnë kopje të të gjithë dokumenteve të paraqitura nga personat që pretendojnë të drejtë pronësie.

Greqia jep 100 mijë euro

Projekti mbledh e përpunon të dhënat në lidhje me pronat dhe lehtëson pjesëmarrjen e publikut në një proces transparent, një proces që do t’i sigurojë institucioneve shtetërore informacione të nevojshme për të përcaktuar me saktësi dhe për të mbrojtur të drejtat e pronës. Projekti, i cili përfiton fonde shtesë nga qeveritë e Greqisë (100 000 euro), Republika Çeke (50 000 euro) dhe Zvicra (30 000 euro), është programuar të përfundojë në fund të vitit 2011.

23 fshatra
Nga projekti i BE-së për regjistrimin fillestar të pronave do të përfitojnë 23 fshatra, shumica e të cilëve bregdetarë. Ato janë Palasë, Gjolekë, Dhërmi, Ilias, Vuno, Himarë, Pilur, Kudhës, Qeparo Fushë, Çorraj, Fterrë, Borsh, Sasaj, Lukovë, Shën Vasil, Nivicë, Çukë, Çaush, Aliko, Vurg, Xarë, Vrinë, Mursi

Pasaktësive, 45 ditë kohë për t’i korrigjuar

Prezenca e OSBE-së në vendin tonë, e cila do të zbatojë projektin e financuar nga Bashkimi Europian, thekson se koha për të korrigjuar pasaktësitë në dokumentacion do të jetë 45 ditë. “Sipas legjislacionit, i gjithë informacioni i regjistrimit duhet të afishohet publikisht për 45 ditë përpara se procesi të finalizohet. Është shumë i rëndësishëm për të gjithë ata persona që kanë interes ligjor mbi një pronë për t’u regjistruar, të kontrollojnë saktësinë e të dhënave përpara përfundimit të afatit 45-ditor, në mënyrë që të mbrojnë të drejtën e tyre”, thekson OSBE-ja. Pasi të dhënat e regjistrimit të jenë legalizuar, ato regjistrohen në një Kartelë në ZRPP. Pas kësaj, pronarët mund t’i kërkojnë regjistruesit të ZRPP-së të nxjerrë një certifikatë pronësie për pronën e tyre.

Sequi: “Pronat”, ka progres, por e pakompletuar
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi, theksoi se në fushën e pronësisë Shqipëria ka regjistruar progres, por ky është një proces ende i pakompletuar. Sipas tij, “ne duam të shohim që shteti të garantojë siguri ligjore të titujve të pronësisë si për familjet, ashtu dhe për bizneset. Ky projekt është një segment i udhëtimit tuaj drejt Europës, një udhëtim që tashmë ka nisur të japë fryte dhe që do të japë edhe më shumë fryte në të ardhmen, kur të jetë kompletuar”.

OSBE: Regjistrimi, për të shmangur korrupsionin
Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfarth, tha gjatë prezantimit të projektit se ai synon digjitalizimin e të dhënave aktuale, duke rritur transparencën dhe duke shmangur korrupsionin. “Më lejoni të theksoj sërish se në fund të fundit, kjo është një përgjegjësi e institucioneve shtetërore shqiptare për të përcaktuar të drejtat e pronësisë. Kështu që, shpresoj se kam qenë jashtëzakonisht i qartë kur vura në dukje se qëllimi i projektit është për të regjistruar të dhëna”, tha ambasadori.

Pronat, një nga 12 rekomandimet e Brukselit
Zgjidhja e çështjes së pronësisë është një nga 12 kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian një vit më parë. Rekomandimi i 10-të i Brukselit titullohet “Strategjia dhe plani i veprimit për të drejtat e pronës”. Në të thuhet “të përgatitet, të miratohet dhe të zbatohet një strategji kombëtare dhe plani i veprimit për të drejtat e pronës, duke bërë konsultime të gjera me grupet e interesit dhe duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura