
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk është gjendur në kaq vështirësi në dekadën e fundit, kur ai ka pasur në dorë caktimin e trajnerit të kombëtares, për të gjetur “timonierin” kuqezi. Pasi ka provuar t’ua besojë stolin e përfaqësueses shqiptare pesë trajnerëve të huaj, italianit Xhuzepe Dosena, për pak kohë, gjermanit hans peter Brigel, holandezit Ari Han, pastaj dy kroatëve Oto Baric dhe Josip Kuzhe, ka ngecur në të gjashtin. Fillimisht u kalamend mes dy alternativave, “shqiptar apo i huaj”, teksa hodhi në treg emrin e Besnik Hasit, ish-mbrojtësit kuqezi, aktualisht ndihmëstrajner tek Anderlehti. U tha se është punë e kryer me gjakovarin, por më pas rezultoi se nuk ishte kështu. Duka ofronte një kontratë dyvjecare, fillimisht për Hasin, në krye të Shqipërisë, cka nuk shkonte me projektin më afatgjatë të kosovarit, prej 4 vitesh. Mosarritja e akordit, pas bisedimesh intensive, mes dy palëve, u lidh kryesisht me këtë shkak, afatin kohor të zgjatjes së kontratës, por më tej doli në skenë një justifikim tjetër i vetë Hasit, se nuk e lanë të largohej nga Anderlehti. Gjithsesi, kandidatura e tij u sfumua përfundimisht, për t’i hapur rrugën një emri tjetër. Tashmë jo shqiptar, por i huaj. Me dështimin për të sjellë Hasin në krye të kuqezinjve, Duka u fut sërish në “hullinë” e vet, të pistës së huaj për trajner të kombëtares. Paralelisht, thuhet se nisi bisedimet me ish-trajnerin e dorëhequr të Sllovenisë, Matjazh Kek, por edhe me gjermanin Lorenz Gunter Kostner. Ky i fundit rezultoi se kishte qenë kandidaturë për Shqipërinë edhe pas largimit të kroatit Baric, por u sfidua rrugës nga holandezi Ari Han. Bisedimet me Kosnter dukeshin në rrugë të mbarë, madje u tha nga federat se janë arritur të gjitha akordet e kohëzgjatjes së kontratës, dy vjet, të vlerës financiare të saj, 400 mijë euro, ndërsa pritej që të enjten të vinte për të hedhur firmën. Por, ndodhi ajo që nuk pritej. Edhe Kostner, të mërkurën mbrëma, ktheu përgjigje negative, duke refuzuar gjithcka në momentin e fundit. Shkaku? Nuk e lejuan drejtuesit e Volfsburgut, ku ky trajner është i angazhuar për momentin. Për pasojë, presidenti Duka duhet ta “arkivojë” edhe këtë kandidaturë, për të nxituar bisedimet me një emër tjetër, sepse kombëtarja ka mbetur pa trajner, pas ikjes së Kuzhes. Nëse është gjendur një zgjidhje emergjente për dy miqësoret e afërme, me Azerbajxhanin në Tiranë, dhe me Maqedoninë në Prilep, duke ia besuar timonin boshnjakut Xhemal Mustedanagic, ish-ndihmës i Kuzhes dhe trajner i kuqezinjve U-17, koha po ikën dhe moscaktimi i trajnerit do të ndikojë negativisht në përgatitjen për eliminatoret e Botërorit 2014. Sidoqoftë, deri atëherë mbeten edhe mjaft muaj, por kombëtarja pa trajner është një shqetësim serioz për mjedisin kuqezi. Sepse ai është i pari i punëve, prej tij duhet të kalojë procesi i detyrueshëm i ndërrimit të brezave në kombëtare për shkak të largimit të disa titullarëve dhe zëvendëimit të tyre me elementë të rinj.











