BERAT – Nuk pranojnë krushqinë, përleshen mes tyre dy familjet. Gjashtë persona janë plagosur, pasi janë qëlluar me sende të forta. Ngjarja e rrallë është shënuar mbrëmjen e së shtunës, në fshatin Tozhaj, komuna Tërpan e Beratit. Mes të plagosurve janë dhe dy gra. Sipas Policisë, konflikti ka ndodhur rreth orës 23:00 në banesën e familjes Zenuni. Mësohet se Bajram Fushani, 50 vjeç, së bashku me djalin e tij Tajar, 28 vjeç dhe bashkëfshatarin e tyre Eduart Turani, kanë qëlluar me mjete të forta, duke dhunuar dhe lënë të plagosur gjashtë anëtarët e familjes Zenuni. Të plagosurit janë: Ylli Zenuni, i cili është në gjendje kritike për jetën dhe është dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, Izmir Zenuni, Ali Zenuni, Sokol Zenuni, si dhe dy gra: të zonjën e shtëpisë dhe nusen e familjes, E.dhe M. Zenuni. Familjarët Fushani mësohet se kishin kundërshtuar një fejesë mes vajzës së tyre dhe djalit të të plagosurit Ylli Zenuni, çka është bërë shkak për një konflikt disaditor të nisur dhe vazhduar mes tyre. Familja Zenuni mësohet se kishte kërkuar për nuse vajzën e familjes Fushtani prej disa kohesh. Ata e kishin pëlqyer vajzën dhe kërkonin me çdo kushte që ta bënin nusen e shtëpisë, gjë e cila nuk ishte pranuar prej familjes tjetër. Por refuzimi ka hasur në reagime të forta, derisa mbrëmjen e së shtunës u përsërit debati, i cili degjeneroi deri në përdorimin e dhunës. Bajram Fushani, së bashku me djalin dhe bashkëfshatarin e tij, kanë shkuar në familjen e Zenunit për të ripërsëritur mospranimin e fejesës dhe duke kundërshtuar. Dy palët në gjaknxehtësi e sipër kanë sulmuar njëra-tjetrën, por sipas Policisë familja e vajzës ka qenë më agresive, pasi ka shkaktuar 6 të plagosur, ku i zoti i shtëpisë është më rëndë. Mjekët e Beratit kanë konkluduar se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore Ylli Zenuni është transportuar për në Spitalin Ushtarak për ndërhyrje më të specializuar. d.xh
Policia nis hetimin për ngjarjen
Pasi kanë mësuar për çfarë kishte ndodhur në fshatin Tuzhan të Beratit, drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet rreth kësaj ngjarjeje. Në polici mësohet se janë shoqëruar autorët Bajram e Tajar Fushtani, si dhe Eduart Turani. Burime nga policia bëjnë të ditur se këto dy fise kishin pasur grindje për rreth 2 muaj, pikërisht për shkak të mohimit të fejesës.











