Tentoi arratisjen nëpërmjet kufirit, arrestohet 42-vjeçari që i rrezikoi jetën me makinë edhe efektivëve.
Ngjarja ka ndodhur në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, më 2 shkurt, në orën 17:20, kurse i ndaluari është 42-vjeçari me inicialet G.K., banues në Maqedoninë e Veriut.
“Rreth orës 17:20, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi G. K., banues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u paraqit me automjetin e tij për të dalë nga vendi, ndërsa gjatë procesit të regjistrimit iu kërkua të kalonte, së bashku me mjetin, në vijën e dytë për kontroll të detajuar. 42-vjeçari ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Pas ndërhyrjes së shërbimeve policore, ai u ndalua dhe u arrestua në flagrancë”, bënë me dije burime zyrtare të Policisë Dibër.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “kalimi i paligjshëm i kufirit”. Gjithashtu, u sekuestrua automjeti me të cilin lëvizte.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al












