“Reformat, rruga e vetme për t’i bërë ballë krizës”

Jan 5, 2012 | 20:21
Berisha duke folur ne Seminarin e Parisit

PARIS- Kryeministri Sali Berisha ndërsa po merr pjesë në punimet e Seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi” në Francë,  tha se reformat janë rruga e vetme për të përballuar krizën.

“Unë besoj që duhet forcuar fibra kombëtare e reformave  të çdo vendi dhe duhet proceduar me reforma te thelluara. Kjo është rruga e vetme e përballimit të krizës dhe e zhvillimit”- tha ndër të tjera kryeministri në fjalën e tij.

Ndërsa ka bërë një prezantim të modelit liberal ekonomik të ndjekur nga qeveria shqiptare dhe reformat strukturore të bëra prej saj, Berisha shprehu si qëllimin më madhor të Shqipërisë, të bëhet vend i gjelbër.

“Shikoni Shqipërinë, një nga vendet më të vogla në Evropë, ka një potencial të pamasë të energjisë hidrike. Mund të ndërtojë më shumë se 443 hidrocentrale dhe ambicia ime është ta shoh atë si një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon.”- theksoi kryeministri.

Në fund të fjalës së tij, Berisha ka ftuar të pranishmit të ndjekin me seriozitet privatizimin e Albpetrolit, i cili tashmë ka nisur, duke shtuar se, në Shqipëri janë duke u ndërtuar 63 hidrocentrale, dhe se në vend po investojnë kompani ndërkombëtare si Statkraft, apo kompani izraelite dhe norvegjeze.

© Panorama.al

Te lidhura