Reforma zjedhore, PS i dorëzon propozimet PD-së

Sep 26, 2011 | 10:47
Bylykbashi dhe Gjiknuri

Partia Socialiste i ka dorëzuar PD disa propozime për reformën zgjedhore. Burime pranë selisë së Partisë Demokratike pohuan dje se kanë marrë disa propozime nga dy negociatorët socialistë, Gjiknuri dhe Hysi, propozime të cilat do të studiohen dhe brenda pak ditëve do të ketë një përgjigje rreth tyre. Mungesa e Kryeministrit Berisha dhe njërit prej negociatorëve demokratë, Oerd Bylykbashit, i cili ka shoqëruar Kryeministrin Berisha në vizitën e tij në OKB, kanë shtyrë përpjekjet e të dy grupeve për të arritur më shpejt në një rezultat konkret. Mësohet se propozimet e socialistëve kanë të bëjnë me modalitetet për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Bëhet fjalë për pjesëmarrësit në këtë komision, statusin që do të kenë partitë parlamentare dhe ato jo parlamentare, por dhe roli që do luajë OSBE me përfaqësuesin e saj. Gjithashtu mësohet se palët kanë njohur njëra-tjetrën me shtyllat që do të prekë reforma zgjedhore, për të cilën deri tani dimë se do të ketë një rregullim që ka të bëjë me rindarjen e qarqeve, nga 12 në 6 ose katër qarqe të mëdha elektorale, të cilat mund të kryhen pa prekur Kushtetutën. Gjithashtu, një pikë tjetër që do të prekë reformën është dhe KQZ-ja, përbërja dhe kompetencat e saj.
Pritet që brenda kësaj jave, palët të arrijnë në një përfundim të modaliteteve për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. E vetmja pengesë për të përmbyllur negociatat dhe nisjen nga puna e komisionit për reformën zgjedhore, është reagimi zyrtar i maxhorancës ndaj paktit të propozuar nga Edi Rama të premten, për një bllok reformash të cilësuar “Pakti për Shqipërinë si gjithë Europa”. Mungesa e Kryeministrit, i cili ka qenë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ka lënë pa një reagim zyrtar këto propozime, ndërsa reagimet kanë ardhur nga deputetë të PD, të cilët e kanë cilësuar të turpshëm, por dhe të vonuar një paketë të tillë. Pakti i propozuar nga Rama u deklarua vetëm një ditë pasi deputetët e PS refuzuan të votojnë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, një pjesë e të cilave janë pjesë e 12 prioriteteve të BE-së për Shqipërinë. Në paktin e propozuar nga kryesocialisti dominojnë reformat që kërkohen prej kohësh nga opozita, si reforma parlamentare, reforma zgjedhore, reformë në institucione duke zgjedhur konsensualisht dhe me figura jashtë partive politike krerët e Avokatit të Popullit, KLSH dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Chountis: Zgjidhja e ngërçit, kriter madhor
Në Parlamentin dhe Komisionin Europian vazhdojnë analizat e fundit para raportit për Shqipërinë, që do të publikohet më 12 tetor. Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis, thotë për “AS” se klasa politike nuk duhet t`i ndërlikojë problemet, por t`i zgjidhë ato. Sipas Chountis, kriteri kryesor është zgjidhja e ngërçit politik, i cili ka bllokuar reformat integruese. “Jemi në momentin e analizës të përmbushjes së kritereve për pranimin e Shqipërisë si vend kandidat. Situata politike në Shqipëri, me aq sa kam dijeni, është e ndërlikuar, por ka shenja përmirësimi. Qëllimi i të gjitha institucioneve europiane është përmbushja e kritereve politike e demokratike, të cilat do ta sjellin Shqipërinë më afër BE-së. Unë mendoj se duhet gjetur zgjidhja e ngërçit politik aktual dhe zgjidhja e një sërë problemesh politike, ekonomike dhe reforma në Drejtësi. Forcat politike shqiptare duhet të bëjnë kujdes të mos i shtojnë problemet, por t’i zgjidhin ato. Ky do të jetë kriteri madhor për t’u pranuar. Është në dorën e politikës shqiptare që situata të avancojë”, tha Chountis.

Letra
Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, përmes një letre dërguar homologut të tij socialist Ruçi, njoftoi se maxhoranca caktoi Oerd Bylykbashin dhe Viktor Gumin, si dy ekspertët që do të merren me përmirësimin e ligjit të zgjedhjeve. Përmes kësaj letre, Patozi i shprehu Ruçit gatishmërinë për të nisur pa humbur kohë kontaktet. Bashkë me emrat e të ngarkuarve nga Partia Demokratike, Patozi i kërkon gjithashtu në letër Ruçit, që të dy palët t’i drejtohen me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që të asistojnë të gjithë procesin e reformës.

LSI
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi dje që partitë politike të mos bëjnë marrëveshje të fshehta në këmbim të integrimit të Shqipërisë. Vasili tha se duhet pakt kombëtar për integrimin, ndaj opozita dhe maxhoranca duhet të punojnë për të. “Pakti kombëtar për integrimin nuk mund të jetë në asnjë rast një mundësi për realizimin e interesave të ngushtë partiakë, për vendosjen e kushteve të njëanshme, nuk mund të jetë mundësi për realizimin e interesave të ngushtë të individëve apo për kontrollin e njëanshëm politik të institucioneve”, tha Vasili.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura