TIRANË- Kod elektoral gjithëpërfshirës për një reformë zgjedhore që të garantojë zgjedhje të lira e demokratike. Kështu ka deklaruar Prec Zogaj, në një komunikim për mediat në mbyllje të takimit të Ramës me aleatët e majtë pikërisht për reformën zgjedhore.
Sipas Zogajt në takim nuk ka pasur mungesa politike, pasi sipas tij, as Skender Gjinushi, Vangjel Dule e Spartak Ngjela nuk kanë munguar për shkaqe politike por pamundësi mbërritjeje. (dy të parët kanë qenë jashtë vendit, sipas Zogajt)
Në takim, kanë qenë të pranishëm edhe dy deputetë të PS që janë mandatuar për negociatat me përfaqësuesit e qeverisë. “Kreret e koalicionit shfaqën mendimet e tyre për reformën, synimi është që të shkohet drejt një kodi zgjedhor gjithpërfshirës, të reflektohen mendimet e partive të opozitës që të ketë më shumë transparencë në zgjedhje, të maksimalizohet fuqia elektorale e subjekteve dhe të realizohen zgjedhje të lira e të ndershme. Nënvizoj faktin se partitë pjesëmarrëse ranë dakord të punojnë si subjekt i vetëm politik në lidhje me reformën, pra si subjekt unik”- tha ai.
Ai sqaroi më tej se u krijua një bërthamë, një grup pune që do mbajë komunikimin me përfaqësuesit e PS në Kuvend, ndërkohë që në këtë mënyrë opozita do të vazhdojë në këtë formë betejën për zgjedhje të lira
Si pikë e dytë e takimit, Zogaj theksoi atë të situatës në Bulqizë me grevën e dytë të minatorëve. “Për këtë përfaqësues të opozitës do të jenë në kontakt me minatorët për t’i mbështetur dhe krijuar zgjidhje definitive”- tha ai.
© Panorama.al











