TIRANË- Qëndrimi për reformën zgjedhore dhe propozimet konkrete lidhur me të kanë mbledhur bashkë në një tryezë partitë e vogla opozitare dhe të mazhorancës. Takimi nisi paraditen e sotme dhe në të janë të pranishëm krerët e partive te vogla, te djathta e te majta.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta gjatë fjalës së tij theksoi se partia që drejton është e hapur për një sistem zgjedhor transparent që garanton lirinë e votës. Ai ka deklaruar se kjo duhet të jetë një reformë e cila duhet të ketë në themel barazinë e votës, ndaj në kuadër të kësaj dhe të transparencës, Meta ka theksuar se LSI-ja është kundër listave të mbyllura pasi dëmtojnë parlamentarizmin .
“Nuk ka përse vota e një kryetari në një qark të ketë më shumë rëndësi se vota e një kryetari në qark tjetër të vendit” tha Meta.
Për Paskal Milon, kjo tryezë nuk ka ndonjë prapavijë tjetër përveçse shqetësimit për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Sipas Mediut, partitë e vogla përbëjnë 20% të elektoratit dhe të gjitha duhet të kenë mundësinë për të monitoruar procesin e zgjedhjeve.
Ndërsa kreu i PSD-së Skënder Gjinushi theksoi se ndryshimet në reformën zgjedhore do të bëjnë të mundur prishjen e polarizimit artificial që është krijuar.
© Panorama.al











