Vëmendja e Brukselit ndaj Shqipërisë është rritur ndjeshëm pas zhvillimeve më të fundit politike, por edhe Komisionit të reformës Zgjedhore, për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe më gjerë.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, ka marrë takim dje edhe me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar punën e komisionit në javët në vijim.
Me një postim të zyrës diplomatike të BE-së në Shqipëri, theksohet se:
“Proceset zgjedhore të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Dje u takova me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar punën e komisionit në javët në vijim”.
Më tej ambasadori nënvizon edhe tematikat e diskutuara dhe atë që kërkon Brukseli nga faktori politik në Shqipëri dhe jo vetëm.
“Nënvizova rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Një reformë e gjerë e rregullave zgjedhore, që përfshin edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme”, mbyllet reagimi zyrtar i Gonzato, ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Njoftimi shoqërohet edhe me një album fotosh nga takimi mes palëve.
© Panorama.al












