Refleksion personal mbi çështjen “Balluku”…

Nov 21, 2025 | 8:45

NGA ZEF PREÇI zef-preci

Nga një kalim i shpejtë në rrjetet sociale vërej se opinioni publik po ndahet me shpejtësi në dy blloqe të mëdha (përveç indiferentëve) në lidhje me vendimin e Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për çështjen “Balluku”. Fjala është për mbështetjen nga një pjesë e mirë e opinionit publik, por edhe të pranisë së një numri kontestantësh, kryesisht duke bërë interpretime juridike, ndonëse kjo gjykatë ka ofruar edhe mbështetjen apo bazën ligjore për vendimin e vet.

Duke qenë se personalisht e kam mbështetur në vijimësi SPAK-un prej fillimit të funksionimit të kësaj agjencie, atëherë kur Kuvendi i Shqipërisë votoi ndryshimet kushtetuese nën presionin e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, po ofroj në koment rreth kësaj çështjeje.

Së pari, respektimi i prezumimit të pafajësisë për znj. Balluku është diçka që duhet respektuar nga të gjithë ne, përndryshe rrezikojmë të bëjmë “prokurorin popullor” tashmë të kapërcyer në kohë. Ndërsa dorëheqja e pritshme e saj do të çlironte mazhorancën nga një peshë gjerësisht të pranuar në opinion, për të pritur me qetësi një proces gjyqësor të drejtë dhe të bazuar në prova.

Së dyti, kur flet gjykata, është në interesin e publikut, por edhe të palëve ndaj të cilave ngrihen akuza, që gjithë të tjerët të heshtin. Në 35 vitet e fundit modelet kur turma qytetarësh të manipuluara politikisht protestojnë në dyert e një gjykate siç ndodhi në mos gaboj më 2016 nën drejtimin e ministrit të Brendshëm të kohës Tahiri, apo kur një turmë punonjësish bashkiakë të rrethojnë SPAK-un siç ndodhi me rastin e kreut të paraburgosur të Bashkisë së Tiranës është e kapërcyer në kohë dhe në hapësirë.

Së treti, për cilindo që voton e paguan taksa dhe që nuk ka vendosur të largohet nga ky vend por të qëndrojë këtu, është një ditë vërtetë e madhe: për herë të parë po konfirmohet publikisht ndarja reale e pushteteve, po konfirmohet publikisht që koha kur një person i vetëm kontrollon të gjitha pushtetet ashtu si deri më sot, tashmë kanë marrë fund. Kjo është edhe fitorja e parë e madhe publike e reformës në drejtësi të nisur një dekadë më parë. Kjo që ndodhi nuk është një sfidë personale për Kryeministri Rama dhe as provë force ndaj pushtetit të tij, por dëshmi që SPAK po vepron në përmbushje të rolit të tij kushtetues dhe të pritshmërive të qytetarëve, votuesve e taksapaguesve shqiptarë, të cilin duhet të mbështesim dhe monitorojmë me kujdes në kursin e kohës. Emocionet nuk duhet të na errësojnë arsyen për të mos dalluar “pyllin prapa drurëve”…

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura