Raundi i parë i bisedimeve SHBA-Iran përfundon me përparim inkurajues

Jun 22, 2026 | 7:49

Raundi i parë i negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që synon t’i japë fund luftës ka përfunduar me “përparim inkurajues”, njoftuan ndërmjetësit Katari dhe Pakistani, raporton BBC.

iran shba

Bisedimet nisën të dielën në Zvicër, pas marrëveshjes fillestare të arritur javën e kaluar mes Uashingtonit dhe Teheranit. Sipas palëve ndërmjetësuese, diskutimet teknike do të vazhdojnë gjatë gjithë javës.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në orët e para të së hënës, Katari dhe Pakistani bënë të ditur se një “Komitet i Nivelit të Lartë” ka rënë dakord për një udhërrëfyes që synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditëve.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, deklaroi se negociatat kanë sjellë “progres të rëndësishëm” drejt përfundimit të konfliktit në Liban.

Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar javën e kaluar përfshin angazhimin për të arritur një marrëveshje finale brenda 60 ditëve, ndalimin e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Sipas deklaratës së përbashkët të ndërmjetësve, është krijuar një linjë komunikimi për të shmangur incidentet dhe keqkuptimet, me qëllim garantimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.

Po ashtu, SHBA-ja, Irani dhe Libani kanë rënë dakord për krijimin e një mekanizmi të posaçëm koordinimi, të lehtësuar nga vendet ndërmjetësuese, me synim uljen e tensioneve dhe ndërprerjen e operacioneve ushtarake në Liban.

© Panorama.al

Te lidhura