Raporti për Greqinë, Trojka: Arriti 90 objektiva, nga 300

Jul 14, 2012 | 13:05

Greqia mund të mos ketë shans për të bërë kërkesat e saj për tolerim në marrëveshjet e arritura deri tani me kreditorët, pasi raporti i Trojkës rezultoi më negativ nga ç’pritej. Raporti i përkohshëm i treshes së përfaqësuesve të kreditorëve që monitoron zbatimin e reformave në Greqi, sipas gazetës gjermane “Rheinische Post”, tregon se qeveria greke nuk ka përmbushur 210, nga rreth 300 objektiva që janë të vendosur. Sidomos për privatizimet dhe luftën ndaj evazionit, Athina është shumë prapa objektivit me vetëm dy privatizime me vlerë të ulët gjatë këtij viti, thuhet në raport. Ndërkohë, në një raport të Bankës së Amerikës, thuhet se Italia dhe Irlanda kanë më shumë stimul për të lënë euron sesa Greqia, ndërsa Gjermania mund të mos ketë shumë hapësirë veprimi për të parandaluar daljet nga unioni monetar. Tre strategjistë nga Banka e Amerikës, duke përdorur analiza kosto-benefiti dhe teorinë e lojës, dolën në përfundim në një raport se investitorët “mund të jenë duke e nënvlerësuar daljen vullnetare të një apo më shumë vendeve nga eurozona”. “Analiza jonë prodhon disa rezultate surprizë, që edhe lexuesit më skeptikë mund t’i gjejnë interesante, -shkruajnë strategjistët. -Italia, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, do të shijonte më shumë shanse pas një daljeje të organizuar, sesa të tjerët dhe do të arrinte të përfitonte nga përmirësimi i konkurrencës, rritja ekonomike dhe bilancet, thanë ata. Ndërsa Gjermania, vendi që konsiderohet më në gjendje për të lënë eurozonën lehtësisht, ka më pak stimul për ta bërë këtë, sepse do të përballej me një zhvillim më të dobët ekonomik dhe kosto më të larta huaje, si dhe një goditje negative në bilance”, thonë strategjistët në raport. Sipas raportit të tyre publikuar në “Bloomberg”, Austria, Finlanda dhe Belgjika kanë më pak arsye për të lënë euron, ndërsa Spanja është rasti më i dobët për largimin ndërmjet ekonomive më të prekura nga kriza. Analiza bazohet në strukturë që rendit 11 nga 17 vendet e eurozonës mbi kriteret se si dalja e tyre e organizuar nga eurozona do të ndikonte në rritjen ekonomike, normat e interesit dhe bilancet. Irlanda dhe Italia u vlerësuan me 3.5 pikë, ndërsa Greqia kishte 5.3 pikë. Gjermania kishte pikët më larta, 8.5 pikë. Sa më i ulët të ishte numri, aq më madhe ishte mundësia e përfitimit nga largimi prej eurozonës.

© Panorama.al

Te lidhura