Raporti, 30% e mjekëve në klinika private pa licencë

May 25, 2011 | 10:14

Ushtrojnë profesionin në kundërvajtje me ligjin. Janë jo pak, por 30 % e mjekëve në të gjithë vendin.Kostoja bie drejtpërdrejt mbi pacientin. Cilësia e shërbimit që u ofrohet vihet në dyshim dhe mjekët nuk mund të mbajnë përgjegjësi për gabimet mjekësore. Shqetësimi ngrihet nga Urdhri i Mjekut. Sipas presidentit të kësaj strukture, Dine Abazaj, afati i fundit për rilicensimin e mjekeve profesioniste dhe stomatologeve ishte data 31 tetor e vitit të kaluar. Prej 6 muajsh bluzat e bardha neglizhojnë të zbatojnë aktet nënligjore, duke rrezikuar të jenë të jashtëligjshëm në profesionin e tyre, për shkak të mosakredtimit të standardeve profesionale nga ky urdhër. “Këta mjekë që ushtrojnë profesionin në mënyrë të palicensuar, pas daljes së këtyre akteve ligjore dhe nënligjore, janë në kundërshtim me ligjin dhe, nqs kryejnë një gabim mjekësor dhe paditen për këtë, në radhë të parë ndëshkohen sepse kanë ushtruar profesion në kundërshtim me ligjin”, tha dje Abazaj, gjatë një konferencë për shtyp. E njëjta situatë paraqitet edhe në sektorin dentar, pasi dhe shumë stomatologë punojnë pa licensë. Problematika është më e ndjeshme në qendrat e mëdha spitalore të kryeqyetit dhe Abazaj akuzon drejtpërdrejtë drejtuesit e spitaleve që pranojnë mjekët pa lejen e ushtrimit të profesionit. Ndërkohë, në sektorin privat nuk ka probleme të tilla. “Ky është kryesisht për faj të drejtuesve të institucioneve që i pranojnë në institucione dhe nuk i detyrojnë të pajisen me licensë. Në Tiranë kanë marrë leje vetëm mjekët që kalojnë në klinika private, sepse ata nuk i pranojnë pa licensë”, tha Abazaj. Urdhri i mjekut është institucioni që pajis me licensë mjekët. Ndaj edhe pse afati i parashikuar për të përfunduar ky proces ka qenë tetori i vitit të shkuar, Abazaj apelon që të gjitha bluzat e bardha të mos e zhvlerësojnë licensimin dhe marrin këtë dokument ligjor.
Licencimi i mjekëve
Vitin që shkoi në sistemin tonë shëndetësor filloi pajisja e mbarë mjekëve dhe stomatologëve me licensën për ushtrimin individual të profesionit. Me këtë dokument duhet të pajisen qoftë mjekët e sistemit   publik, qoftë ata në privat. Deri tani Urdhri i Mjekut ka zbatuar sistemin e licensimit vetëm për ata individë që do të ushtronin në privat. Sipas Urdhrit të Mjekut, licensa jepej nga Ministria e Shëndetësisë. ” Kjo ndonëse licensimi në bazë të Ligjit, por edhe të përvojës ndërkombëtare, është komponent i vetrregullimit profesional mjekësor dhe kryhet nga Urdhrat e Profesionistëve, të njohura ndërkombëtarisht si autoritete të vetrregullimit profesional mjekësor”, thotë presidenti i Urdhrit të Mjekut.  Pajisja me këtë dokument mbështet në Ligjin 8615, datë 014.06.2000 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, Ligjin 10107 datë 30.03.2009 “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” dhe në Ligjin Nr. 10171 datë 22.10.2009 “Për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe është i detyrueshëm për të gjithë mjekët, stomatologët dhe profesionistët e tjerë që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë si në sistemin publik dhe atë privat. Në bazë dhe për zbatim të këtyre ligjeve është lëshuar edhe Urdhri i Ministrit të Shëndetësisë Nr. 128, datë 03.03.2010, drejtuar të gjithë institucioneve për pajisjen e mjekëve dhe stomatologëve me licensën për ushtrimin individual të profesionit.

Shifrat për licensimin

.    30 për qind e mjekëve punojnë pa licencë

.    5 vjet është periudha e ripërtërijtes së licencës

.    31 tetor 2010 ishte afati i fundit për licencimin

.    6 muaj ka që shkelet kuadri ligjor nga mjekët e rinj

.    Procesi i licencimit duhet të kryhet për të gjithë mjekët

.    Nuk bëjnë përjashtim edhe bluzat e bardha të sistemit publik

Licensimi i bluzave te bardha

Pajisja me licensë ricertifikon kreditet e marra  gjatë procesit të edukimit në vazhdim, dijet e azhornuara profesionale të mjekëve dhe stomatologëve, duke i autorizuar ato si garancinë e vetme që mjeku të jetë i besueshëm dhe i angazhuar. Mospajisja me këtë dokument i nxjerr mjekët dhe stomatologët jashtë kontrollit të standardeve, duke i bërë ata me pak të besueshëm tek pacientët. Kjo vjen në një kohë kur kriza e besimit të pacientëve tek mjekët është çdo ditë e prekshme

6 muaj
kanë bluzat e bardha që neglizhojnë të zbatojnë aktet nënligjore, duke rrezikuar të jenë të jashtëligjshëm në profesionin e tyre, për shkak të mosakredtimit të standardeve profesionale nga ky urdhër

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura