
TIRANE- Kryesocialisti ka nisur një vizitë treditore në Kosovë, ku takoi dje Kryeministrin kosovar Hashim Thaçi. Rama ka shprehur pas këtij takimi kënaqësinë se do ta festojë shpalljen e pavarësisë në Kosovë.
“Kam kënaqësinë dhe privilegjin që festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, ta kaloj në Republikën e Kosovës”, u shpreh Rama. Kreu i selisë rozë i ka dhuruar Kryeministrit Thaçi një kopje të programit të PS dhe “Kurban”-in e tij. “E uruam njëri-tjetrin, dhe më lejoni që t’i uroj të gjithë shqiptarët për këto festa dhe gjithë të mirat për ta. Gjithashtu kisha kënaqësinë që të marr edhe librin nga z. Rama, për të cilin e uroj dhe e përgëzoj për mjeshtërinë e tij në të shkruar dhe prezantimin që i ka bërë. Prandaj i uroj edhe njëherë sukseset më të mira z. Rama në politikë, në karrierën e tij, në punën e tij”, u shpreh Thaçi. “Folëm për procesin e integrimit që shpresojmë të hapet dhe të ecë me shumë shpejtësi për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Pata kënaqësinë që t’i dhuroj Kryeministrit edhe një kopje të programit tonë të ri, programit të PS-së dhe të opozitës shqiptare. Është një ide e rëndësishme që po zhvillojmë në aspektin e arsimit, si ajo e një sistemi të unifikuar arsimor të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe t’u krijojmë mundësi të gjithë fëmijëve dhe të rinjve që të arsimohen dhe të edukohen brenda të njëjtit sistem”, ka thënë Rama. Duke folur për çështjen e Kosovës, Rama u shpreh se në Shqipëri opozita dhe pozita kanë një qëndrim të unifikuar për Kosovën. “Ne jemi të gjithë të një zëshme dhe nuk ka asnjë dallim mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri lidhur me atë që i takon asaj, rruga e Kosovës drejt integrimit europian dhe rruga e përbashkët drejt një kombi shqiptar të integruar në familjen europiane”, ka thënë Rama. Kryeministri kosovar theksoi se në takimin me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy shteteve në fusha të ndryshme në interes për të dyja vendet. “Ne biseduam për bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe një kontribut është duke luajtur edhe opozita. Ne biseduam për bashkëpunimin tonë në të gjitha sferat ndërshtetërore mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Shqipërisë, edhe për ato ekonomike, diplomatike, planifikimet për arsimin, në aspektin kulturor. Gjithashtu, kjo vizitë është edhe në prag të festave të nëntorit, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, flamurit kombëtar dhe për këtë uruam njëri-tjetrin”, ka thënë Thaçi. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nisur sot vizitë treditore në Kosovë, gjatë së cilës do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasiniqi, si dhe do të marrë pjesë në përurimin e librit të tij “Kurban”. Kryesocialisti mbërriti në Prishtinë pas një qëndrimi treditor në Bruksel, ku zhvilloi takime me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, por dhe drejtues të lartë të Partive Socialiste Europiane, si Papandreu, Ajala dhe Shultz. Ai mori pjesë në Konferencën dyditore në Partive Socialiste Europiane për çështjet e demokracisë dhe krizës ekonomike europiane.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











