“Rama urdhëroi vasalët e tij që të mos votojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut”- Berisha: Duhet menjëherë të japë dorëheqjen, do shembet si kulti satanik i Enver Hoxhës

Feb 24, 2026 | 13:05

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se dënon qëndrimin e socialistëve në Këshillin e Mandateve, që sipas tij, morën urdhër nga Rama që të votojnë kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Në konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se nuk i heq imunitetin Ballukut, pasi e di që pas saj edhe ai e ka vendin tek drejtësia.

“Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga pushteti. Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin dhe urdhrin e tij ndaj vasalëve të tij, që të mos votojnë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky është rasti i tretë në të cilin Edi Rama është vetë direkt i implikuar. Ai nuk hoqi imunitetin e Saimir Tahirit sepse ndante me të trofeun e drogës dhe trafiqeve.

Ai nuk hoqi imunitetin e ndrikull Xhaçkës, e kuptoni jo vetë, sepse është aksioner në vjedhjen tokë publike të 10 mijë metër katrorë. A mund të imagjinoni ju, kryetari i Bashkisë së Himarës, burgoset sepse ka firmosur dokumente të falsifikuara nga Xhaçkat, por lidhjet e tyre të ngushta me Edi Ramën dhe interesat kriminale i bëjnë këta imunë.

Dhe ai tani nuk heq imunitetin e Lubi Ballukut, sepse e di se fill mbrapa shkon ai. E di se ai është kryehajduti dhe kreu i organizatës kriminale.”, deklaroi kreu i PD.

Sipas tij, Ramën nuk e heq dot drejtësia, por populli shqiptar: “Për të gjitha këto ka vetëm një zgjidhje, dorëheqjen e tij të menjëhershme. Por, siç është bërë tashmë e qartë, Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Edi Ramën nuk e heq dot drejtësia, Edi Ramën nuk e heq dot komuniteti ndërkombëtar, por atë do ta heqin shqiptarët, do ta shembin atë njëlloj si kultin satanik të Enver Hoxhës”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura