Rama: Të kontrollohet gjuha që përdorim nëpër tavolina

Nov 8, 2011 | 10:31
Edi Rama

Kryesocialisti kërkoi dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar që të hiqet dorë nga konfliktet dhe përplasjet e brendshme për shkak të listës së Aasamblesë Kombëtare. Duke folur para deputetëve, Rama është shprehur se “Nuk është nevoja të merremi me njëri-tjetrin, por të japim shembullin më të mirë se dimë të sillemi dhe të mos degjenerojmë në debate shterpe pa vlerë. Është mirë të kontrollohet gjuha që përdorim në tavolina ndaj njëri-tjetrit, sepse nuk i vlen askujt”. Dje, në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, ra në sy mungesa e nënkryetarit të grupit, Erjon Braçe dhe e deputetit të qarkut të Fierit, Albert Çaçi, protagonistë në debatet me sekretarin organizativ të Partisë Socialiste, Blendi Klosi. Më tej, Rama ka kërkuar një punë intensive të të gjithë deputetëve, për të diskutuar programin e miratuar nga Kongresi me të gjithë anëtarësinë e PS, por edhe më gjerë. “Njerëzit dëgjuan vizionin tonë për një rilindje shqiptare. Janë të panumërta komentet dhe postimet elektronike për programin e shpalosur. Ka entuziazëm, por ka krejt natyrshëm edhe dyshime në realizueshmërinë e angazhimeve të forta që programi ynë përmban. Të jemi të qartë edhe një herë; Programi i shpalosur në Kongres nuk është fjala jonë e fundit, po vetëm hapi ynë i parë në rrugën e re që u propozojmë shqiptarëve. Duke nisur nga nesër, “Libri i programit” do t’u shpërndahet të gjitha organizatave socialiste, nga Bajram Curri deri në Konispol”, u shpreh Rama. Kryesocialisti paralajmëroi nisjen e një turi në të gjithë vendin për kursin e ri të PS. “Të gjithë bashkë, nga unë e nga çdo deputet, do të nisim kontaktet intensive me partinë për të diskutuar programin. Këto kontakte do të shtohen javët e ardhshme dhe me përfshirjen e anëtarëve të rinj të Asamblesë Kombëtare në mbarë territorin”, u shpreh kryesocialisti.

Berisha: “Kurbani i UFO-s nuk pranohet”

Kryeministri Berisha dje në grupin e PD

Duke folur në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha është ndalur edhe te Kongresi që zhvilluan dy ditë më parë socialistët. Kreu i maxhorancës e cilësoi Kongresin si një autobus që ndjek vetëm një rrugë, ndërsa programin, një Kurban që nuk u pranua. “Autobusi i Kongresit ecën para, drejt etërve të tyre, vetëm në atë rrugë. E cilësoi Topalli Kurban-Kongres, por në doktrinë kurbanin duhet ta pranojë i Gjithëfuqishmi, dhe kurbani quhet kur pranohet. Por, kur nuk pranohet, shkon kot. Atij nuk iu pranua, UFO-t nuk kanë shanse të pranohen. Z. UFO nuk pranohet, tentativa e tij dështoi”, tha Berisha në mbledhjen e sotme të Grupit të PD.

© Panorama.al

Te lidhura