Rama takim me drejtorët e Bashkisë: 12 veta japin dorëheqjen

Jul 17, 2011 | 11:09

Ish-kreu i Bashkisë së Tiranës zhvilloi të premten takimin e fundit me stafin drejtues të saj.Në mesditë, në sallën “Shekspir” të teatrit “Metropol” të bashkisë së Tiranës, në praninë e mbi 30 drejtorëve dhe stafit të ngushtë të tij, Rama i ka falënderuar të gjithë për punën e mirë që kanë bërë në sektorët që kanë mbuluar në këtë Bashki. Të pranishëm ishin administratori i Bashkisë, Dritan Agolli dhe dy nënkryetaret, Albana Dhimitri dhe Vali Bizhga dhe të gjithë drejtorët e sektorëve, me të cilët Rama zhvillonte çdo të hënë mbledhjet periodike. Kreu socialist, ish-kryetar i Bashkisë Tiranë, ka shprehur superlativa për performancën e administratës së Bashkisë, duke e cilësuar atë si i vetmi institucion me fytyrë europiane në Shqipëri, ku mbi të gjitha ka mbizotëruar profesionalizimi. Edhe pse Agolli e dy nënkryetaret Dhimitri dhe Bizhga i kanë dorëzuar ditë më parë dorëheqjet e tyre kreut në detyrë të Bashkisë së Tiranës, të premten, drejtorët e sektorëve i kanë dorëzuar Ramës dorëheqjet e tyre. Sipas tyre, dorëheqjet bëhet për arsye morale, por dhe politike. Ata e konsiderojnë të pamundur të punojnë me kryetarin e ri të Bashkisë, Lulzim Basha, pasi kanë mbështetur vazhdimisht qëndrimet e kreut të këtij institucioni, por dhe të PS për implikimet korruptive të Bashës në “Rrugën e Kombit”, Durrës-Kukës, por e bëjnë atë gjithashtu përgjegjës të vrasjes së katër protestuesve në 21 janar. Gjithashtu, ata janë shprehur se Basha nuk e ka fituar mandatin e tij, por e ka marrë në tavolinë përmes KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor. Mësohet se Rama ka pranuar dorëheqjet e tyre dhe i ka firmosur ato. Edhe pse janë mbështetur nga i gjithë stafi i drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, dorëheqjet mbeten akte individuale, ndërsa vetë drejtorët nuk kanë dashur t’i trajtojnë ato si akte kolektive.
Dreka
Pas këtij takimi, Rama është ndarë zyrtarisht prej tyre, duke lënë pas kostumin zyrtar të kryetarit të Bashkisë, për të vazhduar me mandatin e kryetarit të partisë më të madhe opozitare. Drejtorët e pranishëm në këtë takim, së bashku me administratorin dhe nënkryetaret e Bashkisë kanë drekuar të gjithë së bashku. Ata kanë zgjedhur një restorant që ndodhet përballë pallatit ku banon kryeministri Berisha, ndërsa Rama nuk i ka shoqëruar ata për shkak të impenjimeve familjare të tij. Mësohet se drejtorët e bashkisë kanë nisur lejet e zakonshme që u takojnë me ligj për këtë vit, ndërsa një pjesë e mirë e stafit të bashkisë, që përfiton nga statusi i nëpunësit civil, pritet të shfrytëzojë imunitetin që i jep statusi për të ruajtur vendin e punës. Por, nuk janë të paktë ata që kanë nisur të shfrytëzojnë njohjet e tyre shoqërore dhe miqësore për të mbajtur vendin e punës, pasi i druhen një reforme strukturimi të administratës së kësaj Bashkie. Nga 432 punonjës që ka administrata e Bashkisë së Tiranës, 70% e tyre gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Por situata në bashkinë më të madhe në vend, pas vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor është e paprecedentë për këtë institucion. Përveç zyrës së informacionit të Bashkisë, zyra që ka të vetmin kontakt me qytetarin, asnjë nga shërbimet e tjera nuk funksionon dhe Bashkia duket si një godinë e braktisur. Braktisja duket që në zyrën e kryetarit, ku dy breshkat që ndodheshin në atë zyrë prej vitesh, pikturat, biblioteka personale e Ramës, të gjitha janë transferuar prej ditësh nga Bashkia, disa në zyrën e tij në Partinë Socialiste e të tjerat në shtëpi. Këtë javë pritet që Bashkia e Tiranës të nisë mandatin e ri.

Java e ndryshimeve

Nga dita e hënë, në Bashkinë e Tiranë do të nisë procesi i rotacionit të pushtetit. Fillimisht me Këshillin Bashkiak e më pas me kryetarin e ri të Bashkisë, Lulzim Basha, ky institucion pritet të nisë nga puna duke i dhënë fund të gjithë procesit zgjedhor të 8 majit, edhe pse bashkitë e tjera në të gjithë vendin kanë kohë që kanë nisur nga puna. Sfidat e reja për qytetin u bënë të njohura në projektin e kreut të ri të Bashkisë.

Në takim me Ramën

• Dritan Agolli,
administrator i Bashkisë
• Albana Dhimitri,
nënkryetare
• Vali Bizhga,
nënkryetare
• Sonila Qato,
Drejtore e Urbanistikës
• Pal Doçi,
Drejtor i Shërbimeve
• Ardit Kaja,
Drejtor i Inspektoratit të Ndërtimit
• Albana Koçiu,
Drejtore e Infrastrukturës
• Anila Shehu,
Drejtore e Pastrimit
• Zyhdi Dajti,
Drejtor i Policisë Bashkiake
• Keti Treska,
Drejtore e Burimeve Njerëzore
• Hamdi Bonati,
Drejtor për Kontrollin e Territorit
• Enton Punavia,
Drejtor i Transportit

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura