Rama: T’u themi kurrë më qoftexhinjve të Saliut

May 6, 2011 | 11:03

Kryetari i PS, Edi Rama, ka zhvilluar në Vlorë, Elbasan e Koplik mitingjet përmbyllëse të fushatës elektorale, prej nga ka kërkuar përhapjen e frymës së fitores në të gjithë vendin.”Më 8 maj Vlora do të përcjellë kudo frymën e fitores. Më 8 maj qytetarët vlonjatë do të votojnë për Shpëtim Gjikën dhe Aleancën për të Ardhmen”, u shpreh Rama, duke kërkuar votën e çdo qytetari për të mbështetur Partinë Socialiste dhe kandidatin e saj, Shpëtim Gjika. Kryesocialisti nënvizoi se programi që ofron qeverisja e majtë synon zhvillimin e Shqipërisë sipas standardeve të vendeve europiane, ndërsa sipas tij, maxhoranca nuk ofron asnjë model qeverisjeje. “Saliu, edhe kësaj radhe ka fyer rëndë Vlorën me kandidatin që ka zgjedhur për Vlorën dhe vlonjatët, dhe jo vetëm Vlorën, por dhe Tiranën, Durrësin, që është injorant që nuk di ku është varri i Ismail Qemalit; Korçën, i cili shet qofte dhe raki, një qoftexhi; Elbasanin me një matrapaz, po kështu dhe Kamzën. Këta ia ka sugjeruar Iliri. 8 maji do të lërë në baltë dhe do të largojë qoftexhinjtë e Saliut. Kurrë më! Ju këtu në Vlorë e njihni më mirë Saliun, sepse ai po bën shantazhe, kërcënime, sepse ka frikë nga 8 maji, ka frikë nga vota. Për t’u thënë qoftexhinjve kurrë më!”, u shpreh Rama. Kreu socialist ka premtuar se çdo qytet i vendit do të ketë një infrastrukturë moderne. “Ne do të angazhohemi për të ndërtuar Europën në Shqipëri. Ne do të krijojmë një administratë publike transparente. Qytetet do të kenë rrugë të shtruara dhe një transport publik modern”, u shpreh Rama. Kryesocialisti, duke detajuar paktin qytetar të Aleancës për të Ardhmen, tha se një tjetër prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik, i cili, sipas tij, do të arrihet me votën e qytetarit për Partinë Socialiste. “Do të paguajmë 50 për qind të qirasë për familjet e pastreha. Qytetarët do të na japin mandatin për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Vota është fuqia magjike e demokracisë. Me votë do të ndëshkojmë keqqeverisjen”, u shpreh Rama.
Nga Kopliku, kryesocialisti kërkoi votë kundër qeverisë, sipas tij, të matrapazëve. “Sot Malësia e Madhe është vendi ku listat e borxheve nëpër dyqane janë bërë zinxhir, që kanë lidhur këmbët e çdo familjeje të zakonshme”. Kryetari i opozitës është ndalur edhe te Pakti Qytetar i Aleancës për të Ardhmen, ku ndër të tjera ka veçuar disa nga angazhimet e këtij pakti: “Më lejoni t’ju them se Pakti ynë Qytetar është pakti i Aleancës për të Ardhmen i Partisë Socialiste dhe i imi personalisht me çdo qytetar të këtij vendi për të hapur së bashku në katër vitet e ardhshme 300 mijë vende të reja pune”.

Prezantohet projekti i Parkut të Qendrës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi dje fazën e parë të projektit për Parkun e Qendrës së kryeqytetit. Sipas projektit, rruga “Abdi Toptani” do të jetë pjesë e Parkut të Qendrës së Tiranës. “Parku i Qendrës integron të shkuarën. Ai do të jetë hapësirë e ekspozimit të traditës, pasi në të do të bëhet ekspozimi i natyrës dhe veprave të artit”, u shpreh Rama. Ndër të tjera, në këtë takim Rama deklaroi se janë në rrugën e zbatimit edhe dy projekte të mëdha, siç është ai i Parkut të Liqenit dhe i Stacionit të Trenit.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura