Nga para kryeministrisë, ku mbajti Foltorjen e radhës kundër qeverisë, Sali Berisha theksoi se Edi Rama do të ketë të njëjtin “fat” si Nicolas Maduro në Venezuelë. Sipas Berishës, operacioni i ndërmarrë nga SHBA kundër regjimit të Maduros ka shkaktuar “tmerr, panik dhe ngricë ” te kryeministri Rama.
Kryedemokrati u shpreh se viti 2026 i ngjan, sipas tij, periudhës së rrëzimit të diktaturave komuniste, duke shtuar se sot format më të përhapura të autoritarizmit janë “narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale”.
“Viti 2026 ngjason shumë në histori me vitin e rrëzimit të diktaturave komuniste njëra pas tjetrës. Sot diktaturat më të përhapura janë narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale. Lavdi Zotit, ushtria amerikane, qeveria e SHBA, në një operacion më të përsosurin në histori, arrestuan dhe nxorën sot para gjyqit Ramaduron e Venezuelës, apo Maduron e Venezuelës. Mediat e majta, të kontrolluara nga qeveria në Sghqipëri, nga mëngjesi gjer në darkë u bien borive se u shkel sovraniteti, se kjo shkeli ligjin ndërkombëtar.
Miq, dhunuesit më të mëdhenj të sovranitetit të kombeve, dhunuesit më të mëdhenj të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar janë diktatorët dhe diktaturat. Rrëzimi i tyre është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar, ligjin kombëtar, për qytetarët e vendeve të shtypura. Nuk ka sovranitet vendi në të cilin zgjedhjet zëvendësohen me farsë elektorale. Narko-diktatori apo diktatori që shndërron zgjedhjet në farsë shkelmon dhe asgjëson sovranitetin e kombit të tij. Ai nuk meriton një ditë të qëndrojë në pushtet.”, u shpreh Berisha.
Berisha përsëriti akuzat se Rama i ka shndërruar zgjedhjet në një farsë elektorale dhe se mandatet e tij, sipas tij, “qëndrojnë mbi krimin”. Ai u shpreh se qeveria ka marrë mandate që i përkisnin opozitës. Berisha theksoi mes të tjerash se, ashtu si Maduro, edhe Rama ka cenuar sovranitetin e vendit duke deformuar vullnetin e qytetarëve përmes zgjedhjeve. Ai shtoi se emigrimi masiv nga Shqipëria është dëshmi e keqqeverisjes, duke deklaruar se nga vendi janë larguar rreth 40 për qind e shqiptarëve.
“Presidenti Trump, nga dje gjer sot, ka përsëritur se ti Maduro je i pari, të tjerë do vijnë pas teje dhe u ka dërguar mesazhe njëri pas tjetrit. E vërteta është se ky akt solli ngricë të madhe, tmerr, terror dhe ferr në Surrel. Edi Rama ngriu, e kyçi dje podkastin e tij ‘Mashtrojmë’, s’e çeli një fjalë goje. Publikoi një artikull me emrin e dy mashtruesve ordinerë të tij, Endri Kajsiu, në të cilin thoshte jo, jo, mos kujtoni se jam Maduro, se Shqipëria nuk ka naftë sa Venezuela. Sepse Shqipëria kështu e ashtu.
Tani u them unë se pse ky është Ramaduro. Sepse ky njëlloj si Ramaduro ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale. Mandatet e tij qëndrojnë mbi krimin. Ka marrë mandatet e opozitës. Ky është njëlloj si Maduro sepse ky është i lidhur direkt me kartelet më të fuqishme të drogës në Europë.”, shtoi Berisha.
Duke përmendur skandalin dhe abuzimet me tenderat nga AKSHI, për të cilin SPAK ka lëshuar disa masa sigurie, Berisha shtoi se qeveria nuk e meriton që të qëndrojë më në pushtet.
“Ky kontrollon me Franc Çopjat e tij çmimin e kokainës në tregun e saj në Europë. Ky është sa Maduro për shqiptarët, se në qoftë se Maduro ka përzënë nga vendi i tij 20 përqind të popullatës me varfëri dhe mjerim, Ramaduro ka përzënë nga Shqipëria 40 përqind të popullatës. Ky është më keq se Maduro sepse në qoftë se Maduro preferonte edhe ai pijet e forta, ky preferon verat 33 mijë euro shishen. Imagjinoni ju se ç’është ky. Dhe me Lindat e tij vjedh qindra e qindra milionë euro nga AKSHI. I zhduk ato në drejtime krejt të paditura. Në qoftë se Sesilia e Maduros merrte taksa për avionët e drogës, Olsi i Ramaduros instalonte fabrikën e parë të drogës në Xibrakë.”, u shpreh kryedemokrati.
© Panorama.al











