Rama: Sa herë nafta do kalojë 220 lekë për litër, do të ulim akcizën me 20%! Së shpejti, enti shtetëror që ndërhyn në tregun e naftës

Mar 21, 2026 | 13:03

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se çmimi i naftës mund të rritet më tej, si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe ndikimit në tregjet globale.

edi ramaa

Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama bëri të ditur se nëse çmimi i naftës kalon nivelin prej 220 lekësh për litër, do të aplikohet  një ulje prej 20% e akcizës. Ai tha se qeveria ka vënë në lëvizje edhe Bordin e Transparencës për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë kur është e nevojshme.

“Siç kemi mësuar nga ato që ndodhin larg nesh, jetojmë në një botë të lidhur në zinxhirin e vet ekonomik saqë çdo krizë larg nesh projektohet edhe tek ne. E kam fjalën për atë që po shfaqet si impakt i drejtpërdrejtë të luftës së SHBA dhe Izraeli i kanë hapur regjimit kriminal të Teherani. Impakt në të gjitha pompat e furnizimit me naftë e benzinë.

Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje dhe për këtë arsye kemi vendosur në lëvizje Bordin e Transparencës dhe kemi marrë vendim që për çdo ditë ku çmimi do kërcejë mbi tavanin e 220 lekë do ketë menjëherë një ulje me 20 % të akcizës së naftës. Fatmirësisht jemi në kushte kur kemi një borxh dhe deficit jo vetëm nën kontroll por edhe të ulët që na mundëson të kemi hapësirë për të mos lënë vetëm askënd, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë”, tha Rama.

Gjithashtu, ai konfirmoi se është në proces krijimi i një entiteti shtetëror që do të ndërhyjë në tregun e naftës. Ky mekanizëm, sipas tij, do të ketë si synim garantimin e rezervave shtetërore, monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe sigurimin e furnizimit, për të shmangur çdo formë abuzimi apo spekulimi me çmimet.

Në të njëjtën kohë, kryeministri njoftoi se brenda një apo dy muajve pritet të finalizohen edhe masa të reja për forcimin e kontrollit në tregun e karburanteve, me fokus luftën kundër evazionit dhe kontrabandës së naftës, që sipas tij, vijon të mbetet problem në sektor.

“Do të krijohet së shpejti një entitet shtetëror që do të ndërhyjë në tregun e naftës. Po punohet për këtë dhe që do të marrë përsipër një veprimtari që do të shkojë nga garantimi i rezervës shtetërore te monitorimi i vazhdueshëm i tregut dhe patjetër edhe tek sigurimi i furnizimit për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet.

Ndërkohë që jemi në fund të një procesi që do të materializohet në një apo dy muajt në vijim për të futur dy komponentë të rinj në monitorimin e tregut të naftës, që do të sjellin rezultate të shpejta edhe në aspektin e evazionit dhe kontrabandës së naftës, e cila vazhdon të jetë prezente në sektor”, shtoi Rama.

© Panorama.al

Te lidhura