Rama: Rrëfimi për Nanon, ministrat dhe ndarja me Metën

Nov 10, 2011 | 9:10

Rama shtrengon duart me djalin, Gregorin

Pjesë nga libri “Kurban” i kryetarit të PS
“Metës i shpjegova idenë e boshtit PS-LSI, më tha: ‘Mirë flori’ dhe iku me Berishën”
Përpara se sa t’ua komunikoja kryetarit të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit “po”-në time për kandidaturën, shkova te varri i babait. I detyrohem tim ati vend në këtë rrëfim, sepse kur ishte gjallë, në kohën e regjimit të vjetër, pati shumë arsye të merakosej, shpeshherë thellë, për shkak të bindjeve të mia gjithnjë e më të hapura kundër atij regjimi, e më pas, në vitet e pushtetit të ri, për shkak të pozicionimit tim publik kundër sundimit antidemokratik të Saliut, që në fillimin e vitit të egër ‘97 solli nëpër një natë të acartë me shi e llucë në hyrjen e shtëpisë sime të vjetër te parafabrikatet e periferisë ku jetoja, matanë Parkut të Autobusëve, njerëzit e pritës gjakosëse ku desh lashë kokën.
Për Fatos Nanon
Rikthimi triumfal në kongresin ku u konfirmua kryetar i PS-së me një ringritje spektakolare nga thuajse hiçi kundër gjithë parashikimeve, duke mundur Pandeli Majkon me një grusht votash të siguruara nga Ilir Meta, ia kishte përndezur më keq atë dëshirë; kompromisi me këtë të fundit s’ishte tjetër veçse një manovër dinake për të ngrënë një nga një kokat e kundërshtarëve të futura në rreth, duke e ndjekur planin e hakmarrjes si rimishërimi i Kontit të Montekristos, të cilin e sillte nganjëherë në biseda duke qeshur, po jo edhe aq me të qeshur, po e përjetonte realisht, falë edhe natyrës së tij prej aventurieri gjysmëromantik e gjysmëmarifetçi, i dashuruar me veten si pakkush, sa i zgjuar, aq i palexuar, sa i vetësigurt në shfaqje, aq i luhatur në brendi, sa veshëhapur për gjithçka gjithnjë e më i zellshëm për të mos dëgjuar me gjithë mend asgjë serioze, sa i dhënë pas pushtetit të tij mbi të tjerët, aq i papërgjegjshëm në shpërdorimin e pushtetit të marrë nga të tjerët. U mërzit shumë kur në një nga bisedat e fundit para dështimit katastrofik të vitit 2005 i thashë në një tavolinë miqsh e kolegësh: “Je si një fëmijë që, kur pushtetin e sheh si një lodër në dorën e të tjerëve, çmend dynjanë me kujën tënde, derisa e merr lodrën; po me ta marrë, ulesh përtokë dhe fillon e zbërthen çika-çika, derisa s’të mbetet më gjë në dorë”, por ajo ishte, për fat të keq, marrëdhënia e Fatos Nanos me pushtetin.
Gjithsesi, e vërteta është se krisjen, që pastaj u bë thyerje përfundimtare e miqësisë së vdekur në ngricë, e shkaktova unë, jo Fatosi. Në harkun e pak më shumë se një viti pasi isha zgjedhur kryetar bashkie, shumë gjëra të papëlqyeshme kishin ndodhur në mjedisin e Partisë Socialiste. Në këndvështrimin tim, ajo ishte koha që fatalisht përcaktoi edhe rikthimin e pabesueshëm të Saliut në pushtet katër vjet më pas, për shkak të rënies së PS-së në një batak të shpifur, era e të cilit sot e gjithë ditën s’ka ikur plotësisht nga mjedisi i partisë më të madhe të shqiptarëve. Nëse koha do të mund të kthehej mbrapsht, s’do ta kisha bërë më atë batutën e bujshme të krahasimit të Fatosit me Robert Çamçakëzin, dembelin “me shfaqje të huaja” të portit të Durrësit në një film kult të socrealizmit për heroin e klasës punëtore, Adem Reka. E vërteta është se, për dreq, ai parazit simpatik që rrumbullohej paq, fishkëllente këngë të huaja, shpotiste kalimtaret dhe tërhiqte mbi vete sa energjitë negative të gjithë kantierit e sa interesimin e spektatorëve, ngjante për kiamet me Fatosin e kohës së katharsisit të bubullimshëm nëpër pijetoret e katundeve të Shqipërisë, ku kryetari i Partisë Socialiste i vuri kazmën jo vetëm qeverise socialiste të Ilir Metës, as edhe vetë partisë që udhëhiqte, po më thellë akoma, themeleve morale dhe etike të debatit politik e shoqëror në këtë vend. Pikërisht në atë proces antipolitik u bë modë çka gjer më aty kishte qenë vetëm veshja e përbuzshme e retorikës politike të Saliut.
Për ministrat e Nanos
S’kam dëshirë, megjithatë, të mendosh se gjatë periudhës së dytë të qeverisjes socialiste, madje edhe në dy vjetët e fundit të saj, që ishin më të këqijtë, s’shoh dallime me vitet e errëta që kaloi pushteti vendor në përgjithësi e Bashkia e Tiranës në veçanti pas errësirës që solli rikthimi i Saliut, në asnjë mënyrë jo, dallimet qenë mjaft të ndjeshme. Ministrat e Fatosit, ashtu si ministrat në çdo qeveri socialiste, kishin përgjithësisht ndaj punës sensin e institucionit, të ligjit e të edukatës publike dhe gjithashtu, një lloj autonomie që në qeveritë e Nanos, po veçanërisht në të dytën, buronte edhe prej faktit që ai vetë s’ua kishte gjëkundi ngenë punëve të shtetit, përtonte si dreqi të merrej seriozisht me to, as ishte tipi që donte të kontrollonte më shumë sesa autoritetin e vet mbi ta, jo për punë, po për shijen e pushtetit, për linin, për tekat, gërdufjet e zdërhalljet që i jepnin vetëndimjen e të qenit lideri siperan dhe, sigurisht, për ato interesa që e lidhnin drejtpërdrejt me burimet materiale të një të jetuari “ku rafsha mos u vrafsha” prej aventurieri endacak, brenda një hallakatjeje korruptive ku gjithkush bënte ç’të donte e një dorë kanakarësh parellinj të kryeministrit kontrollonin, me post shtetëror a me celular nga pikëlidhjet miqësore me të, disa pika kyçe të funksionimit të shtetit, ku nxirrnin përfitime për vete e për atë vetë në formë rente ose buxhetesh për vakanca e lojëra të shtrenjta fati. Me disa ministra e gjenim shpesh gjuhën për punesa që per bashkinë kishin rëndësi të madhe, ndërsa për ta ishin shprehje e dëshirës për të ndihmuar shoqërisht përtej frymës penguese që kishte mbjellë kryeministri e pavarësisht shkulmeve të destruktivitetit të tij në momente të caktuara. Kështu, ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, s’na la asnjëherë në baltë kur ekskavatori i stërlodhur i fushës se mbeturinave të Sharrës gërhiste i bllokuar dhe një ekskavator i fuqishëm i ushtrisë ishte i vetmi shpëtim prej kolapsit kërcënues të punës së përnatshme; Agron Duka e paguante vetë me lekët e kompanisë së tij private një ekskavator krahëgjatë të Ministrisë së Bujqësisë, nga ata të pastrimit të kanaleve kulluese, kur Lana ende e pasistemuar, siç u bë më vonë, fryhej prej mbeturinave që sillnin shirat e fortë e dilte nga shtrati, sidomos poshtë tek ura e Shkollës Teknologjike; Fatmir Xhafaj, ministri i Drejtësisë, uli disa herë stafin e tij teknik për të hapur kanalin e bllokuar të komunikimit institucional me Kryeministrinë, ku ngecnin kërkesat e propozimet tona për ndërhyrjet e domosdoshme ligjore në kushtet e një legjislacioni regresiv e pengues; Blend Klosi, ministri i Kulturës, përherë gjente rrugë për të na ndihmuar me mundësitë shumë modeste të asaj ministrie, e pas ikjes sime që aty ishte i pari që u përpoq ta rivinte në lëvizje me ide e projekte interesante atë dikaster. Te Bashkim Fino, “pajtuesi i gjaqeve”, dera për mua që gjithnjë e hapur edhe pse shumë shpesh s’mund të na e hapte derën për kërkesat tona; e njëjta gjë edhe me Angjelin a Malajn në Ministrinë e Financave, ku patëm gjithnjë, në ditë të vështira, ndihmën e papërtuar të zëvendësministres Adriana Berberi.
Ndarja me Metën
Një stuhi e re politike, e gjatë dhe sfilitëse, ra mbi Bashkinë e Tiranës kur Ilir Meta bëri piruetën e radhës duke shpallur largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste për të luftuar, siç tha ai, kundër pazareve të PS-së me PD-në, vetëm 48 orë pasi i kisha folur hapur për idenë time të reformës zgjedhore. Qemë ndarë miqësisht në zyrën time me fjalën që do të rishihemi shumë shpejt për të vendosur mbi piketat e reformës. E kam përsëritur më shumë se njëherë deri këtu, ky s’është vendi për të shtjelluar rrjedhën e ngatërruar të disa ngjarjeve përcaktuese në rrugëtimin e Partisë Socialiste, megjithatë, besoj se do të më gjykojë keq nëse këtë moment do ta kaloja pa një shpjegim pak më të gjatë se ç’kam hera-herës kur rrëfimi im ka cekur jetën politike për të dhënë kontekstin e gjërave të ndodhura me bashkinë për shkaqe kryekëput politike. E vërteta e atij largimi, të paktën në këndvështrimin tim, është krejt e ndryshme nga ajo që ka fituar qytetarinë në optikën e opinionit, sidomos të zëdhënësve të publikut, kur bëhet fjalë për shkaqet e rindarjes së Ilirit me Partinë Socialiste për t’u rifutur në rrugën vetmitare të LSI-së. Ose, e thënë ndryshe, nuk është aspak e vërtetë që unë desha të imponoj pa kushte sistemin e ri zgjedhor, modelin spanjoll, i cili pastaj u kthye në nen kushtetues, sepse paskam pasur qëllim ”asgjësimin e LSI–së”. E kundërta është e vërtetë, synimi im ishte krijimi i një boshti solid PS-LSI përmes atij sistemi dhe të gjitha shifrat e derisotme, të dy palë zgjedhjeve me sistemin e ri, madje edhe për aq sa ato janë të vërteta në kushtet kur në rang kombëtar ka pasur manipulime të mëdha të votës për subjektet politike opozitare edhe në 2009-n, edhe në 2011-n, tregojnë se me këtë sistem, pavarësisht manipulimeve, edhe koalicioni ynë do të ishte fitues, edhe LSI do të kishte më shumë se katër deputetët që mundi të fuste në Kuvend dy vjet më parë, ndër të cilët mandati i vetë Ilir Metës në Tiranë u sajua me një marifet për të cilin ka dëshmitarë, e nuk u fitua me vota, po iu rrëmbye PS-së në dekikat e fundit. Nënvizoj se, ndryshe nga ç’thashethemohet, unë s’kam asnjë gisht në atë marifet, e kam marrë vesh më vonë, por spekulimi ka lindur nga fakti që kam urdhëruar me mesazh të gjithë kujdestarët elektoralë të partisë sonë të ruajnë, pavarësisht armiqësisë politike, çdo votë të LSI-së, e cila s’kishte anëtarë në komisione dhe rrezikonte të goditej nga vjedhje që kurrë, asnjëherë e për asnjë arsye, Partia Socialiste në qendër s’i ka stimuluar e s’do t’i stimulojë ndonjëherë sa të jem unë në krye, në kurriz të askujt. As të kundërshtarit. Jo vetëm aq sa thashë, po jam i bindur se falë sistemit të ri, as PS-ja s’do të kishte e vetme shumicën e 71 votave që acaronin paranojën e Ilirit, duke e bërë të frikej se mund të defaktorizohej për shkak të humbjes së çdo ndikimi mbi qeverisjen, as LSI-ja nuk do ta humbte çelësin e kontrollit të shumicës, pa të cilin Ilir Meta s’e kupton dot ekzistencën e tij në krye të asaj partie të vogël. Dhe as boshti PS-LSI nuk do të rrezikohej dot nga ansambli folklorik i koalicionit të Saliut, të paktën sa kohë që Saliu të ishte në krye të Partisë Demokratike. Deri këtu jemi te faktet, jo tek opinionet dhe të gjitha faktet thonë se është kështu. Kush thotë s’është kështu, s’ka fakte, po vetëm opinione pa haze logjike e faktike.
Duke e njohur mirë Ilir Metën, paqëndrueshmërinë e tij, paranojën se çdo njeri që ka pranë kërkon t’ia hedhë dhe delirin e lindur bashke me LSI-në për të futur një sferë të madhe në një sferë të vogël, që i ngrinte krye sa herë ngacmohej prej të qenit në paqe e sidomos prej komplimenteve pa karar a thashethemeve me zarar që i bënte shpura e pandarë e servilëve të tij, injorantë deri në dhimbje e dallkaukë deri në bezdi, me të cilët është rrethuar tradicionalisht për t’u mbrojtur nga ata pak bashkëpunëtorë me mend që ka pasur afër, e ftova për bisedën që bëmë. Sapo kishin nisur debatet e keqkuptimet në shtyp për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kërcënimin jetik që u vinte partive të vogla nga sistemi spanjoll ose, siç u pagëzua qysh në fillim, sistemi i Kaçit, që e bënte kërcënimin e supozuar të dukej edhe më i zi për shkak të reputacionit që Kastriot Islami gëzonte në mjedisin politik, posaçërisht atë opozitar, si “nëna e gjithë intrigave” në familjen socialiste. Shtuar këtu edhe alergjia e lëkurës që u shkaktohej reciprokisht të dyve, Metës e Islamit, kur njëri dëgjonte emrin e tjetrit, s’ishte aspak e zorshme të hamendësoje se terreni psikologjik për reforme ishte i minuar nga mosbesimi total pa nisur ende puna e përbashkët që duhej të bënim për të.
Qëllimi im ishte pikërisht çminimi i atij terreni, duke i folur hapur Ilirit dhe duke i kërkuar që të mos lejonim të na ngatërrohej me llafe rrugësh e kafenesh ai proces që ishte natyrshëm boll i ngatërruar, ndërkohë që pa asnjë dyshim, jo vetëm që s’dëshiroja tkurrjen e LSI-së, po përkundrazi, besoja me bindje të plotë se modeli spanjoll zgjidhte shkëlqyeshëm qoftë ekuacionin e fitores së zgjedhjeve, qoftë problemin e bashkëjetesës së vështirë mes dy partive tona. “Reforma zgjedhore, i thashë pak a shumë, është një proces tejet delikat, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë klasën politike, prek interesa, ngjall orekse, krijon shtigje shumë të shpeshta për dyshime, keqinterpretime, keqkuptime. Unë s’kam asnjë arsye në botë ta fus reformën në një rrugë që na ndan. Modeli spanjoll më duket absolutisht më i përshtatshmi, të paktën nga sa unë kam lexuar mes modelesh të ndryshme, qoftë për PS-në, qoftë për LSI-në. Por nëse ty kjo nuk të rezulton kështu, jam plotësisht i gatshëm të vendosim ndryshe. E vetmja gjë që të kërkoj është që konkluzionet t’i nxjerrim jo me hamendje, as me dyshime reciproke, as me llafe që ikin e vijnë vesh më vesh dhe ty të ndikojnë për keq. Mblidh njerëzit e t’u të besuar, ata që marrin vesh nga kjo punë, jepu detyrën të bëjnë analizat përkatëse dhe më thuaj. Nëse do të flasësh edhe me Kastriotin, e ke në dispozicion për të gjitha sqarimet tona”.
Duhet një penë që unë s’e kam për ta vizatuar me fjalë portretin e Ilir Metës kur është i gjithi i pushtuar prej sekëlldisë së dyshimit e të frikës që i shkon në kockë dhe ia paralizon lidhjet mes trurit, figurës e zërit, fytyra i buzëqesh, ndërsa sytë i lëvizin ngado për të mos ndaluar mbi fytyrën e të dyshuarit në karrigen përballë, njërën dorë, atë pa celular, e vë në mes duke kapur rripin e pantallonave, fjalitë që thotë janë të rralla, tek-tuk edhe pa asnjë lidhje me bisedën, një mërmërimë në formë “ë”-je të zvargur i del hera-herës sikur njëkohësisht ndjek bashkëfolësin e i thotë vetes, po të dëgjoj po s’të flas dot tani, çohet për ndonjë telefonatë po pa lidhje, ulet prapë, derisa në fund, pasi dëgjon e dëgjon, plas papritmas në një të qeshur buçitëse me kokën e shtriqur pas e supet që tunden nga gazmendi, pastaj dëgjon edhe njëherë të njëjtën gjë nga ana e bashkëbiseduesit të sekëlldisur po ashtu ngaqë s’i vjen asnjë valë tjetër veç dyshimit të përçuar nga çdo pore e Ilirit dhe çohet duke thënë gjithnjë një frazë që lidhet me një “mirë do flasim”.
Pikërisht kështu e mbylli edhe atë bisedë duke thënë: “Mirë flori, kuptova, do ta shoh e do flasim!”. “Një gjë unë ta them që sot me bindje”, i thashë duke u ngritur në përpjekjen finale, të kotë, që të ngulja gozhdën e shtrembëruar nga goditjet e përsëritura të arsyetimit në veshët e bukosur të Ilirit, ku e ndieja që zëri im hynte vetëm si zhurmë turbulluese. “Me sistemin spanjoll jemi qetësisht fitimtare, të paktën derisa Saliu të jetë në politikë. Nëse ti s’e krijon këtë bindje, gjejmë një zgjidhje tjetër, s’ka asnjë problem”.
Por, fatkeqësisht, për shumicën e këtij populli, problemi kishte lindur dhe zgjidhja tjetër kishte vdekur para se ta kërkonim, lavjerrësit në kokën e Ilir Metes i kishte ardhur ora për të lëvizur djathtas, ndërsa Ilirit dita për të bërë sikur po lëvizte më majtas, që të shpëtonte të majtën, socialistët e vërtetë, vetë Shqipërinë nga një pazar i madh, që në fakt s’ishte gjë tjetër veçse shprehja e frikës së tij imagjinare se mund të mbetej vetë jashtë pazarit.
Dy ditë më vonë e pashë në televizion të deklaronte fillimin e aventurës që, përveç të tjerave, e ktheu në dy vjet makth për kryeqytetin e Shqipërisë, Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili, falë flirtit të Saliut me Ilirin deri në qershorin e vitit 2009 dhe martesës së të dyve në korrik të po atij viti, mbeti dy herë rresht pa buxhet të miratuar, u bllokuan të gjitha investimet nga taksat e qytetarëve, ngrinë projekte të rëndësisë së gjithanshme për Tiranën…

Kreu i PS: Takimet jashtë kamerave me Berishën
“Më është dhënë mundësia ta takoj nga afër Saliun, jashtë kamerave, kur duhej të gjenim një kandidaturë të gjithëpëlqyer për President të Republikës dhe të shoh nga komunikimi i lirë se sa shkathtësisht i vetëdijshëm është ai njeri për rolin e dyfytyrtë që ka zgjedhur të luajë, për talljen e madhe që u bën njerëzve, të vetëve në radhë të parë, për qasjen cinike ndaj pushtetit si qëllim i vetëm për të përfituar vetëm për vete, jo si mjet për të realizuar qëllimet në përfitim të vendit e të popullit të vet, të cilit i flet e flet e flet mu sikur do t’i mbushë mendjen edhe vetes për ato që thotë, përveç; atyre që e dëgjojnë teksa është i gjithi në rol. Mungesa e plotë e besimit se Shqipëria mund të jetë ndryshe, se shqiptarët mund të meritojnë të bashkëjetojnë me një tjetër kod komunikimi, të kenë të tjera pika referimi e rezultate nga ato që u ka imponuar politika e ulët e gjithë këtyre viteve…”

“Më ngjan sikur kam dalë publikisht lakuriq”
Kreu i PS promovon librin “Kurban” në prani të politikanëve e gazetarëve
Libri i Ramës me 444 faqe ishte afishuar në disa kënde në hollin e hotelit, ndërkohë që ai nisi të “përpihej” nga të ftuarit para se ata të hynin në sallën e pritjes. Kreu socialist, bashkë me bashkëshorten Linda, priste dhe përshëndeste miqtë që mbërrinin në këtë ceremoni. Libri i parë i këtyre përmasave, por dhe pesha e kostumit të politikanit, ishin të mjaftueshme që Rama të shprehte momente nervozizmi sa me kamerat që lëviznin nëpër sallë për të fiksuar momente nga pritja, e sa me projektorët që ndriçonin shndritshëm ambientet. Të ftuarit përshëndeteshin me Ramën me libër në dorë, ndërsa ai shkëmbente batuta me ta sikur kishte vite pa i parë. Deputetë socialistë, kryetarë bashkish, gazetarë, analistë, prezantues emisionesh, kritikë arti, nëna e Ramës, Aneta, por dhe të rinj nga FRESSH-i, ishin dje në prezantimin e “Kurban”. Dritat fiken dhe ceremonia e librit për Tiranën dhe Shqipërinë, si ishte dhe si Rama do të donte të bëhej, nis. Për rreth 20 minuta të pranishmit ndoqën një dokumentar jo të panjohur, të xhiruar në 2003-shin, para zgjedhjeve vendore, ku rrëfente Tiranën kaotike, me trotuaret dhe rrugët në konstruksion e me pallatet që kishin nisur të lyheshin me ngjyra kontraktuese dhe në forma kubiste. Sapo dokumentari kishte nisur, pranë çiftit Rama afrohet ambasadori Arvizu, i cili ishte pak me vonesë. Kreu socialist i tregon se çfarë ishte ajo që po shfaqej, ndërsa Linda me kortezi e përgëzon për prezencën në këtë takim. Në film, Rama i veshur me kostumin e dikurshëm të stilit militar, lëviz me një kamion rrugëve në rindërtim duke treguar atë që pritej të bëhej. Më pas, deputetja dhe aktorja Luiza Xhuvani lexon një nga pjesët më prekëse të librit, siç është një përjetim personal i Ramës gjatë kohës që i biri, Gregori, vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas, Arlinda Dudaj, botuesja e librit, tregon jehonën e tij, i cili, sipas saj, “është në ato nivele provokuese sa dhe libra të tjerë të kësaj shtëpie botuese, si Roberto Savianos, që me fjalët e tyre të shkruara kanë frymëzuar njerëzimin”. Në fjalën e tij, i emocionuar dhe i prekur njëkohësisht, Rama, duke treguar stilin e librit të tij, ishte një rrëfim përmes tregimit, u shpreh se “më ngjan sikur kam dalë publikisht lakuriq. E di, siç e dini edhe ju, që s’e kam për herë të parë, po çdo lakuriqësi ka një dobësi të vetën që të bën të ndjehesh i kërcënuar”. Në fund, teksa të ftuarit bisedonin me një gotë shampanjë në dorë, Rama, në një qoshe të sallës, nuk u lodh së dhënë dedikime mbi librin e tij në duart e dashamirësve që sapo e kishin shtënë të plotë në dorë.

Basha takon Blushin: Rama të shkruajë një “Kurban” dhe në 2013
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, shkëmbeu dje batuta miqësore me anëtarin e Kryesisë së PS-së, Ben Blushi, në Panairin e Librit që u hap dje në Tiranë. “Ndërsa në vite shkrimtarët i janë drejtuar politikës, duket se ky panair po shënon për herë të parë një trend revers, atë të drejtimit të shumë politikanëve drejt librit”, tha Basha. Në xhiron tradicionale në secilën prej stendave të shtëpive botuese, kryetari i Bashkisë Basha u takua me deputetin e Partisë Socialiste, Ben Blushi, i cili ndodhej në stendën e botimeve “UET Press” dhe “Mapo Editions”, duke firmosur autografë për lexuesit në faqet e librit të tij më të ri, “Shqipëria”. Takimi mes dy politikanëve – megjithëse të forcave kundërshtare – nuk ishte aspak formal, ku veç shtrëngimit të duarve, ata shkëmbyen edhe batuta mes njëri-tjetrit. Blushi i ka ofruar Bashës librin e tij, duke iu drejtuar: “Merre ‘Shqipërinë’ dhe mëso si të qeverisësh këtë vend”. Ndërsa Basha duke e falënderuar, i ka thënë se do të ishte mirë që Rama të shkruante nga një “Kurban” sa herë të humbte zgjedhjt. “Uroj që ta shkruajë një libër të tillë edhe pas 2013-s”, i tha Basha. Por Blushi i është përgjigjuur aty për arty: “Lexoje “Kurban”-in të mësosh si bëhet sheshi “Skënderbej”.
Kreu i Bashkisë së Tiranës iu përgjigj edhe interesit të medias në lidhje me librin e fundit të kreut të opozitës, Edi Rama. “Në kontekstin që është shkruar, uroj që të shkruajë sa më shumë libra të tillë”, tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura