“Rama retorikë boshe kundër SPAK-ut”- Kaso: Belinda Balluku është prova e të vërtetës për mazhorancën! Kemi kërkuar heqjen e imunitetit, PS po e mbron

Feb 26, 2026 | 15:05

Kryeministri Edi Rama bëri retorikë boshe kundër SPAK dhe sulmoi drejtësinë gjatë fjalimit të sotëm në mbledhjen e zgjeruar me grupin e PS dhe kabinetin qeveritar, duke treguar hapur se nuk i mbështet.

ivi kaso

Kështu u shpreh deputeti i PD, Ivi Kaso, gjatë analizës dhe komenteve të tij për situatën politike, referuar edhe dosjes “Balluku”.

I ftuar në “News 24”, ligjvënësi nënvizoi se Rama dhe mazhoranca po përpiqen me çdo kusht për ta mbrojtur zv/kryeministren duke mos i hequr imunitetin.

Ai mendon se PS do e mbrojë politikisht edhe në raportin që do dalë pas mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve, teksa PD ka kërkuar dorëzimin me votim në Parlament të Ballukut te drejtësia. Nëse socialistët votojnë kundër, sipas Kasos, kjo do jetë prova e të vërtetës për mazhorancën, se është kundër drejtësisë.

“Rama nuk mund të bëjë gjyqtarin e veprimeve të SPAK. Të gjitha verifikimet për imunitetin e Ballukut i bën Gjykata dhe s’mund t’i bëjë as Rama, as Manja as PS-ja. Më 5 mars është seanca e radhës për imunitetin dhe raportin. Ne e kemi dorëzuar raportin tonë, ku rekomandojmë seancës plenare në parlament që t’i hiqet imuniteti Ballukut. Janë të detyruar edhe 5 anëtarët e PS-së që të mbajnë një qëndrim, qoftë pro apo kundër dhe të shprehen për të kaluar në seancë. Sigurisht qëndrimi i tyre do jetë politik. Nëse mazhoranca nuk pranon heqjen e imunitetit, do tregojnë se mbështetja për drejtësinë ka qenë false, propagandë. Do rezultojë retorikë boshë e Ramës për mbështetjen ndaj SPAK”, tha Kaso.

Ligjvënësi denoncoi se qëllimi kryesor i Ramës me nismën për ndryshimin e ligjit dhe Nenit 242 për të ndaluar pezullimin e ministrave nga SPAK, është mbushja e administratës dhe drejtësisë me militantë. Ai e cilëson si prova e të vërtetës.

“Lëvizja dhe fjalimi i Ramës dukshëm tregojnë qëllimin që të mbushë me militantë politikë sistemin e drejtësisë. Dhe kjo është prova e parë me të cilën po bien me kokë brenda. Skandalet janë të pafundme dhe kjo do tregonte qartë se do dilnin hapur kundër drejtësisë. Kjo është prova e të vërtetës”, vijoi deputeti demokrat.

I pyetur për deklaratën e Ramës se Balluku i kishte dorëzuar tre herë dorëheqjen, Kaso komentoi se:

“Nuk ka asnjë provë që Balluku e ka dhënë dorëheqjen, madje ajo as nuk po e jep publikisht këtë dorëheqje, nuk ka njeri që e beson këtë. Nuk ka në asnjë vend të botës që një prokurori nuk pezullon ministrin siç po tenton Rama nëpërmjet ndryshimit të ligjit. Motra e zonjës Balluku, zonja Mogherini, kur pati problemet e saj me drejtësinë, dha dorëheqjen e saj nga çdo funksion dhe i hapi rrugën drejtësisë”.

Ai mendon gjithashtu se Rama ka hall të mall se mos Balluku i shkon në burg, pasi janë 1,2 miliardë euro abuzime me tenderët në rrugë që po shemben, teksa juglindja është e bllokuar tërësisht.

“Tani ka një pra kthehu që nuk guxojnë ta bëjnë publike sepse janë kundër kërkesës së SPAK. Edhe rregullorja e Kuvendit rekomandon mbajtjen e një qëndrimi. Halli i mall e ka shtyrë Ramën në këtë situatë. Ai e tha edhe në një pjesë të mbledhjes…U duk se refuzon të thotë që të thotë se ky është qëndrim i 5 përfaqësuesve të mazhorancës në Këshillin e Mandateve. Nëse do fliste vërtet në cilësinë e kryetarit të grupit do ishte sinjal i qartë që mazhoranca ka vendosur t’i ofrojë mburojë zv.kryeministren për shpërdorimin më të madh të fondeve të pretenduar nga prokuroria nëse provohet që është në vlerën 1.2mld”, u shpreh Kaso.

Kurse për situatën kaotike të rrugëve, ligjvënësi shtoi:

“Sa i përket infrastrukturës rrugore situata e paprecedentë sepse Juglindja prej disa ditësh është e izoluar. Rama të na gjejë një vend ku izolohet një rajon i tërë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një rrëshqitje rruge, por për një korridor të rëndësishëm si Korridori VIII. Një segment i tërë na diel që qenka pas studim gjeologjik, ndërsa aty po punohet prej dy vitesh. Asnjë përgjegjësi nga ministrja që duhet të mbante, unë  e kuptoj që ka hallin e prangave, por ai është hall i saj personal dhe sot dikush duhet të merret me hallin e qytetarëve. Kryeministri duhet të ndajë hallin e tyre personal dhe hallin politik të mazhorancës, i shkon numri dy i mazhorancës i shkon në burg, e ka sot kandidate për burg, me hallin e qytetarëve që duhet të kenë shërbime”.

Gjatë intervistës, deputeti u shpreh se PD është e qartë në qëndrimin e saj dhe mbështet fuqishëm kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut duke nënvizuar se për herë të parë është ngritur në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve por edhe të partnerëve ndërkombëtarë.

“E kemi thënë që në fillim që PD mbështet fuqishëm kërkesën e SPAK që për herë të parë ngrihet në lartësinë e pritshmërisë që kanë shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtare që të arrijë të godasë vërtet persona që kanë pushtet. Në këtë rast kemi zv.kryeministren. Duke nisur nga lloji i kërkesës së SPAK, në total janë 9 procedura dhe për një vlerë kompleksive që dyshohet për shpërdorim të fondeve deri në 1.2 mld euro, vlerë e pabesueshme për mënyrën e abuzimit nëse do arrihet të vërtetohet. Por ndalur edhe te faktet që i janë vënë në dispozicion, ne kemi shprehur kërkesën për heqjen e mandatit”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura