Rama, replikat me Majkon e Pëllumbin në Asamble

Nov 2, 2011 | 9:24

Mbledhja e Asamblesë Kombëtare me dyer të mbyllura nuk ka kaluar pa debate edhe kësaj radhe, në qendër të të cilave ishte programi i PS dhe statuti i ri.  Gjatë diskutimit rreth ndryshimeve statutore, anëtari i Kryesisë, Pandeli Majko, ka debatuar me kreun socialist lidhur me kuotat e PS që duhet të paguajnë deputetët.

Rama është shprehur se në PS ka ende nga ata që nuk paguajnë kuotizacionin e partisë. Por Majko i është përgjigjur se kjo pagesë bëhet rregullisht nga deputetët. “O Edi, ne kemi katër vjet që na mbahen kuotat nga paga që në bankë, por ti atëherë ishe i pamartuar dhe nuk i dije këto, tani ke ndryshuar status…”, mësohet të jetë shprehur Majko. Debatet në vijim janë përqendruar te statuti e kryesisht programi i ri. Edhe pse materiali i përmbledhur i programit që u lexua nga kreu socialist dhe ai i stat- utit iu shpërnda anëtarëve të Asamblesë vetëm kur ata hynin brenda në sallë, mbledhja nuk u shpëtoi vërejtjeve dhe sugjerimeve.

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, ishte më i drejtpërdrejtë dje para anëtarëve të Asamblesë sa i takon funksionimit të PS. Pasi ka parë dhe takuar gjatë gjithë verës socialistë në qytete të ndryshme të vendit, profesori adresoi shqetësimet e veta dje në Asamble. Duke folur për ndryshimet statutore, Pëllumbi i kërkoi grupit të punës, por dhe lidershipit të PS, që të bëjnë kujdes me organizatat socialiste, të cilatjanë njësia bazë e organizimit të partisë.

“Sa i takon stat- utit, do t’i kërkoja më shumë kujdes dhe vëmendje organi- zatës bazë të partisë. Kjo ësh- të një nga hallkat më të rëndësishme të punës së një partie. Mund të konsiderohem si nostalgjik i strukturave tradicionale partiake, por në momentin aktual, siç funksionon partia, me organizata bazë që s’kanë asnjë peshë dhe rol, kur anëtarësimi në PS është ‘on line’ dhe nuk dihet se ku militon anëtari i partisë dhe se ku duhet të japë kontribut, me Asamble dhe Kryesi që nuk funksionojnë, duket si një OJF dhe nuk i ngjan një partie me struktura. Organizatat janë fiktive dhe nuk funksionojnë. Zgjedhjet e fundit e kanë ev- identuar qartë këtë plagë të rëndë në jetën e partisë”, mësohet të ketë thënë profe sori i socialistëve. Por, kjo vërejtje e Pëllumbit, që është e para e tij pas zgjedhjeve të 8 majit, pasi ai nuk mori pjesë në Asamblenë e fundit të mbledhur në muajin korrik, nuk u shoqërua me përgjigje apo kundërshtime nga krerët e PS, duke e lënë në heshtje e duke vazhduar me diskutimet e tjera. Në fund të mbledhjes, deputeti Paulin Sterkaj bëri “konkluzionet e tij” lidhur me debatin, duke shtuar se vërejtjet e bëra për programin dhe statutin tregojnë se njerëzit që punuan me të nuk ishin ajka e PS, por që e njihnin pak Partinë Socialiste.

Debatet ne Asamblene Kombetare te PS

Damian Gjiknuri: Lidhur me koncesionet në program mendoj se duhet të përgatitet një qasje jo kaq ekstreme dhe të mos dilet me masa të tilla anulimi apo zerimi të koncesioneve, por pas një studimi të kemi një ide më të qartë se çfarë duhet rrëzuar, çfarë duhet përmirësuar apo riparë dhe të mos jemi ekstremistë në çfarë është bërë deri tani. Do të ishte më mirë që ne në program të shprehnim se cila është alternativa jonë për koncesionet, çfarë men- dojmë ne të bëjmë ndryshe nga qeveria aktuale.

Arta Dade: Kam një vërejtje për programin. Duhet të përfshihen në program marrëdhëniet e PS me partitë socialdemokrate në kuadrin rajonal, me Internacionalen Socialiste dhe Partitë Socialiste Europiane. Këtu thuhet rreth vlerave të socialdemokracisë, por ne duhet ta përmen- dim në këtë program. Një gjë e tillë është përcaktuar dhe në draftin e përgatitur nga grupet e punës.

Servet Pëllumbi: Lidhur me statutin, do të kërkoja më shumë kujdes dhe vëmendje organizatës bazë të partisë. Kjo është një nga hallkat më të rëndësishme të punës së një partie. Mund të konsiderohem si nostalgjik i struk- turave tradicionale partiake, por në momentin aktual siç funksionon partia, me organizata bazë që s’kanë asnjë peshë dhe rol, kur anëtarësimi në PS është on line dhe nuk dihet se ku militon anëtari i partisë dhe se ku duhet të japë kontribut, me asamble dhe kryesi që nuk funksionojnë, duket si një OJF dhe nuk i ngjan një partie me struktura. Organizatat janë fiktive dhe nuk funksionojnë. Zgjedhjet e fundit e kanë evidentuar qartë këtë plagë të rëndë në jetën e partisë.

Erjon Braçe: Lidhur me statutin, mendoj se duhet vendosur Kryesia e PS së rrethit, pasi ajo do të marrë ven- dime dhe do të koordinojë punën e partisë në rreth me asambletë e rrethit. Është e rëndësishme të kthehet Krye- sia edhe për një fakt tjetër, sepse edhe PD e ka si strukturë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin organizim strukturor. Rrethi ka funksionuar më mirë nga çdo eksperi- mentim që kemi bërë, dhe ai duhet konsoliduar.

Bashkim Fino: I kam thënë në grupin e punës, kam qenë kundër ngritjes së Kryesisë së rrethit dhe i kam dhënë arsyet pse nuk duhet të ngrihet. Deri dje, kur rrethi kishte tjetër funksion përmes konferencave, kryetarëve etj., Kryesia e tij ishte kthyer në një strukturë nga emëroheshin drejtorët, pra si një zyrë pune në nivel të lartë për bazën. Ne kemi vendosur Asamblenë e rrethit, e cila kryen dhe funksionin e Kryesisë.

Pandeli Majko: Unë mendoj se duhet të vendoset Kryesia e rrethit. Madje ne duhet ta fuqizojmë këtë strukturë sepse ndihmon shumë në procesin zgjedhor në rreth. Madje unë do të propozoja që kryetarët e rretheve të jenë funksionarë, pra të kenë një pagesë, pasi ata angazhohen gjatë gjithë kohës me partinë dhe s’mund të jenë part- time. Piramida hierarkike e partisë duhet të zbresë edhe në bazë.

Edi Rama: Partia nuk ka të tilla financa që të përballojë rrogat e kryetarëve të PS-së në rrethe.

Pandeli Majko: Unë do të propozoja trefishim të kuotizacionit që deputetët duhet të paguajnë në parti për të bërë të mundur mbajtjen si funksionarë të kryetarëve të rrethit.

Edi Rama: O Pandi, ka edhe nga ata që nuk kanë paguar kuotat në nivelet e tanishme e jo më t’i rrisim ato.

Pandeli Majko: O Edi, ne kemi katër vjet që na mbahen kuotat nga paga që në bankë, por ti atëherë ishe i pamartuar dhe nuk i dije këto, tani ke ndryshuar status…

Arben Malaj: Kam vërejtje për programin sepse nuk është formatuar si program politik me parime siç kemi bërë vazhdimisht dhe siç veprohet në të gjitha programet e partive. Më shumë kemi të bëjmë me një skaner të keqqeverisjes, sesa alternativa jonë për të ardhmen.

Paulin Sterkaj: Vërejtjet që u vunë në dukje ishin shumë të mëdha, dhe kjo tregon se njerëzit që ju keni mandatuar në grupet e punës nuk kanë qenë më të mirët, nuk kanë qenë nga ajka e partisë, por njerëz që nuk e njohim mirë partinë.

 

Platforma “Malaj”, diskutimi në Kongres

Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, mësohet se do ta hedhë për diskutim në Kongres platformën e tij për modernizimin e partive. Dje, prezent në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Malaj nuk hapi diskutim rreth kësaj platforme dhe tezat e saj, ndërsa mësohet se ajo do të jetë pjesë e dis- kutimit të tij të shtunën në Kongres. Përgjatë dy muajsh, Malaj zhvilloi një tur takimesh në qytetet kryesore të vendit me të rinj, ku bëri publike dhe diskutoi me ta rreth nevojës që kanë partitë politike për t’u modernizuar. Malaj ka radhitur disa kritika për mënyrën se si po drejtohet PS nga Edi Rama dhe ka dhënë propozime konkrete se si duhet të jetë Partia Socialiste që duhet të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s.

Kongresi, Ruçi dhe Klosi takojnë krerët e PS në rrethe

Pas mbledhjes së Asamblesë, kreu i këtij forumi, Gramoz Ruçi dhe sekretari Organizativ, Blendi Klosi, kanë mbledhur kryetarët e PS në rrethe. Qëllim i kësaj mbledhjeje ka qenë përgatitja e Kongresit dhe kontaktet me delegatët e tij. Krerëve lokalë u është dhënë porosi që të ftuarit që do të marrin pjesë gjatë punimeve të hapura të Kongresit të jenë personalitete në rrethe të fushave të ndryshme, njerëz që kanë kontribuar në fushatat elektorale, por dhe ata që kanë qenë kandidatë në listat për kryetarë të PS në komuna dhe bashki. Gjithashtu, kryetarëve të rretheve u është kërkuar që të mbajnë kon- takte këto ditë deri në nisjen e Kongresit. Gjithashtu, ata janë informuar për takimet që grupet e punës së programit dhe statutit do të zhvillojnë këto ditë me delegatët e Kongresit të zgjedhur një javë më parë. Qëllimi i këtyre takimeve do të jetë njohja dhe  sqarimi me programin e ri, por dhe me ndryshimet e reja në statut. Pritet që në këto takime të ketë propozime dhe sugjerime rreth programit apo dhe statutit, ndryshime që mund të pasqyrohen në draftet që do të shkojnë për t’u votuar në Kongresin e 5 nëntorit. Ky proces u paraprin diskutimeve të gjata që në të tilla raste përshkojnë kongresin e që do të shkurtonin kohë në procesin e votimit me votë të hapur. Të shtunën, më 5 nëntor, Kon- gresi zgjedhor i PS-së do të diskutojë dhe miratojë programin e ri të partisë dhe disa ndryshime që i janë bërë statutit ekzistues të PS. Në fazën e dytë të tij, Kongresi do të hyjë në proces votimi, ku do të zgjedhë me votë të fshehtë Asamblenë e re social- iste, e cila pak javë më vonë do të zgjedhë Kryesinë dhe Sekretariatin e ri.

Aristir LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura