Rama: Qeveria ka tradhtuar interesat kombëtare për klientët

Jul 14, 2012 | 12:24
Rama në Selanik

Kreu socialist, Edi Rama zhvilloi një takim me emigrantët shqiptarë në qytetin e Selanikut. I shoqëruar dhe nga deputeti Taulant Balla dhe Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj, Rama u ka kërkuar emigrantëve të bëhen pjesë e ndryshimit të qeverisë në zgjedhjet e vitit 2013. Kryetari i PS u angazhua për emigrantët se kjo do të jetë hera e fundit që ata do të vijnë për të votuar, pasi vitin e ardhshëm, kur PS të jetë në qeverisje, do të bëjë të mundur që emigrantët shqiptarë të votojnë aty ku ata jetojnë dhe punojnë. Të shumta kanë qenë pyetjet për Edi Ramën në këtë takim, dhe kryetari i PS ka folur gjatë lidhur me atë se çka ofron programi “Për një Rilindje Shqiptare” për një mirëqeverisje të Shqipërisë. Kryetari socialist i ka hedhur poshtë me forcë tezat e propagandës së qeverisë, e cila synon të barazojë të dyja palët, duke vlerësuar në fjalën e tij se çdo qeveri vlerësohet me votë dhe se pushteti aktual e ka grisur tashmë kontratën me shqiptarët: “Një gjë është e sigurt: që nuk mund të lihet më qeveria e sotme të vazhdojë të grabisë dhe ta mbysë Shqipërinë me argumentin që ‘po këta të tjerët çfarë do të bëjnë?’. Në fund të fundit, kontratën populli e ka me ata që qeverisin. Janë ata që qeverisin të cilët duhet të japin përgjigje një më një për çdo pikë të shkelur të kontratës. Kjo qeveri e ka grisur kontratën me popullin dhe për këtë arsye, populli duhet ta flakë me votë në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që pa asnjë dyshim duhet që qeverinë e re ta gjykojë vetëm përmes provave dhe në rast se edhe qeveria tjetër nuk i përmbush pikat e kontratës me popullin, populli përsëri e ndërron. Kjo është edhe ajo që e bën demokracinë të funksionojë, mundësia për ta ndryshuar qeverinë kur qeveria nuk respekton kontratën me popullin”. Sipas tij, qeveria e Kryeministrit Berisha ka tradhtuar vendin dhe shqiptarët. “Realisht besoj që kjo qeveri dhe Kryeministri i saj kanë tradhtuar popullin, kanë tradhtuar interesat kombëtare, kanë tradhtuar interesin publik, kanë tradhtuar gjeneratën e re, kanë tradhtuar të moshuarit, kanë tradhtuar ish-të përndjekurit, kanë tradhtuar pronarët, kanë tradhtuar sipërmarrjen etj. Ky është realiteti dramatik i vendit tonë dhe për ta ndryshuar këtë realitet duhet pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje e çdo shqiptari e shqiptareje në procesin politik që me votë ne ta largojmë këtë flamë dhe t’i hapim rrugë një Rilindjeje Shqiptare”, u shpreh Rama para emigrantëve shqiptarë në qytetin e Selanikut.

Takimi
Kreu socialist ishte në qytetin e Selanikut, ku u mblodh Komiteti i Europës Juglindore të Internacionales Socialiste, që bashkëdrejton me ish-kryeministrin bullgar, Stanishev. Në axhendë të këtij komiteti ishte dhe reforma e Internacionales Socialiste në prag të kongresit të afërt, programi antikrizë i së majtës, rritja e bashkëveprimit rajonal etj. Rama zhvilloi dhe një takim në Bashkinë e Selanikut me kreun e saj, Jani Butari.

© Panorama.al

Te lidhura