Rama: PS, në Kuvend. Angazhim për në BE

Sep 5, 2011 | 12:34

TIRANË- Partia Socialiste do të jetë e pranishme në Kuvend, në cdo seancë dhe në cdo proces votimi. Deklarata është bërë nga kreu i PS-së, Edi Rama në hapje të mbledhjes së grupit parlamentar socialist. Në fjalën e tij para mediave, Rama duke iu uruar punë të mbarë deputetëve, shprehu bindjen se grupi socialist do jetë zëdhënës i fuqishëm i Shqipërisë që kërkon rrugëdalje nga llumi ku po e zhyt vendin keqqeverisja.

“Shqipëria po i afrohet një tjetër dështimi të rëndë pas atij të një viti më parë kur u refuzua nga BE kërkesa për status, ndaj ne duhet të bëjnë cmos që ky refuzim të mos përsëritet në tetor edhe pse shanset janë minimale për shkak të plagëve që KE ka diagnostikuar, duke vënë 12 rekomandimet. Puna e grupit tonë do të fokusohet me ngulm te 12 prioritetet, do jemi më shumë se asnjëherë partia e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë evropiane”- tha Rana.

Ai theksoi se puna e PS do të përqendrohet në reformat e nevojshme për vendin, në luftën ndaj korrupsionit përmes denoncimit publik të tij. “Gjithcka ka dalë në dritë edhe këto javë, që nga Gërdeci, te shkembja e Kalimashit e me radhë të gjitha zullumet e denja deri te vrasjet e 21 janarit janë të njohura për ne, i kemi bërë publike, kemi luftuar për hetimet. Përsëritim apelin për prokuroren e përgjithshme që të bëjë detyrën e saj mos të lejojë të vihet kapaku i drejtësisë mbi krimet shtetërore”- ka thënë ai.

Rama i ka bërë apel edhe kreut të shtetit, Bamir Topi të mos mjaftohet me mesazhet. “Populli është peng i shtetit të zhytur në llumin e pushtetit, presim nga presidenti t’i dalë në mbrojtje Kushtetutës e populit si garanti i ligjit themeltar të shtetit”- tha ai.

Sipas Rames, eshtë koha e ndërrimit të Guvernatorit, koha e ndërrimit të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, koha e ndërrimit të Avokatit të Popullit  “kandidature që Saliu ia ka ofruar opozitës për t`i hedhur hi syve komunitetit ndërkombëtar. Është koha që presidenti të bëjë përzgjedhjet e tij, siç e kërkon Kushtetuta për këto ndryshime”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura