“Rama po përpiqet të pengojë drejtësinë të shkojë tek ai”- Hasimja për ndryshimin e ligjit nga qeveria: SPAK ka mbështetjen e plotë të ndërkombëtarëve, ndryshe…

Feb 16, 2026 | 15:43

Politologu dhe nismëtari i Forumit për Dialogun Politik të partive dhe lëvizjes opozitare, Ermal Hasimja, mendon se kryeministri Edi Rama me lëvizjen e fundit për ndryshimet ligjore të Nenit 242, po e bën që të mbrojë veten nga drejtësia dhe ky mbetet qëllimi i parë.

ermal hasimja

I ftuar në studion e “News 24”, ai tha se nëpërmjet këtyre lëvizjeve, kreu i mazhorancës do mbrojë edhe imunitetin e Belinda Ballukut, duke mos ia hequr.

“Në raport me atë që do Rama po bëhet edhe kjo lëvizje aktuale me ligjin. Qëllimi i parë është ai që të ndalojë një prokuror apo gjykatës që të firmosë dhe të shkojë tek kryeministri. Si puna e peshkut me sallatën, por bëhet edhe për të mbrojtur të tjerët. Por nuk mendoj se kanë të dyja çështjet lidhje me njëra-tjetrën. Me shumë gjasa hapi tjetër do të jetë edhe çështja e mandatit të Ballukut”, tha Hasimja.

Sipas tij, me këto nisma po krijohet edhe një krizë mes drejtësisë dhe ekzekutivit, pasi Rama dhe Rilindja e kanë problemin pikërisht me drejtësinë. Madje sipas Hasimes, nëse SPAK nuk do kishte mbrojtje ndërkombëtare, qeveria do kishte ndërhyrë prej kohësh.

“Sigurisht që kjo krijon një krizë apo përplasje me drejtësinë. Rilindja dhe Rama e kanë problemin me sistemin e drejtësisë. Po të mos ishte e mbrojtur drejtësia, mos të kishte këtë mbështetje në popull dhe të ndërkombëtarëve, do kishin ndërhyrë me kohë në ndryshimet ligjore. Por kemi ndërkombëtarët që e sponsorizojnë dhe mbrojnë drejtësinë”, tha ai.

Sipas politologut opozitar, drejtësia po funksionon dhe ka dhënë rezultate, pavarësisht përpjekjeve dhe pretendimeve të mazhorancës. Por duke ngritur pretendimet për ligjin, Rama po përpiqet të mbrojë edhe veten, edhe Ballukun.

“Kemi një drejtësi që funksionon dhe mbrohet nga ndërkombëtarët. Rama po përpiqet të lidhe imunitetin me ligjin, ai po përpiqet të mbrojë edhe parimin edhe emrin. Po ecën me teorinë që ne nuk e dorëzojmë imunitetin e Ballukut sepse pretendon se po mbron ligjin”, u shpreh ai.

ermal hasimja1

Hasimja rrëfen Tryezën e Forumit Politik të opozitës, protestën e 20 shkurtit dhe një koment për lëvizjen e Salianjit

Politologu dha detaje edhe nga nisma e Tryezës së Forumit për Dialog Politik të forcave opozitare, që ka mbajtur takimin e parë dhe përgatitet për një të dytë.

Gjithashtu foli edhe për strategjinë e protestës së 20 shkurtit dhe nëse është biseduar në terma të veçantë.

Hasimja tha se në tryezë janë të ftuar të gjithë faktorët opozitarë, madje edhe ata që janë brenda mazhorancës, por nuk ndajnë të njëjtat qëndrime me të.

“Tryeza është ndërtuar për të gjitha forcat politike. Ajo është e barabartë edhe për forcat e tjera si lëvizjet e Arlind Qorit dhe Adriatik Lapajt, ata janë të ftuar të bashkohen. Ne jemi të interesuar që të bashkohet fronti opozitar, ata kanë interesat e tyre dhe është normale, por jemi në situatë problematike”, tha ai.

I pyetur për lëvizjen e Ervin Salianjit, nëse do jetë një nga të ftuarit në tryezë, ai shpjegoi:

“Ne nuk merremi me problemet e brendshme të partive politike. Në tryezë vjen personi që ka marrë mandatin për përfaqësim. Zoti Salianji e konsideron veten pjesë të PD-së dhe ne nuk mund të ftojmë pjesë të ndryshme brenda partive. Tryeza e parë ishte pozitive. Ne do vazhdojmë punën tonë, kurse dera është e hapur për të gjithë. Të gjitha diskutimet, debatet dhe mendimet ndahen në tryezë dhe jo jashtë saj dhe të imponosh të tjerët. Fundja tryeza për këtë është, nëse ke kërkesa vjen i shtron aty”.

Hasimja tha se do diskutohet edhe për Reformën Zgjedhore, por theksoi se nga takimi i parë janë gjetur pika të përbashkëta.

“Disa pika të përbashkëta janë gjetur dhe arritur mes palëve dhe ka qenë pozitive. Sa i përket reformës zgjedhore ajo mbetet pjesë e partive dhe diskutimeve, por do bëhen propozime konkrete nga të gjitha palët, për një qëllim të përbashkët”, vijoi ai.

Kurse për protestën e 20 shkurtit, politologu opozitar nënvizoi se ajo është një nismë e PD-së, e cila ka dhe përvojën politike për protesta, por sigurisht që do diskutohet edhe në tryezën e Forumit Politik.

Ai vuri thekson tek fronti sa më i gjerë opozitar, madje edhe të pakënaqur nga vetë mazhoranca.

“Protesta është instrument për të tërhequr energjinë opozitare, qoftë edhe të pakënaqurit brenda mazhorancës. PD ka strategjinë e saj për protestat, ka angazhimin e saj, nuk është diskutuar dhe do diskutohet”, përfundoi Hasimja.

© Panorama.al

Te lidhura