Panorama Online ka siguruar pamjet nga momenti kur 24-vjeçarja Rozalinda Plaku lirohet nga ish-i fejuari i saj, Refit Buzi, i cili e mbajti peng për disa orë.
Në video shihet momenti kur e reja del nga automjeti ku mbahej kundër vullnetit të saj. Menjëherë pas daljes, një efektiv policie i shkon pranë, e merr në krah dhe e largon nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Sipas Policisë, 35-vjeçari Refit Buzi vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakën, 58 vjeç, plagosi rëndë ish-vjehrrën, Belere Plakën, 55 vjeçe, e cila u transportua në spital, por ndërroi jetë disa orë më vonë si pasojë e plagëve të marra, dhe më pas mori peng ish-të fejuarën e tij, 24-vjeçaren Rozalinda Plaku.
Pas disa orësh negociata me Policinë dhe forcat speciale RENEA, 35-vjeçari liroi 24-vjeçaren, e cila u shpëtua e padëmtuar nga efektivët. Më pas, ndërsa vijonte të ishte i rrethuar në automjetin e tij në fshatin Kurjan të Roskovecit, Buzi refuzoi t’u bindej thirrjeve për t’u dorëzuar dhe u vetëqëllua me armë zjarri, duke humbur jetën.
Lidhur me motivet e ngjarjes, familjarët e të dyja palëve kanë dhënë versione të ndryshme. Policia po heton në dy pista kryesore, refuzimin e autorit për të pranuar ndarjen nga ish-partnerja dhe një konflikt të mundshëm për një shumë parash që Buzi pretendonte se ia kishte dërguar asaj gjatë kohës që ishte emigrant në Angli dhe që kërkonte t’i ktheheshin pas përfundimit të lidhjes.














