“Rama po e shpall veten të pahetueshëm dhe të pandëshkueshëm”- Këlliçi: S’ka hallin e Ballukut, por të drejtësisë që i shkoi te paradhoma! Me këtë akt prek fundin, nesër…

Feb 9, 2026 | 16:23

Kryeministri Edi Rama po e shpall veten të pahetueshëm dhe të pandëshkueshëm me lëvizjen e fundit politike që deklaroi, për të penguar drejtësinë duke ndryshuar ligjin dhe betejën e deklaruar ndaj saj.

kellici balluku

Kështu shprehet deputeti i PD, Belind Këlliçi, teksa komenton me një postim në Facebook zhvillimet më të fundit politike të ditës, pas mbledhjes që grupi i PS-së bëri ditën e sotme nën drejtimin e kryeministrit.

“Pasi nuk e mbajti dot mbi ligjin Belindën, i detyruar nga Gjykata Kushtetuese, Edi Rama tani ka vendosur të ndryshojë ligjin! Kjo që ka ndërmend të bëjë nuk ka asnjë synim për zgjidhje gjasme të paqartësisë kushtetuese. I vetmi qëllim i tij është që me ligj ta shpallë veten të pahetueshëm, të pandëshkueshëm, të pagjykueshëm. Dhe me këtë rrugë t’u japë garanci dhe të tijve që të vazhdojnë të vjedhin se do jenë të paprekshëm”, shkruan ligjvënësi opozitar mes të tjerash.

Këlliçi paralajmëron se kjo lëvizje e Ramës nuk është vetëm thirrje për revolucion, por tregon se Shqipëria prek fundin në këtë akt të qeverisë.

Ndaj ai apeloi për qytetarët që nesër (10 shkurt) para kryeministrisë, të mblidhen në orën 17:00.

“Shqipëria me këtë akt prek fundin, dhe Edi Rama e kurorëzon veten sikur ka të drejtën hyjnore për të bërë çdo gjë që dëshiron, pa dhënë llogari, pa mbajtur përgjegjësi. Shqiptarët nuk janë gati ta kthejnë vendin në Bjellorusi, vetëm se Edi Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur dhe duhet të lërë karrigen e kryeministrit.  Dhe mesazhi i parë i qartë dhe i fuqishëm do të jetë nesër në orën 17.00, para zyrës së krimit dhe korrupsionit”, thekson deputeti demokrat.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Shpallja me ligj si i pahetueshëm, thirrje për revolucion!

Pasi nuk e mbajti dot mbi ligjin Belindën, i detyruar nga Gjykata Kushtetuese, Edi Rama tani ka vendosur të ndryshojë ligjin!

Kjo që ka ndërmend të bëjë nuk ka asnjë synim për zgjidhje gjasme të paqartësisë kushtetuese. I vetmi qëllim i tij është që me ligj ta shpallë veten të pahetueshëm, të pandëshkueshëm, të pagjykueshëm. Dhe me këtë rrugë t’u japë garanci dhe të tijve që të vazhdojnë të vjedhin se do jenë të paprekshëm.

Pra hajdutëria e qeverisë do të mbrohet me ligj dhe forcën e kartonave të Edi Ramës!

Kjo ka qenë prej fillimit arsyeja e Edi Ramës, pasi ndjeu se hetimi i korrupsionit shkoi në paradhomën e tij. Aspak halli i Belinda Ballukut, të cilën do ta mënjanojë me koncesionin që mos ta çojë në burg.

Përkundër nevojës së vendit, në kundërshtim me atë çka kërkon procesi i integrimit, Edi Rama shpalli se me ligj do të pengojë hetimin e korrupsionit, të aferave, të abuzimeve me miliarda euro, që burojnë të gjitha nga zyra dhe nga firmat e tij.

Shqipëria me këtë akt prek fundin, dhe Edi Rama e kurorëzon veten sikur ka të drejtën hyjnore për të bërë çdo gjë që dëshiron, pa dhënë llogari, pa mbajtur përgjegjësi.

Shqiptarët nuk janë gati ta kthejnë vendin në Bjellorusi, vetëm se Edi Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur dhe duhet të lërë karrigen e kryeministrit.

Dhe mesazhi i parë i qartë dhe i fuqishëm do të jetë nesër në orën 17.00, para zyrës së krimit dhe korrupsionit. Mblidhemi me energji, me pasion e dashuri për Shqipërinë”.

© Panorama.al

Te lidhura